LAJMI I FUNDIT:

Seleksionimi i mbeturinave, pikë e dobët e tetovarëve

Seleksionimi i mbeturinave, pikë e dobët e tetovarëve

Nuk ka rritje të vetëdijes te tetovarët kur bëhet fjalë për vendosjen e mbeturinave në shportat dhe kontejnerët e specializuar për plastikë, qelq, letër. Mbeturina komunale hidhet pa u seleksionuar, ndonëse në këtë qytet ka dhjetëra shporta dhe kontejnerë të tillë. Njëherësh enët e tilla për vendosjen e llojeve të ndryshme të mbeturinave në të shumtën e rasteve për arsye të pakuptueshme edhe janë të dëmtuara.

Një pamje të tillë paraqesin kontejnerët më të rinj të specializuar për vendosjen e qelqit. Në to ka gjithçka, ndërsa edhe vetë janë dëmtuar, shkarravitur ose demoluar.


Shoqëria për menaxhimin e mbeturinave nga paketimi “Pakomak” në të gjitha komunat rregullisht dhuron shporta dhe kontejnerë për vendosje të veçuar të mbeturinave, ndërsa në Tetovë shprehen se kanë rezultatet të pavolitshme në tentimin që qytetarët t’i nxisin me atë që do të bëjnë seleksionimin e mbeturinave.

“Në vitin 2019 për herë të parë dhamë për shfrytëzim në Tetovë 15 kontejnerë të quajtur “iglo” ose “zile” për vendosjen vetëm të qelqit. Vërejmë se gjysma e mbeturinave është qelq, derisa pjesa tjetër lloje të ndryshme të mbeturinave që i lënë banorët. Shifrat tregojnë edhe për vetëdijen për të seleksionuar qelqin. Nga kontejnerët e tillë në vitin 2019 në Shkup janë mbledhur 320 tonë qelq, ndërsa në të gjitha qytetet tjera 533 tonë, prej të cilave në Tetovë vetëm 9.4 tonë qelq. Sa për krahasim, në Ohër dhe Manastir kishin nga 50 tonë, Strumicë 58 tonë”, shprehet Igor Makaloski, menaxher operativ në “Pakomak”, duke theksuar se për sivjet është planifikuar që në Tetovë të dhurohen edhe 25 kontejnerë të këtillë për qelq.

Sipas tij, për pavetëdijen jepen arsyetime se ekzistojnë vështirësi të tjera ekzistenciale, ndonëse mbeturinat si problem janë për çdo ditë të pranishme në jetën e qytetarëve.

@Kam dëgjuar në disa punëtori dhe tribuna se qytetari i Maqedonisë është i ngarkuar me brenga dhe gjithçka tjetër, ndaj kjo është e fundit. Nuk është arsyetim, meqë nuk është naive që në listën e problemeve, hedhja e mbeturinave të vihet në vendin e 100-të, e t’i zgjidhim fillimisht 99 problemet tjera. Absolutisht është një problem akut dhe i përditshëm, real, Tetova ngulfatet në bërllokun e përditshëm. Konsideroj se çdo qytet, po edhe vendet rurale, janë të pajisura në mënyrë solide me shporta dhe kontejnerë të këtillë të specializuar, për të qenë qytetar me përgjegjësi dhe vetëdije shoqërore. Çdo arsyetim se nuk ka kontejnerë para hyrjes është qëndrim i njeriut të papjekur, askund në BE nuk ka kontejnerë dhe shporta para vetë ndërtesave dhe shtëpive. Po në Bern të Zvicrës ka tre pika për seleksionim ku njerëzit shkojnë me automjet dhe i lënë, të etur në synimin për të seleksionuar mbeturinat dhe për të kontribuar në mënyrë pozitive në ruajtjen e mjedisit jetësor”, tha menaxheri.

Edhe dështimi institucional është arsye për situatat e këtilla, konsideron Makaloski.

Kur mendoj sanksionim, kjo nuk nënkupton menjëherë të shkruhet gjobë. Fillimisht nevojitet procesverbal, paralajmërim dhe instanca e fundit gjoba. Por kryesorja është që të kërkohet angazhim në terren. Tragjedia e vetëqeverisjeve lokale qëndron në atë se ka vetëm një të punësuar të tillë, i cili në një qytet ku gravitojnë mbi 100 mijë njerëz është e pamundshme të vendosë rend. Kushdo qoftë, sidoqoftë, sado që të jetë i aftë, nuk do t’ia dilte, shprehet ai.

Në ndërmarrjen komunale të Tetovës shprehen se janë duke “zhvilluar betejë” me qytetarët për të mbledhur mbeturinat nëpër qytet. Problemi më i madh për ta janë veprimet e pandërgjegjshme të disa qytetarëve, si dhe mekanizimi dhe mjetet e kufizuara për punë.

