LAJMI I FUNDIT:

Samiti i fundit i BE, pandemia, buxheti dhe rimëkëmbja ekonomike

Samiti i fundit i BE, pandemia, buxheti dhe rimëkëmbja ekonomike

Samiti i Bashkimit Evropian, i këtyre ditëve të fundit, i zhvilloi punimet në kushtet e zhvillimeve kulmore të pandemisë së Covidit-19, te qartësimit (në këtë prag fundviti) të situatës (recensionit) ekonomik global të ndikuar prej kësaj pandemie dhe fillimit të ringritjes ekonomike.

Edhe pse miratimi dhe fillimi i zbatimit të vaksinimit të popullsisë shënon fillimin e fundit të kësaj pandemie), duhet kohë dhe shumë punë që ajo të shuhet. Ndërkaq, ekonomia botërore është në procesin e nxjerrjes së vetvetes nga “humnera”, në të cilën u zhyt gjatë izolimit të prillit (fillimit të pandemisë). Sipas FMN-së, në raportin e tij të fundit mbi perspektivën e ekonomisë botërore, e cila, bazuar në të dhëna në fund të tetorit 2020, ka një rishikim në rënie (4.4 për qind në fund të vitit 2020) krahasuar me parashikimet e tij të qershorit, të cilat ishin më pesimiste (një recesion prej 4.9 për qind). Ky rishikim më pozitiv shpjegohet me shifrat e PBB-së në tremujorin e dytë, të cilat janë më të mira se sa pritej, veçanërisht në vendet e zhvilluara, ku aktiviteti ka filluar të rimëkëmbet më herët sesa pritej, pas lehtësimit në maj dhe masat e kontrollit të qershorit. Për vitin 2021, FMN parashikon një rritje globale prej 5.2 për qind, pak më e ulët sesa në azhurnimin e qershorit 2020, për shkak të rënies më të moderuar që pritet për vitin 2020. Me këtë nivel të rritjes, bota do të arrijë nivelin e pasurisë së vitit 2019, me një përmirësim të vogël prej 0.6 për qind krahasuar me vitin para koronavirusit.


Edhe Brukseli për vitin 2020 parashikon një recesion prej 7.8 për qind për zonën e euros, përkeqësuar krahasuar me parashikimin e pranverës prej -7.7 për qind. Kjo është pak më pak sesa ajo që BQE njoftoi në korrik të këtij viti (-8 për qind). Efektet e rënies së PBB-së në shumicën e vendeve që priten në tremujorin e katërt paraqiten të kufizuara në parashikimin e përgjithshëm të vitit. Nga ana tjetër, mungesa e tejkalimit të rritjes dhe vazhdimi i pandemisë do të pengojnë vrullin e rimëkëmbjes për vitin e ardhshëm. Komisioni Evropian parashikon rritje prej 4.2 për qind në 2021 për zonën e euros, kundrejt 6.3 për qind që pritet para verës. Për vitin 2022, ai pret një rritje prej 3 për qind. Papunësia në zonën e euros do të vazhdojë të rritet, nga 8.3 për qind këtë vit në 9.4 për qind në 2021, përpara se të bjerë në 2022. Shtetet anëtare do të duhet të menaxhojnë deficitet rekord dhe borxhin. Borxhi mesatar do të shkojë nga 86 për qind e PBB-së këtë vit, në më shumë se 100 për qind vitin e ardhshëm dhe më pas do të vazhdojë të rritet. Disa vende do të arrijnë pragje shumë të larta në vitin 2020: 207 për qind për Greqinë, 135 për qind për Portugalinë, 120 për qind për Spanjën dhe 115 për qind për Francën.

Për t’iu kundërvënë këtyre efekteve të krizës, të cilat duket se janë të qëndrueshme, FMN duket se ka thyer të gjitha dogmat neoliberale të së kaluarës. Prandaj, ajo rekomandon që qeveritë të vazhdojnë të mbështesin ekonominë, kërkesën dhe ofertën, edhe nëse kjo rrezikon përkeqësimin e deficiteve dhe niveleve të borxhit. Një ligjërim mjaft i ri për institucionin Bretton Ëoods. FMN, madje, sugjeron pezullimin e rregullave fiskale gjatë kësaj periudhe të vështirë. FMN rekomandon që në vendet ku rregullat buxhetore pengojnë veprimin, pezullimi i tyre i përkohshëm do të justifikohet, së bashku me një angazhim për të ndjekur një rrugë të konsolidimit gradual, pasi të ketë kaluar kriza në mënyrë që të rivendosë pajtueshmërinë në një periudhë afatmesme.

