Këshilli Ekonomik Social zhvilloi një takim javën e kaluar në përpjekje për të arritur marrëveshje me qeverinë lidhur me pagën minimale. Por propozimi i qeverisë për një pagë minimale prej 264 eurosh nuk mori votat e këtij komisioni meqë nuk u mbështet nga përfaqësuesit e sindikatave në vend.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha përmes një postimi në rrjete sociale se “kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet” meqenëse, siç tha ai, “asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale”.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, Kosova aktualisht ka pagën më të ulët minimale në tërë Evropën. 130 euro është paga minimale për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi 35 vjeç.

Ndërkohë që inflacioni dhe rritja e vazhdueshme e çmimeve, posaçërisht pas agresionit rus në Ukrainë, kanë rënduar jetën e qytetarëve duke ulur fuqinë blerëse të tyre.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se duke pasur parasysh situatën social-ekonomike në vend, paga minimale duhet të jetë mbi 350 euro.

“Ne si Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës luftojmë për një pagë të arsyeshme, nuk po them pagë dinjitoze sepse ne i njohim mundësitë e Kosovës, por pagë të arsyeshme që njerëzit të kenë mundësi t’i kryejnë obligimet më elementare që i kanë”, tha zoti Hykolli.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se paga minimale duhet të përcaktohet në bazë të një analizë të thellë.

“Ka një rigatishmëri të qeverisë së vendit për të reflektuar mbi rritjen e pagës minimale, sidomos tani kur është ky presioni social dhe presioni i rritjes së kostove të jetesës, gjë që e arsyeton diskutimin për rritjen e pagës minimale. Ka propozime që hudhen në tavolinë por nuk përcaktohet paga minimale si listë dëshirave por nga një analizë e qartë”, thotë ai.

Marigonë Drevinja nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” thotë se qeveria duhet të tregojë se me çfarë metode ka përllogaritur pagën minimale.

“Qeveria duhet të na njoftojë për dy çështje me rëndësi, për mënyrën se si do të bëhet kalkulimi i pagës minimale sepse ajo nuk mund të bëhet vetëm si një premtim elektoral në bazë të një shume të caktuar, duhet të ekzistojnë mekanizma se si kjo llogariter, a do të llogaritet përmes pagës mesatare apo ndonjë formulë tjetër dhe e dyta për afatin kohor se kur do të ndodhë kjo”, thotë ajo.

Zoti Rukiqi tha se ka gatishmëri të punëdhënesve për të ngritur pagën minimale, megjithatë sipas tij kjo nuk pritet të ndikim të gjerë në mirëqenien e shoqërisë.

“Synimi i pagës minimale është të sigurojë kushte bazë për një individë i cili e ka një punë dhe mos të harrojmë që jo të gjithë kanë pagë minimale. Brenda të gjitha pagave në vend, ndoshta nuk e kalon 10 për qind të të punësuarve që punojnë me pagë minimale”, thotë ai.

Zoti Hykolli thotë se në fakt ngritja e pagës minimale mund të ulë numrin e të rinjve që dëshirojnë të ikin nga Kosova.

“Do të jetë kjo siç e thashë edhe në interes të partnerit tonë social – qeverisë, por edhe në interes të bizneseve që të ndalojmë ikjen e pjesës ndoshta më vitale të Kosovës, moshave të cilat janë shumë të pranueshme për punë”, thotë ai.

Zonja Drevinja thotë se kjo nismë është e mirëseardhur por e vonuar.

“Vendet e rajonit tashmë kanë mekanizma nëpërmjet të cilëve e bëjnë matjen e pagës minimale në baza vjetore apo në baza tre ose pesë vjeçare dhe kjo pagë është përgjithësisht më e madhe sesa e Kosovës”, thotë ajo.

Në Kosovë paga minimale nuk është negociuar që nga vitit 2011, sipas njohësve të kësaj fushe kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndërrimit të shpeshtë të qeverive në vend.

Paga minimale në shtetet e rajonit sillet nga 250 deri në 400 euro./VoA