LAJMI I FUNDIT:

Rugova fton qytetarët të votojnë

Rugova fton qytetarët të votojnë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Fitorja, kanë votuar për të treten herë me radhë në Gjimnazin “Haxhi Zeka”, në zgjedhjet për kryetar të Istogut.

Rugova, pasi votoi, tha se do të ishte i lumtur që ky proces të përfundojë mirë dhe të mos përsëriten ngjarjet të cilat e kanë përcjell këtë komunë në këto zgjedhje.

“Unë pres një votim të mirë,  ashtu siç dinë qytetarët e Istogut dhe të shkojë  kjo ditë si është më së miri dhe të respektohet vullneti i votuesve. Kjo është tepër e rëndësishme për demokracinë, por dhe për komunën tonë. Pak  me keqardhje i ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë në këto votime. E di që është e mundimshme hera e tretë. Por unë besoj që qytetarët do ta japin verdiktin e vet, do ta japin vullnetin e vet do ta japin votën e vet,  ashtu qysh duhet. Këtë e pres prej qytetarëve. Më i lumtur do të jem që ky proces të përfundoj mirë e jo të përsëriten ngjarjet e votimit të dytë.

Rugova tha se do ta pranojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, nëse procesi shkon krejtësisht në rregull.

“Nëse procesi shkon krejtësisht në rregull, natyrisht se do të pranohet  rezultati pa dilema”, tha ai.

Ndërsa thotë se e di që qytetarët e kësaj komune janë lodhur me votime, por se duhet t’i shkohet këtij procesi deri në fund.

“Unë e di që janë lodh.  Është e saktë që janë lodh. Mirëpo unë besoj  që do të dalin. Jam i bindur se do të dalin. Dhe unë shpeshherë kam thanë, nëse janë të detyruar të dalin tri herë në zgjedhje, atëherë janë të gatshëm të dalim dhe katër herë e pesë herë dhe të shkojmë deri në fund të procesit. Do të përfundojë procesi gjithsesi”, tha Rugova.

Ndërsa i pyetur rreth bartjes së votuesve nga partitë tjera,  ai tha se ata mund t’i bartin votuesit deri tek qendra, por pa ndonjë imponim.

“Unë nuk e di kush janë. Nuk e kam këtë informatë. Ka mundësi që barten. Ka raste që edhe ajo parti edhe tjetra,  mund t’i bartin njerëzit për shkak të pamundësisë,  për të shkuar në qendra të votimit, pa ndonjë imponim unë besoj”, tha ai./Telegrafi/