LAJMI I FUNDIT:

Sëmundja e kujtimeve

Sëmundja e kujtimeve

Nga: Agron Gërguri

Rreth romanit “Çelësi i zonjës Meri”, të shkrimtarit Bardh Frangu


Ngjarja është e vendosur në një vend ku vetëm urrejtja ka kuptim dhe asaj i besohet, e ku fatkeqësia matet me fatin që u sjell të tjerëve; aty ku diploma e titujt akademik blihen në kioska, por dashuria dikur ishte dashuri – edhe pse nuk dihej çka ishte (një inercion ndjenjash që të shtyn të veprosh në drejtim të frekuencave që thërrisnin për përqafim). Ky është vendi ku u kthye Zonja Meri, heroina së cilës Atdheu ia rriste bebëzat e syrit në formë të kujtimeve, sepse çka thuhej e shihej ishte një shkretëtirë. Po ato kujtime e akuzojnë se ishte apo se bëhej pjesë e fajit të të tjerëve – edhe në mungesë të saj. Pahetueshëm ishte futur në kazanin e thashethemnajës dhe të moçalit mental, ku zhgënjimi i thoshte: ky është Atdheu yt Meri e jo ai i mendjes tënde.

Kështu disi e me dilema që veç arti i ngre në temë, po lexoja veprën “Çelësi i Zonjës Meri” – përkatësisht po bashkëbisedoja me autorin Bardh Frangu i cili nuk na e thotë këtë me tekst, por me përvojën e gërryerjes nën lëkurë për të na e gravuar në mendje si nëntekst (që pastaj të gërditemi nga vetvetja për të nxjerr pështymën që vizaton fytyrën me hartën e mëkateve).

Me kujtimet të cilat përpiqet t’i restaurojë në shpirt, duke i ngjallë përmes njerëzve me emërtime simbolike, autori ikën nga koha reale që po tretej në shpërfytyrim. Ai ndalet në kohën psikologjike e cila nuk përfundon. E, duke qenë e tillë, jep mundësi eksplorimi e zbërthimi të gjendjes së brendshme të psikikës së zonjës Meri. E përhumbur në fotografinë e munguar, ajo ecën në realitet e dëshiruara të së kaluarës e të sotmen somnabule. Analizon gjendjen, situatat, gjykon lirinë e pronësuar, klithmën e jetës për dinjitetin e humbur që nuk i ka hije lirisë. Andaj, edhe personazhet tjera – pastruesi i nevojtoreve, mbledhësi i kënaqësive, taksisti, doktori, recepsionisti… – thuaja të gjithë lëvizin brenda asgjësë. Edhe kur nisen për diku, asnjë rrugë nuk bëhet deri në fund pa u kthyer mbrapa ku si detektor i gjendjes së tyre i pret Meri – me nostalgjinë e saj për të djeshmen dhe zhgënjimin me të sotmen, në përpjekjen që të gjitha këto personazhe t’i gdhend si gurë për të riformuluar mozaikun e prishur të Atdheut apo për të rimbursuar dehidrimin emocional.

Duke shpejtuar që ta zë të kaluarën, për një ditë kalon nëpër të katër stinët e jetës. Por, peizazhin e vendlindjes nuk e bëjnë guri e druri, por njerëzit. Ata i japin kuptim gjërave, sepse Atdheu është copë zemrash shpërndarë nëpër njerëz që do t’i mbledh duke shpalosur faqet e rrugëve si rrëfime nëpër të cilat dikur kishte shkelur. E, sot aty takon protestues të dyshimtë, për fatin e të pagjeturve në regjistrin e të cilëve ishin edhe prindërit e saj… Pastaj takon lejlekun shtegtar i cili tejkalon simbolikën e prezencës dhe mungesës së Merit në jetën e vendlindjes. Ajo na merr përdore dhe vazhdon të ecën nëpër fërkemet e jetës së kaluar, për të na takuar me mungesën. Në fakt, ajo ecën nëpër rrugën e minuar të kujtimeve, jetës së zvetënuar pa dinjitet së cilës i mungojnë melodia e duhur, kënga, libri, teatri, buzëqeshja, dashuria dhe miqësia të cilat kishte menduar se do t‘i gjejë në hambarin lirisë – në Atdheun e idealizuar në mungesë. “E sheh si po pakohemi, gjithnjë e më shumë… gjithnjë e më pak dashuri po mbetet këndej”. Ajo po vdes e Maja e Libetenit mbetet objektiv i paarritur.

Mallin e mërzinë rakia e zbërthen më shpejt në gjak, e thotë taksisti i cili duke e shfrytëzuar këtë thënie e kalëron Merin derisa ajo ishte në kërkim të ëndrrës për të mbushur gotën e zbraztë të shpirtit, e po e maste kohën me zemër për të na e lexuar apo gjetur të munguarën tek secili prej nesh (edhe për të na identifikuar e listuar si pjesë të fajit të të tjerëve). E gjitha pastaj derdhet në një revoltë refuzuese me të ndodhurën, duke pasur si kontrapunkt motivues ëndrrën e dikurshme.

Nga i gjithë ky galimatias, autori e nxjerr vlerën e librit si vlerë të ndjenjës së mirë, dashurisë dhe miqësisë si një pikëtakim të njerëzores e cila mjerisht po zvetënohet, tjetërsohet dhe është kriterizuar me shprehjen e Ekos “për pjesëmarrjen e secilit në luadhin e Fejsbukut…”! Dhe, këlthet për të gjetur nukleusin e të vërtetës për lirinë, dashurinë dhe përhumbjen e dëshirueshme në kënaqësi, e jo atë në të cilën komandon mungesa e dashurisë.

Gjatë leximit më dukej sikur kisha hyrë në laboratorin e Frojdit i cili po më fliste me gjuhën e Bukovskit; ndjeva shqetësimin dhe pakënaqësinë e përbashkët për lirinë, mungesën apo prostituimin e dashurisë e shumëçka tjetër në rrugën pa numër e me emër të panjohur, siç nuk po e njohim më as veten tonë kur e hapim portën e kujtimeve… me Çelësin e zonjës Meri.