Tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një restorant të rrjetit “In-N-Out Burger” në qytetin Twin Falls, në shtetin Idaho të Shteteve të Bashkuara.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një qendër tregtare të frekuentuar, ku në momentin e të shtënave ndodheshin qindra persona.




Sipas autoriteteve lokale, policia që mbërriti në vendngjarje gjeti trupin e personit të dyshuar si autor i sulmit në një zonë pranë restorantit.

Ende nuk është konfirmuar nëse ai është pjesë e bilancit të viktimave.

Disa prej të plagosurve mësohet se ndodhen në gjendje kritike për jetën, ndërsa identitetet dhe moshat e viktimave nuk janë bërë ende publike, pasi autoritetet po vijojnë procedurat për njoftimin e familjarëve.

Dëshmitarët kanë përshkruar momente paniku gjatë sulmit. Një 34-vjeçar ka treguar se pa një person të armatosur me një pushkë të tipit “AR” duke dalë nga zona e shërbimit të restorantit, ndërsa një person tjetër iu kundërpërgjigj duke qëlluar me armë.

Sipas dëshmive, një punonjës i restorantit është parë duke tërhequr zvarrë një kolege të plagosur në gjoks, duke u përpjekur ta largonte nga zona e rrezikut, ndërsa qëndroi pranë saj deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës.

Një tjetër dëshmitare, e cila ndodhej në restorant me vajzat e saj, tha se të shtënat erdhën nga pjesa e kuzhinës. Punonjësit u kanë kërkuar klientëve të shtriheshin në dysheme dhe më pas të largoheshin me shpejtësi nga ambienti.

Policia amerikane vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke marrë në pyetje dëshmitarët dhe duke mbledhur prova. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse sulmi kishte në shënjestër persona të caktuar apo ishte një veprim i rastësishëm. /Telegrafi/