LAJMI I FUNDIT:

Sefaj raporton rreth aplikimit në Interpol

Sefaj raporton rreth aplikimit në Interpol

Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj do të jetë sërish sot para deputetëve.

Kësaj radhe ministri Sefaj nuk do të ketë pyetje lidhur me Inspektoratin Policor por do t’u përgjigjet anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit lidhur me aplikimin e  Kosovës në Interpol.


Sefaj javën e kaluar ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Siguri në lidhje me ngjarjet në IPK, por raportimi është bërë me dyer të mbyllura.

Dy vite pas shpalljes së pavarësisë, në vitin 2010, Kosova nisi procesin e anëtarësimin në asamblenë e përgjithshme të mekanizmit më të madh policor në botë- INTERPOL.

INTERPOL pati kërkuar nga Kosova plotësimin e një pyetësori por që komunikimi i ishte ndërprerë. Në muajin prill të vitit 2015 ishte bërë kërkesa e dytë e institucioneve kosovare për anëtarësimin në INTERPOL.

Aplikacioni ishte nënshkruar nga ish- kryeministri Isa Mustafa ndërsa përcjellja e këtij aplikacioni ishte dorëzuar nga misioni i UNMIK-ut.

Krerët e Policisë së Kosovës, patën synuar që viti 2015 të jetë ai vit që Kosova të kishte përmbushur të gjitha kriteret për tu anëtarësuar në INTERPOL.

Pas kësaj, shtatori i vitit 2017 ishte muaji ku do të vendosej se a do të jetë Kosova në INTERPOL apo jo.

Aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale së bashku me shtete si Ishujt Solomon dhe Palestina pati pasur rrezik për dështim në anëtarësim.

Sipas Kushtetutës së INTERPOL-it shtetet që aplikojnë për t’u bërë anëtarë duhet të marrin dy të tretat e votave të shteteve anëtare.

Më 21 shtator, 5 ditë para se të vendosjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati dalë me një deklaratë ku thoshte se Kosova nuk i ka votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar dhe pati marrë vendim që të shtyhej votimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL deri në takimin e ardhshëm të kësaj organizate.

Kështu, Kosova prapë dështoi që të anëtarësohej në këtë organizatë. /Telegrafi/