Do të ishte e mundur të lirohej hapësira për nevojat e menjëhershme të shpenzimeve, duke u dhënë përparësi masave për të luftuar krizën dhe duke ulur subvencionet e synuara dobët dhe shpërdorues. Zgjatja e afateve të maturimit të borxhit publik dhe sigurimi i normave të ulëta të interesit sa më shumë që të jetë e mundur, do të ndihmonte në uljen e borxhit dhe lirimin e burimeve për t’u rialokuar në përpjekjet për zbutjen e krizës. Ndërsa është e vështirë të miratohen masa të reja për mbledhjen e të ardhurave gjatë krizës, qeveritë mund të duhet të marrin në konsideratë rritjen e taksave progresive për ata që janë më mirë dhe ata që janë relativisht më pak të prekur nga kriza (përfshirë ngritjen e niveleve të taksave të të ardhurave të sipërme, pasuri të patundshme luksoze, fitime kapitale dhe pasuri), si dhe rregullimin e taksimit të korporatave për të siguruar që bizneset të paguajnë një prim, rekomandon FMN, e cila gjithashtu bën arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale si tri përparësitë e momentit në investimet publike. Më parë BE, me fillimin e kësaj pandemie dhe të recensionit ekonomik, rekomandoi, për herë të parë, pas gati 50-60-viteve, tejkalimin e rregullave të “kritereve të konvergjencës” (borxhin e deficitit buxhetor) dhe ka lajmëruar që në 6-mujorin e parë të vitit 2021, do të ndryshojë “Librin e rregullave fiskale”. Kjo flet shumë për një “Arkitekturë të re financiare”.

Edhe BE dhe institucionet e saj kanë intensifikuar punën për përballjen e këtyre sfidave. Kjo u duk edhe në samitin e ditëve të fundit. Samit ky që dhe një herë paraqiti të gjitha karakteristikat, me të cilat jemi mësuar gjatë viteve të fundit. Ashtu siç ka ndodhur edhe në samite të tjera, i kishim të gjitha vendet që kundërshtonin miratimin e një deklarate të përbashkët për çështje thelbësore dhe kërcënonin me përdorimin e vetos, vende të cilat luajtën rolin e ekuilibruesit, vende që kishin agjenda të veçanta që u përpoqën të çonin përpara. Bashkimi Evropian që nga themelimi i tij e deri më sot ka shkuar përpara në këtë mënyrë, duke negociuar interesat e vendeve anëtare dhe duke u përpjekur të vendosë në plan të parë interesat e Unionit. Duket sikur kjo rrugë është edhe rruga e vetme për të ecur përpara nëse marrim në konsideratë shumëllojshmërinë e interesave ekonomike dhe gjeopolitike që karakterizojnë vendet anëtare të këtij organizmi kompleks institucional, që është Bashkimi Evropian. Pesë ishin çështjet më të rëndësishme që u diskutuan gjerësisht në këtë Samit: 1.Çështja e dakordësimit mbi buxhetin e Bashkimit Evropian dhe paketën e rimëkëmbjes; 2.çështja e situatës së pandemisë dhe procesit të pritshëm të vaksinimit të popullsisë 3. çështja e ndryshimeve klimaterike; 4. çështja e sigurisë si dhe 5. marrëdhëniet e jashtme të Bashkimit Evropian. Nga këto pesë çështje të rëndësishme vetëm dy morën një përgjigje konkrete, kurse tri të tjerat u diskutuan.

Më konkretisht, çështja më urgjente dhe më e rëndësishme e Samitit ishte pa diskutim çështja e arritjes së një dakordësie mbi buxhetin e Bashkimit Evropian dhe paketën e rimëkëmbjes. Polonia dhe Hungaria gjatë javëve të fundit kishin kërcënuar me përdorimin e vetos nëse sipas marrëveshjes së arritur në Samitin e korrikut të kaluar paketa e rimëkëmbjes do të lidhej me çështjet e shtetit të së drejtës. Diferencat u dukën, në fakt, që në Samitin pesëditor të korrikut. Po çfarë përmban paketa e rimëkëmbjes?

