LAJMI I FUNDIT:

Sekretet e Ronaldos për fizik të mahnitshëm në moshën 34 vjeçare – nga dieta e deri te gjumi

Sekretet e Ronaldos për fizik të mahnitshëm në moshën 34 vjeçare – nga dieta e deri te gjumi

Shumica e futbollistëve fillojnë të bëhen gati për pensionim kur i afrohen viteve të mesme të 30’ta, por kjo nuk vlen për rastin e Cristiano Ronaldos.

Legjenda portugeze, i cili i mbush 35 vjet në muajin shkurt, e ka mbajtur veten në top formë fizike përgjatë karrierës së tij mbresëlënëse, transmeton Telegrafi.


Si model profesionisti, Ronaldo tani është duke i korrë shpërblimet e përkushtimit të tij në këtë sport.

Por, cilat janë sekretet e tij? Si ia arrin ta ketë një fizik kaq të mahnitshëm në moshën 34-vjeçare?

Gazeta spanjolle “AS” ka zbuluar regjimin ushtrimor të Ronaldos, dietën, shprehitë e gjumit dhe këto e shpjegojnë faktin se përse ai është ende në formë tip-top.

Dieta e Ronaldos

Dieta patjetër se është kruciale për secilin atlet – por, ndryshe nga futbollistët tjerë, për Ronaldon nuk ka “cheat day” (ditë ku ai e lejon veten të hajë çfarë të dëshirojë dhe të mos i përmbahet regjimit).

“AS” thotë se Ronaldo jo vetëm se është i kujdesshëm me atë se çfarë hanë dhe sa shumë hanë, por është edhe tejet strikt në aspektin se si e ndan ditën mes ushtrimeve, pushimit dhe relaksimit.

Ai i ka gjashtë shujta në ditë, e të gjitha janë të bazuara në një dietë me proteina dhe karbohidrate.

Ushqimet e tij kryesore janë pasta dhe pula, por fituesi i pesëfishtë i Ballon d’Or i gatuan këto pa vaj dhe pa kripë.

Sa i përket lëngjeve, Ronaldo konsumon vetëm ujë, përveç në shujtën e mëngjesit që konsumon lëng portokalli ose ananasi.

Regjimi ushtrimor i Ronaldos

Sa i përket stërvitjeve, Ronaldo e ndjekë programin e tij specifik. Kjo përfshin pesë sesione në javë në palestër, plus pilate dhe not.

“AS” shton se trajnerët personalë të Ronaldos janë të detyruar të intervenojnë për ta parandaluar atë ta teprojë me ushtrime, pasi që ai ka dëshirë tejet të madhe për të qëndruar në formë.

Megjithatë, është shumë e vështirë që trajnerët personalë ta dinë se ku duhet t’ia caktojnë limitin duke marrë parasysh potencialin fizik që Ronaldo e ka.

Shprehitë e gjumit

Gjumi është një prej gjërave më të rëndësishme për shëndetin e njeriut, e posaçërisht për atletët e mëdhenj.

Ronaldo synon t’i bëjë tetë orë gjumë çdo natë, duke rënë në gjumë dhe duke u zgjuar në të njëjtën kohë secilën ditë.

Kjo normalisht se nuk është gjithmonë e mundur, por tetë orë janë synimi i tij i përnatshëm.

Ronaldo gjithashtu preferon të bëjë një sy gjumë pas shujtës së katërt sepse siestat janë dëshmuar që sjellin përfitime shëndetësore dhe janë të zakonshme përgjatë Evropës Jugore dhe Mesdhetare.

Vullneti është esencial

Dhe, mbi të gjitha – dhe që e gjithë kjo të funksionojë – padyshim se duhet të keni vullnet të pabesueshëm.

Ronaldo e ka këtë vullnet dhe rrallëherë kjo vërehet te profesionistët tjerë të çfarëdo sporti. /Telegrafi/