LAJMI I FUNDIT:

Selimi: Rezoluta për Luginën, mashtrim i radhës i presidentit Thaçi

Selimi: Rezoluta për Luginën, mashtrim i radhës i presidentit Thaçi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ka quajtur mashtrim të radhës të presidentit Thaçi, rezolutën për Luginën e Preshevës. Teksa ka thënë se adresa e vetme për shqiptarët e Luginës së Preshevës mbetet Republika e Shqipërisë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për gjendjen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Selimi ka thënë se kjo rezolutë mund të quhet edhe e kontrabanduar, pasi sipas tij, në tavolinat e deputetëve ka ardhur në mënyrë të paligjshme.


Presidenti i dërgon Kuvendit draft-rezolutë që mbështet kërkesat e shqiptarëve të Luginës
Lexo po ashtu Presidenti i dërgon Kuvendit draft-rezolutë që mbështet kërkesat e shqiptarëve të Luginës

Sipas tij, mos përmendja e Luginës së Preshevës në tavolinën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër inicimi i një rezolute për gjendjen atje, veç e dëshmon një gjë të tillë.

“Ne sot, e kemi po ashtu në dorë edhe një projekt-rezolutë të ardhur nga Thaçi, që më vjen keq ta them, por është mashtrim i radhës. Madje edhe kontrabandë mund ta quajmë sepse na ka ardhur në tavolinat e deputetëve. Një nga kolegët këtu po thotë pse po e përmend atë rezolutë, por siç e kam unë e ke edhe ti. Prandaj unë dua ta refuzoj një qasje të tillë dhe një keqpërdorim të radhës të çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha ai.

Sipas Selimit, e vetmja adresë për qytetarët e Luginës së Preshevës mbetet Republika e Shqipërisë, e cila në Kushtetutën e saj ka edhe çështjen e kësaj ane.

Përndryshe, sa i përket Qeverisë së Kosovës, ai tha se jo vetëm se nuk e ka në kompetencë një gjë të tillë, porse i ka braktisur qytetarët atje qysh nga paslufta.

“Krejt çka mund të bëjmë ne si përfaqësues të drejtpërdrejt të qytetarëve është që të kërkojmë nga Republika e Shqipërisë të zbatojë Kushtetutën e saj. Pra, si një adresë të vetme, mbetet që të kërkojë nga Shqipëria që të zbatojë kushtetutën e saj. Këtë kërkesë nuk mund t’ia adresojë Serbisë sepse kurrë nuk do të duhet ne të bëjmë kërkesa ndaj një shteti armik, ndaj shqiptarëve atje dhe këtu. Këtë kërkesë nuk mund t’ia drejtoj Qeverisë së Kosovës sepse nuk e ka të përshkruar në kompetencat e saj e as në Kushtetutën e saj. Vëllezërve shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc i përshëndes dhe u them që të mbështeten fort në popullin shqiptar të Kosovës e jo në shtetin e qeverinë e Kosovës, e cila i ka braktisur sidomos tash e 20 vjet pas luftës ”, ka thënë ai./kp/