Presidenti Sejdiu pohoi se KFOR-i është një faktor shumë i rëndësishëm i paqes, stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin. Me këtë rast, ai e vlerësoi lart punën e suksesshme të gjeneralit Gay si komandant i KFOR-it.

Ndërsa, gjeneralit Bentler presidenti i shprehu urimet më të mira për besimin e dhënë që të komandojë forcat e paqes në Kosovë, duke i garantuar përkushtimin e plotë të institucioneve të vendit për bashkëpunim të mëtejshëm, njofton Qendra për Informim e Kosovës.

Ndërkaq, gjenerali Gay tha se KFOR-i i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të siguruar një ambient paqësor, të qetë dhe të sigurt në Kosovë edhe pas reduktimit të trupave në terren. Ai shfaqi besimin e plotë se pasardhësi i tij në këtë detyrë, gjenerali Bentler do ta drejtojë me sukses KFOR-in në procesin e tranzicionit, përkatësisht të reduktimit numerik të kësaj trupe shumëkombëshe.

Nga ana e tij, gjenerali Bentler e quajti një mirënjohje dhe nder të veçantë besimin që i është dhënë për t'u prirë forcave të KFOR-it, të cilat, siç tha ai, pavarësisht numrit, janë dhe do të jenë në gjendje në çdo kohë të sigurojnë paqen për të gjithë në Kosovë.