LAJMI I FUNDIT:

“Hungaria e Madhe”: Shalli që kishte veshur Orban ka nxitur reagime në Serbi, Rumani dhe Ukrainë

“Hungaria e Madhe”: Shalli që kishte veshur Orban ka nxitur reagime në Serbi, Rumani dhe Ukrainë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka nxitur reagime, si në Serbi, Rumani, por edhe në Ukrainë – dhe jo vetëm- pasi së fundmi është shfaqur me një shall ku ishte e vizatuar harta e “Hungarisë së Madhe”.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, kryeministri Orban, me këtë shall është paraqitur në ndeshjen e fundit të kombëtares hungareze të futbollit.


Dhe reagimi nga Serbia ka ardhur pasi në hartën, në shallin e Orban ishte përfshirë edhe Vojvodina.

Përveç se nga Serbia, reagime ka pasur edhe nga mediat në Rumani, pasi sipas tyre, në po të njëjtën hartë është përfshirë një pjesë e Transylvania.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme rumune ka shprehur “mosmiratimin e saj të fortë” për gjestin e bërë nga Orban.

Sipas Ministrisë së Jashtme rumune, gjesti i kryeministrit hungarez “bie ndesh qartë me hapjen rreth rifillimit të dialogut dypalësh, për të cilin ministri i jashtëm rumun kishte diskutuar gjatë vizitës së tij të fundit në Budapest, si gjatë konsultimeve me kryeministrin dhe homologun e tij hungarez”.

Por reagimet kanë ardhur edhe nga Ukraina.

Siç kanë raportuar mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Ukraina do të thërrasë ambasadorin hungarez për të protestuar që kryeministri Viktor Orban shkoi në një ndeshje futbolli i veshur me një shall që përshkruante disa territore ukrainase si pjesë e Hungarisë, tha të martën Ministria e Jashtme e Ukrainës.

“Promovimi i ideve të revizionizmit në Hungari nuk kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve ukrainase-hungareze dhe nuk përputhet me parimet e politikës evropiane”, ka shkruar në Facebook zëdhënësi i ministrisë Oleg Nikolenko.

Nikolenko tha se Ukraina donte një kërkimfalje dhe një kundërshtim të çdo pretendimi hungarez në territorin ukrainas.

Mediat ukrainase treguan imazhe të Orbanit duke takuar një futbollist hungarez i veshur me një shall, për të cilin ukrainska Pravda tha se përshkruante një hartë të “Hungarisë së Madhe” duke përfshirë territorin që tani është pjesë e shteteve fqinje të Austrisë, Sllovakisë, Rumanisë, Kroacisë, Serbisë dhe Ukrainës.

Një reagim ndër tjerash ka bërë edhe eurodeputeti gjerman, Daniel Freund, i cili ka bërë një ripostim të fotografisë së kryeministrit të Hungaris.

Kjo nuk është hera e parë që Viktor Orban përdor hartën e “Hungarisë së Madhe”, shkruajnë mediat botërore.

Dy vite më parë, kryeministri i Hungarisë u uroi suksese gjimnazistëve në provimin e diplomës nga testi i historisë me një mesazh delikat – kryeministri publikoi një imazh të një globi me hartën politike të botës nga viti 1862, në plan të parë. /Telegrafi/