LAJMI I FUNDIT:

Rreth Thaçit po zhvillohen ngjarje të mëdha

Rreth Thaçit po zhvillohen ngjarje të mëdha

Është hera e tretë që po shkruaj rreth fenomenit Dick Marty, për ta ritheksuar se ai nuk është vetëm një Dick e as raporti i tij vetëm raport, e nga ana tjetër, as caku i tij, Hashim Thaçi, nuk është vetëm kryeministër e as misioni i tij vetëm i ngushtë politik.

Memoria nacionale e shqiptarëve mban në kujtesë emra të vrazhdë që kanë udhëhequr politika e shtete, të cilat me efektet e tyre janë munduar ta zhbijnë qenien shqiptare. Kujtojmë këtu Bizmarkun dhe prodhimin antishqiptar të Kongresit të Berlinit; pastaj Nikolla Pashiqin, i cili në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kishte thënë se, edhe nëse Serbia s’ka më forcë ta ndalë krijimin e shtetit shqiptar, ajo duhet të punojë që ky shtet të jetë sa më i vogël, sa më i varfër, ndërsa shqiptarët të jenë të shkapërderdhur në sa më shumë shtete; Aleksandër Rankoviqi, i cili zbatoi vazhdimësinë e idesë shtetërore serbe për deshqiptarizimin e trojeve shqiptare të okupuara në ish Jugosllavi; deri te Sllobodan Millosheviq, kasapi i Ballkanit, i sëmuri për gjak, i cili, meqë nuk pati mundësi të vriste më shumë, në fund vrau veten!


Në kujtesën e shqiptarëve ka edhe të mirë. George Bushi plak, i cili, dikur, nga foltorja e Kombeve të Bashkuara, së shpalluri Rendin e Ri Botëror, e bëri të qartë edhe faktorizimin e ardhshëm të shqiptarëve. Pastaj, George Bushi i riu, i cili nga Tirana përgëzoi kombin për pavarësinë e Kosovës para se Hashim Thaçi ta shpallte në Prishtinë; Bill Klinton, presidenti amerikan i cili pengoi përmasat katastrofike gjenocidialiste serbe në synim, ndaj shqiptarëve, duke mos harruar edhe Joe Biden, Tony Blair e shumë të tjerë.

Sot, para nesh kemi edhe dy emra, që, siç po shihet, për një kohë të gjatë do t’i përmend historia. I pari vjen nga provinca e Luganos në Zvicër, e njohur për antiamerikanizmin e saj, ndërsa i dyti vjen nga Drenica, e cila, falë edhe amerikanëve, mbijetoi golgotën serbe. I pari po vazhdon misionin e Sllobodan Millosheviqit, i cili për veten mendonte se është Mesihu i Ballkanit, ndërsa për Amerikën thoshte se është antikrishti; i dyti luftoi që të ndalë turrin e hordhive të këtij “Mesihu”. I pari është shtetas i vendit të krekosur në Evropën moderne, ndërsa i dyti, qytetar i civilizimit më të vjetër në Evropë.

Nga ana tjetër, rendi i ri botëror i ndërlidhur ngushtë me idenë globaliste, edhe në Evropë ka kundërshtarë të mëdhenj. Në këtë Evropë jetojnë shqiptarët, të cilët për dallim nga shumë evropianë, për shkaqe të kuptueshme historike, janë më pro amerikanë. Nëse në Evropë sot Amerika po sulmohet nëpërmes shqiptarëve, Amerika me shqiptarët në Evropë ndjehet më stabile. Sikur që amerikanët nuk po ndjehen mirë për shkak të raportit të një prokurori zviceran, edhe shqiptarët po ndjehen keq për shkak se miqtë e tyre po atakohen për shkak të tyre. Në lidhje me ne, Uashingtoni në Evropë u atakua edhe për shkak të një raporti tjetër, të atij të ish-prokurores për krime lufte e OKB-së, Karla Del Ponte, e cila pat shkruar se përgjatë intervenimit të forcave të NATO-s në Kosovë, pjesëtarë të UÇK-së paskan rrëmbyer njerëz, i paskan vrarë dhe kurrë më nuk u fol për viktimat. Në verën e vitit 2008, atëherë kur Carla publikoi kujtimet e saj, thuhej se amerikanët paskan këshilluar mikun e tyre Hashim Thaçin që, në ditët në vijim, të jetë sa më i përmbajtur.

Qeveritarët tanë, posaçërisht ish komandantët e UÇK-së janë para një sprove të madhe. Nëse kundërshtarët e shtetit të Kosovës po presin që në vendin tonë të fillojë një gjueti shtrigash ndaj atyre që mund të kenë ndihmuar raportin e Dickit, Kosova, sikur asnjëherë më parë duhet të tregohet e pjekur. Nuk duhet të lejohet që UÇK-ja të shihet si një amalgamë rebelësh të kaluar e as forcë që ndjek njerëzit vetëm pse mendojnë ndryshe. Kryeministri i Kosovës, sigurisht ende kujton momentin kur u cilësua si Xhorxh Uashingtoni i Kosovës, në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Në këtë Shtëpi sot buron demokracia, dhe këtë demokraci, Hashim Thaçi duhet ta ketë alfë dhe omegë të pushtetit të tij.

