LAJMI I FUNDIT:

Rritet inflacioni në Britani

Rritet inflacioni në Britani

Inflacioni në Britani është rritur për muajin Korrik dhe priten presione të mëtejshme të çmimeve, ndërkohë që paundi i dobët ka sjellë rritjen më të madhe në katër vite në kostot e importeve.

Çmimet e konsumit u rritën me 0.6% nga 0.5% që ishin në Qershor, tregon Zyra Kombëtare e Statistikave në Londër. Ekonomistët prisnin që norma të qëndrontë në 0.5%. Pas sondazheve të bëra javë më parë, shifrat për inflacionin tregojnë të dhënat e para konkrete mbi ekonominë, pas daljes nga Europa.


Ndërsa ndikimi i plotë ekonomik i Brexit do të dojë kohë që të shihet, shifrat e kësaj jave mbi tregun e punës, shitjet me pakicë dhe financat publike do të ofrojnë të dhëna mjaftueshëm.

Ekspertët e Zyrës së Statistikave thonë se ndërsa nuk ka një ndikim të dukshëm ende në inflcionin bazë, çmimet e prodhimit tregojnë se rënia e valutës po fillon të shtojë çmimet e importeve.

Paundi ka rënë me rreth 13% kundrejt dollarit që prej referendumit më 23 Qershor. Për rrjedhojë, Banka e Anglisë pret që inflacioni të arrijë 2% më shpejtë se sa pritej më parë. Pas të dhënave për nivelin e çmimeve, paundi u rrit me 0.8% në 1.2977 kundrejt dollarit. /Telegrafi/