“Problematike është hedhja e mbeturinave pranë kontejnerëve, e jo brenda, si dhe lënie të mbeturinave të forta, si orendi për amvisëri, pajisje sanitare, materiale ndërtimore, degë të drunjve. Këto mbeturina, përveç asaj që ndotin mjedisin jetësor, shkaktojnë defekte në makinat, i dëmtojnë kontejnerët dhe pengojnë transportin e mbeturinave të tjera. Në vend se ta lënë në kontejnerët, qytetarët duhet mbeturinat e këtilla t’i dërgojnë te stacioni i ri i ngarkimit në rrugën Tetovë drejt Falishes”, shprehet drejtori i ndërmarrjes komunale të Tetovës, Xhelal Ceka.

Ndërmarrja publike komunale Tetovë nëpër rrugët e qytetit dhe atyre fshatrave që i takojnë komunës ka vendosur 520 kontejnerë, 12 kontejnerë të mëdhenj prej nga pesë tonë, si dhe shporta nëpër amvisëri.

“Mbeturina mblidhet në ndërrimin e tretë, por në rajonet në rrugët kryesore shkohet edhe dy herë, gjegjësisht edhe gjatë ditës. Gjatë dimrit diku kamionët nuk mund të mbërrijnë për shkak të akullit dhe borës, ndërsa gjatë verës tollovia në komunikacion është vështirësia kryesore në punë. Një herë në javë, për të mbledhur mbeturina, shkohet edhe në fshatrat e komunës. Në Kodër të Diellit dy herë, ndërsa gjatë zezonës – tri herë në javë. Kemi shtatë rajone, ndërsa 235 njerëz punojnë në repartin për higjienë komunale”, sqaron drejtori.

Sllovenia shënon praktikën më të mirë dhe më të suksesshme në ndryshimin kur bëhet fjalë për menaxhimin e mbeturinave, bëjnë të ditur nga organizatat që merren me këtë fushë. Vitin e kaluar Lubjana u bë kryeqyteti i parë me mbeturina zero. Pesëmbëdhjetë vite më parë kanë qenë në situatë të njëjtë siç është tani rajoni i Pollogut, kur të gjitha mbeturinat janë lënë në deponi, por kjo tani ka ndryshuar tërësisht. Në vitin 2002 është filluar me mbledhjen e veçantë të letrës, qelqit dhe ambalazhit, ndërsa katër vite më vonë, qyteti fillon të mbledhë mbeturina bioshkatërruese – nga dera më derë. Në vitin 2013, çdo amvisëri, nga ana tjetër, ka marrë shporta për ambalazh dhe për letër. Zhvillimi i fabrikës më moderne për trajtimin e mbeturinave biologjike në Evropë ka qenë hapi më i madh në realizimin e qëllimit – deri në vitin 2025 të riciklohen së paku 75 për qind e mbeturinave, bëhet e ditur në faqen e specializuar informative të internetit “Ballkan grin energji”.

Qendra rajonale për menaxhimin e mbeturinave është hapur në vitin 2015. Atje përdoret gaz për prodhimin e ngrohtësisë personale dhe energjisë elektrike. Qendra përpunon 95 për qind të mbeturinave në materiale që mund të riciklohen edhe në karburant të fortë dhe dërgon më pak se pesë për qind mbeturina në deponi. Mbeturinat i shndërron në pleh të cilësisë së lartë për kopshte.

Sipas informacionit nga platformat e tyre në internet, kjo qendër përpunon 170 mijë tonë mbeturina në vit, prej të cilave 150 mijë janë mbeturinë e përzier komunale dhe më shumë se 20 mijë tonë biombeturina të mbledhur të veçuara. Shërben 700 mijë banorë, ose 43 komuna në Slloveni, gjë që paraqet një të tretën e shtetit./Koha/

Në trend Lajme

Më shumë
Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës

Lajme
​Flet avokati i Pal Lekajt për vendimin e 53 milionëshit

​Flet avokati i Pal Lekajt për vendimin e 53 milionëshit

Drejtësi
Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishta takimi i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishta takimi i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje

Lajme
Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Milatoviq kërkon drejtësi për vrasjet e shqiptarëve në Mal të Zi më 1999 – propozon edhe ngritjen e një memoriali

Lajme
Prokuroria thirrje qytetarëve: Nëse jeni viktimë që u janë shpërndarë foto apo video intime nga

Prokuroria thirrje qytetarëve: Nëse jeni viktimë që u janë shpërndarë foto apo video intime nga "Albkings", jepni dëshmitë në polici

Drejtësi
Ngrihet aktakuzë ndaj 18 personave për korrupsion me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë

Ngrihet aktakuzë ndaj 18 personave për korrupsion me subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë

Drejtësi
Kalo në kategori