Nga ana tjetër, kësaj radhe edhe opozita duhet të jetë konstruktive. Momenti është që të gjithë së bashku të ndërmarrin hapa për tejkalimin e kësaj sprove. Korrupsioni, parregullsitë në zgjedhje dhe mangësitë tjera, nuk duhet të ndërlidhem me kryeministrin e sulmuar padrejtësisht nga Dick Marty. Qeveria mund të kritikohet në forma tjera. Gjithashtu, lëvizjet qytetare-politike nuk duhet të ndërlidhin parregullsitë e përditshme me rolin historik të një ish komandanti të UÇK-së. Kësaj radhe, çështja paraqitet më komplekse dhe tejkalon çfarëdo konflikti partiak e politik brenda-kosovar.

Më herët, para se “Mesihu i Ballkanit” të vetëvritej në një nga birucat e burgut të Scheveningenit, Sllobodan Millosheviq po punonte, siç thoshte vetë, në spastrimin e Ballkanit nga mbetjet islame, dhe kështu, duke i shushuritur Evropës në vesh, lansonte rrenën se kinse vendi i tij, posi kala, po mbronte Evropën nga ekspansioni islamo-turk. Sot, kur Millosheviqi më nuk është i gjallë, misionin e tij, me vetëdije apo pa te, po e vazhdon Dick Marty. Ai po sulmon UÇK-në dhe mbarë kombin shqiptar. Nga ana tjetër, Hashim Thaçi, vizioni i të cilit triumfoi në Rambuje, i sulmuar padrejtësisht nga pansllavistët antiamerikanë, duke iu kundërvënë politikave të tilla me largpamësi e mençuri, do të mbrojë popullin shqiptar, luftën e tij për liri dhe gjithsesi vizionin amerikan demokratik të një rendi të ri botëror. Hashim Thaçi, në këtë moment, është më shumë se kryeministër i një vendi.

Kësaj radhe, ka shanse që gjërat të qartësohen më mirë. Bota do të mësoj se kush qe “Mesihu”, kush janë “apostujt” e tij dhe kush në realitet paska qenë antikrishti i vërtetë. Kësaj radhe gjithashtu, nëse Kosova dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë plotësisht rreth zbardhjes të vërtetës së Raportit, e që është vullnet edhe i Uashingtonit, atëherë amerikanët nëpërmes kujdesit të tyre që Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre të mos e keqpërdorin raportin e Këshillit të Evropës, Hashim Thaçit do t`i ndihmojnë në forcimin e rolit historik të tij, në mënyrë që epiteti i ngritur për të në përmasat e një Xhorxh Uashingtoni, të bëhet vërtetë një themel i një kulture demokratike shtetërore për Kosovën, ashtu si dhe riafirmimin e identitetit dhe kulturës shqiptare, si misionare e kultivimit të vlerave të emancipuara të qytetarisë.

Për politikën e sotme ndërkombëtare, Thaçi nuk është vetëm një lider i politik në Kosovë, por edhe një figurë e rëndësishme me të cilën po lidhen politikat ndërkombëtare. Ai është personazh në të cilin po mbërthehen edhe interesat diversive gjeopolitike dhe ndër-qytetërimore. Nëse Këshilli i Evropës është organizëm interferimesh të tri entiteteve të mëdha botërore si: BE-ja, Rusia dhe SHBA-të, atëherë, rreth Thaçit po zhvillohen ngjarje të mëdha.

Le të besojmë se kryeministri aktual, e ka kuptuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mision të kohës.

Në trend

Më shumë
Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq thotë se lobi i Knausit dhe britanikët po përpiqen të bëjnë

Anëtarësimi i Kosovës në KiE, Vuçiq thotë se lobi i Knausit dhe britanikët po përpiqen të bëjnë "një truk” tjetër

Politikë
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
“Lista e blerjeve sekrete” të Bayern Munichut – emrat e shtatë lojtarëve që mund t’i kushtojnë 323 milionë euro

“Lista e blerjeve sekrete” të Bayern Munichut – emrat e shtatë lojtarëve që mund t’i kushtojnë 323 milionë euro

Bundesliga
Liverpooli njofton zyrtarisht largimin e dy lojtarëve të preferuar të tifozëve

Liverpooli njofton zyrtarisht largimin e dy lojtarëve të preferuar të tifozëve

Premier League
Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerikani bleu një magazinë të vjetër për 380 euro - ajo çfarë gjeti në të është një pasuri e vërtetë

Amerika
Ukraina sulmon me dronë luftarak Krimenë

Ukraina sulmon me dronë luftarak Krimenë

Evropa
Kalo në kategori