LAJMI I FUNDIT:

Ruçi-Xhaferi: Shqipëria e Maqedonia ndajnë interesa të përbashkëta në shumë sfera

Ruçi-Xhaferi: Shqipëria e Maqedonia ndajnë interesa të përbashkëta në shumë sfera

Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, Delegacioni i udhëhequr nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Duke i uruar mirëseardhje homologut të vet, Kryetari Xhaferi tha se për të paraqet “nder të veçantë të realizojë takim me vendin mik të Shqipërisë, me të cilën kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe multilaterale”.


Xhaferi përshëndeti mbështetjen që Republika e Shqipërisë si anëtare e NATO-s ia jep Republikës së Maqedonisë dhe shpreson se kjo mbështetje do të vazhdojë me intensitet të rritur veçanërisht në muajt e ardhshëm kur pritet finalizimi i integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë me anëtarësimi i saj i plotfuqishëm në NATO.

Në lidhje me proceset eurointegruese të të dyja vendeve, të dy kryetarët theksuan se nevojitet mbështetje e vazhdueshme reciproke, sepse ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është hyrja në familjen e madhe evropiane të të gjitha vendeve kandidate të këtij rajoni.

Të dy bashkëbiseduesit biseduan për ngjarjet aktuale në të dyja parlamentet, si dhe për aktivitetet e parapara parlamentare në periudhën e ardhshme dhe bashkërisht konstatuan se të dyja parlamentet duhet ta përforcojnë bashkëpunimin në nivel të grupeve për bashkëpunim, komisioneve dhe në nivel administrativ.

Kryetari Ruçi theksoi se u kushtohet vëmendje e veçantë pakicave që jetojnë në Shqipëri, ndërsa për të shembull i mirë është pakica maqedonase në Pustec. Gjithashtu, Kryetari Ruçi theks të veçantë vë në sfidat e mëdha që Republika e Maqedonisë i tejkaloi me sukses siç është referendumi, Ligji për gjuhët, Marrëveshja me Greqinë, të cilat janë shembull dhe udhërrëfyes për një vend i cili di të tregojë se është i gatshëm për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit u theksua se të dyja vendet fqinje ndajnë interesa të përbashkëta në shumë sfera, dhe në këtë drejtim me rëndësi të madhe për projektet ekonomike, infrastrukturore dhe energjetike, siç është ndërtimi i rrugës Qafë Thanë – Elbasan si pjesë e Korridorit 8, autostrada Elbasan – Dibër, si dhe vija hekurudhore ndërmjet të dyja vendeve, projekte të cilat janë në fazën përfundimtare.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo vizitë zyrtare është vazhdim i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në nivel parlamentar, me ç’rast i inkurajuan grupet parlamentare për bashkëpunim të të dyja parlamenteve që t’i intensifikojnë marrëdhëniet./Telegrafi/