Fondi i Rimëkëmbjes do të përbëhet nga 390 miliardë euro grante dhe 360 miliardë euro kredi, me një shumë të përgjithshme prej 750 miliardë eurosh. Kjo shumë do të vihet në dispozicion të vendeve anëtare për 3 vitet e ardhshme. Sigurisht që raporti ndërmjet kredive dhe granteve është i ndryshëm nga propozimi fillestar i pranverës, i cili parashikonte një raport prej 500 miliardësh euro në grante dhe 250 në kredi, por sigurisht që është më i lartë se propozimi i grupit të vendeve skeptike si Holanda, Suedia, Danimarka dhe Austria, të cilat pretendonin që shuma e granteve të ishte më e vogël. Mënyra se si u vendos ky raport, pra, raporti ndërmjet shumës së granteve dhe të kredive, pasqyron në njëfarë mase edhe ekuilibrin (e brishtë) të siguruar gjatë pesë ditëve të negociatave të korrikut. Këto fonde do të sigurohen nëpërmjet kreditimit të BE-së, gjë që ka një rëndësi historike sepse është hera e parë që praktikisht ky proces kreditimi bëhet në nivel evropian dhe jo në nivel të vendeve anëtare. Ky fond do të jetë 3-vjeçar me pagesa deri në vitin 2026. Mekanizmi kryesor i tij është Programi Recovery and Resilience Facility (RRF), i cili përbën rreth 90 për qind të fondit (672.5 miliardë euro, nga të cilat 360 grante dhe 312.5 kredi).

Marrëveshja për paketën e rimëkëmbjes si dhe për buxhetin e periudhës 2021-2027 u arrit duke bërë disa hapa pas në lidhje me të ashtuquajturin Mekanizëm të Shtetit të së Drejtës dhe duke vendosur disa komponentë të tjerë, siç është vendimi i Gjykatës Evropiane në mënyrë që të merren masa ndaj shteteve, të cilat devijojnë nga parimet e shtetit të së drejtës. (Pjesë e debateve me Hungarinë dhe Poloninë).

Çështja e dytë, e cila duket se mori përgjigje gjatë këtij samiti, ishte çështja e ndryshimeve klimaterike. Kështu, Këshilli Evropian miratoi një objektiv të detyrueshëm të BE-së për një reduktim të brendshëm neto prej të paktën 55 për qind të emetimeve të gazeve serrë deri në vitin 2030, krahasuar me 1990. BE synon që nëpërmjet politikave klimaterike të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike, të krijojë vende pune, të ofrojë përfitime shëndetësore dhe mjedisore për qytetarët e BE-së dhe të kontribuojë në konkurrencën globale afatgjatë të ekonomisë së BE-së duke promovuar inovacionin e gjelbër.

Çështja e trete, e cila u diskutua gjatë këtij samiti, ishte ajo e pandemisë Covid-19. U përshëndetën njoftimet pozitive të fundit mbi vaksinat Covid-19 dhe përfundimin e marrëveshjeve të përbashkëta të blerjes paraprake nga Komisioni. Sidoqoftë, u theksua se situata epidemiologjike në Evropë mbetet shqetësuese. U bënë thirrje që përpjekjet për të përballur përhapjen e virusit të vazhdojnë, për të parandaluar valët e mëtejshme të infeksioneve. U ra dakord të përmirësohet shkëmbimi i përvojave dhe planeve për të ardhmen dhe të bëhen përgatitje për një heqje graduale të kufizimeve dhe një kthim në normalitet në lidhje me udhëtimet, kur situata ta lejojë.

Në lidhje me çështjen e sigurisë në konkluzionet e samitit u dënuan sulmet e fundit terroriste në të gjithë Evropën dhe u riafirmua uniteti në luftën kundër radikalizimit, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. U nënvizua rëndësia e luftimit të nxitjes së urrejtjes, dhunës dhe intolerancës dhe u mirëprit deklarata e fundit e Këshillit mbi luftën kundër antisemitizmit.

Çështja tjetër e rëndësishme që u diskutua ishte edhe situata në Mesdheun Lindor dhe rritja e retorikës si dhe e veprimeve unilaterale të Turqisë ndaj Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe liderëve evropianë. Në konkluzionet e samitit u vërejt me shqetësim vazhdimi i provokimeve turke ndaj Qipros dhe Greqisë. Sidoqoftë, në një përpjekje të fundit për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, Samiti nuk mori vendim për sanksione ndaj Turqisë, por e la çështjen e hapur për në mars të vitit të ardhshëm. Këto çështje që u diskutuan gjatë dy ditëve të këtij Samiti, dëshmuan se Bashkimi Evropian edhe këtë herë gjendet në një periudhë sfidash të mëdha për të ardhmen, të cilat mund te përballohen bashkërisht.