Rusia ka vijuar sulmet ndaj Ukrainës, pavarësisht armëpushimit të shpallur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në prag të vizitës së përfaqësuesve të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Gjatë natës, forcat ruse lëshuan raketa balistike dhe 167 dronë drejt objektivave në Ukrainë. Sulmet shkaktuan viktima në rajonin e Dnipropetrovskut, ku humbën jetën pesë persona.


Sulme janë raportuar edhe në Zaporizhzhia, ku forcat ruse goditën një parking me kamionë. Ndërkohë, një dron u rrëzua mbi një ndërtesë shumëkatëshe në qytetin e Boryspilit.

Zelensky kishte deklaruar më herët se Forcat e Armatosura të Ukrainës nuk do të kryenin sulme ndaj Rusisë gjatë vizitës së përfaqësuesve të Trumpit.

Lideri ukrainas i bëri thirrje Moskës që të ndërmerrte të njëjtën masë dhe të respektonte një pauzë në luftime.

Megjithatë, sulmet gjatë natës tregojnë se armëpushimi nuk është respektuar nga pala ruse, duke shtuar pasigurinë rreth përpjekjeve të reja diplomatike për t'i dhënë fund luftës.

Vizita e Witkoff dhe Kushner në Moskë shihet si pjesë e përpjekjeve të administratës amerikane për të çuar përpara një propozim për përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. /Telegrafi/