LAJMI I FUNDIT:

Rriten çmimet e konsumit

Rriten çmimet e konsumit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin nëntor të vitit 2016.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.1% në muajin nëntor 2016, krahasuar me muajin tetor 2016. Ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: sheqeri dhe ëmbëlsirat (2.4%); duhani (1.3%); kafja, çaji dhe kakao (1.4%); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2% në IHÇK:, njofton ASK.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupi i pemëve për (-5.8%) me një ndikim prej (-0.1%) në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor 2016 me muajin nëntor 2015 ishte 0.9%, shkruan Telegrafi.

“Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.9% në muajin nëntor 2016, krahasuar me muajin nëntor 2015 në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: mish (1.3%); qumësht, djathë dhe vezë (2.1%); sheqer dhe ëmbëlsira (9.3%); kafe, çaj dhe kakao (1.4%); duhan (6.4%); veshje (3.1%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (1.2%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (1.2%); shërbime për transport (7.5%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2% në IHÇK”, thekson raporti për çmimet i ASK-së.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-3.7%); perime (-5.0%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3%) në IHÇK. /Telegrafi/