LAJMI I FUNDIT:

Samsung do t’ju ndihmojë të ktheni telefonin tuaj të vjetër Galaxy në një “sensor të zgjuar shtëpie”

Samsung do t’ju ndihmojë të ktheni telefonin tuaj të vjetër Galaxy në një “sensor të zgjuar shtëpie”

Samsung ka nisur një program beta për të ndihmuar në vendosjen e disa telefonave më të vjetër Galaxy në përdorime të reja.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pronarët e disa telefonave mund të shkarkojnë një azhurnim për ta kthyer pajisjen në një “sensor të zgjuar shtëpie” me disa funksione të rregullta.

Përmes kësaj, ai mund të zbulojë zërin e një foshnjeje që qan ose të ndezë një llambë kur të jetë errët.

Programi është i kufizuar në disa modele të lansuara në vitin 2018 ose më vonë, i cili është mjaft i kufizuar, por është një ofertë e këndshme, e arritshme që mund të ndihmojë përdoruesit të shfrytëzojnë pak më shumë nga pajisjet e tyre të vjetra.

Duke e shpallur në CES në fillim të këtij viti, kompania po fillon programin në SHBA, Mbretëri të Bashkuar dhe Kore të Jugut.

Duke shkarkuar një azhurnim të softuerit përmes aplikacionit SmartThings, përdoruesit mund të kenë dy funksione themelore.

E para është një sensor audio që zbulon tingullin e një bebeje që qan, lehje kafshësh shtëpie ose mjaullimë, apo një trokitje në derë.

Kur zbulon njërën nga këto, ai i dërgon një alarm telefonit tuaj me një regjistrim të zërit.

Funksioni tjetër është një sensor i nivelit të dritës që mund të ndezë një dritë të lidhur automatikisht kur nivelet e ndriçimit në një dhomë bien nën një prag të caktuar.

Samsung thotë se azhurnimi përfshin optimizimin e baterisë, të nevojshme për të mbajtur telefonin të mundësuar dhe funksionuar si një sensor për periudha të gjata kohore, megjithëse kompania nuk specifikon se sa kohë do të ishte në gjendje të funksiononte me “një të mbushur”.

Për fund bëhet e ditur se telefonat Galaxy S, Note dhe seritë Z të lansuara nga viti 2018 e tutje janë të kualifikuar, me kusht që të ekzekutojnë Android 9 ose më të ri. /Telegrafi/