Një Komision Anketues do ta shqyrtojë incidentin me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoillkoviq, i cili ndodhi në ditën e rikonstruimit të Qeverisë dhe emërimit të tij në funksionin e ri. Iniciativa është e grupit parlamentar të BDI-së dhe sot është dorëzuar në Kuvend, ku thuhet se Komisioni Hetimor do të ketë mandat të shqyrtojë kronologjinë e ngjarjes dhe sjelljen e të gjitha personave të përfshirë

Një çështje veçanërisht e rëndësishme është edhe refuzimi për të mundësuar qasje në incizimet nga sistemi zyrtar i videokamerave të Kuvendit. Duke pasur parasysh se incidenti ka ndodhur gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe përfshin funksionarë shtetërorë, ekziston interes i qartë publik që të gjitha dëshmitë relevante të jenë objekt i verifikimit institucional, thuhet në iniciativë


“Zoti Gashi ishte aty në Kuvend kur ndodhi ai incident, nga ana e një ministri me emrin Stoillkoviq. Sigurisht që do të kërkojmë një Komision Hetimor, sepse incidenti nuk është i vogël. Kjo është një fyerje ndaj deputetëve që kanë mandat nga qytetarët dhe për këtë arsye do të insistojmë që ky rast të zbardhet sa më shpejt, që të mos përsëritet edhe një herë”, tha Bekim Rexhepi nga BDI.
Stoillkoviq, ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse gjatë incidentit e ka ofenduar edhe deputeten Arbana Pasholli, tha se të gjitha këto janë gjëra të shpikura

“Nuk keni çfarë të përgjigjeni ndaj fantazmagorive, thjesht dhe qartë. Për gjëra të shpikura, çfarë përgjigje mund të jepni? Dikush mund të shpikë se nuk e di çfarë kam bërë, ashtu siç unë mund të them se ajo më ka ofenduar mua. Nuk është aspak e vërtetë. Pra, unë as nuk kam biseduar me të, as nuk kam pasur ndonjë kontakt fizik dhe asgjë tjetër, dhe tani si të mohoj diçka që fare nuk ka ndodhur. Nuk kam ide”, u shpreh Ivan Stoillkoviq – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Për formimin e Komisionit Hetimor u rreshtua edhe opozitarja LSDM. Përveç kësaj, kryetari i partisë, Venko Filipçe, në një takim me gazetarët theksoi se për ofendimet, kërcënimet dhe sjelljen e dhunshme të Stoillkoviqit do të paraqesin interpelancë.
“Ekziston iniciativa për Komision Anketues për Ivan Stoillkoviqin për atë që ndodhi gjatë rikonstruimit të Qeverisë. Ne jemi këtu të nënshkruar me qëllim që vetëm të sigurohet numri i mjaftueshëm i nënshkrimeve që të pranohet. Ne do të paraqesim interpelancë për Stoillkoviqin sapo Kuvendi të fillojë punën në shtator”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Nga LSDM-ja kërkuan që kryetari i Kuvendit Gashi t’i dorëzojë incizimet e incidentit që ka ndodhur në korridor, pikërisht para dyerve të sallës së Kuvendit. Por Gashi, dje u tha gazetarëve se incizimet brenda sallës së Kuvendit janë të disponueshme, ndërsa ato jashtë sallës nuk mund t’i japë për shkak të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.