LAJMI I FUNDIT:

Rreth 400 milionë euro u falën me ligjin për faljen e borxheve

Rreth 400 milionë euro u falën me ligjin për faljen e borxheve
A calculator, pen, and financial statement.

Ministria e Financave sot e shpallë të mbyllur afatin për faljen e borxheve publike për personat juridik dhe fizik në Kosovë të akumuluara prej datës 31 dhjetor 2008.

Nga ligji për faljen e borxheve kanë përfituar rreth 600 mijë qytetarë. Ndërsa shuma totale e përfitimeve nga ky ligj është 400 milionë euro.


Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, drejtori i Zyrës për Informim në Ministrinë e Financave, Muharrem Shahini.

“Kemi afërsisht 600 mijë përfitues nga falja e borxheve. Shumica prej tyre, afër diku tek 80-90 për qind janë ekonomi familjare/amvisëri që kanë përfituar – të tjerat janë biznese. Në total, si mjete buxhetore apo para janë falë rreth 400 milionë euro”.

Shahini ka thënë se nuk e di nëse do të ketë shtyrje të afatit për falje të borxheve pasi sipas tij ata që ishin të interesuar kanë përfituar.

Me ligjin për faljen e borxheve publike, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka trajtuar rreth 240 mijë përfitues potencial që nga kjo deri sot në afatin përfundimtarë kanë përfituar mbi 121 mijë konsumatorë.

Këtë e ka bërë të ditur, Skender Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, sipas së cilit ata kanë qenë më të ndikuarit nga ligji për faljen e borxheve publike.

“Korporata Energjetike ka trajtuar afërsisht 240 mijë konsumatorë potencial të cilët kanë pasur të drejtë ligjërisht të falen me ligjin për faljen e borxheve publike për një periudhë deri në 2008-ën. Vlera totale e borxhit që ka qenë për t’u falur ka qenë 262 milionë euro“, ka thënë Bucolli.

Ai ka shtuar se interesimi i qytetarëve sa i përket përfitimit nga ligji për faljen e borxheve publike nuk ka qenë në nivelin e kënaqshëm, pasi edhe në fazën e dytë interesimi ka qenë më i mangët.

Ndërsa, Ismet Mulaj, drejtor ekzekutiv në Odën e Afarizmit të Kosovës ka thënë se do të ishte mirë që afati i ligji në fjalë të shtyhet deri në fund të vitit në mënyrë që t’u mundësohet bizneseve informacione për dobitë e ligjit.

E Valentina Bytyqi, zëdhënëse e Administratës Tatimore të Kosovë, ka thënë për televizionin publik, se gjatë dy javëve të fundit është shtuar numri qytetarëve që kanë kërkuar falje të borxheve.

Ajo tha se krahasuar me periudhën e parë, deri në vitin 2008, numri i aplikuarve për falje ka qenë dukshëm më i madh.

Kjo ka ndikuar pasi nuk është ditë, nëse Qeveria e Kosovës do të merr vendim tjetër për shtyrjen e afatit të faljes së borxhit publik.

“Janë falur 216 milionë euro borxhe, ku për vitet 2015 dhe 2016 u inkasuan 24.2 milionë euro. Vetëm në vitin 2017 nga Ligji për Faljen e Borxheve kanë përfituar 2.539 tatimpagues, ndërsa janë arkëtuar 3.2 milionë euro. Kemi arritur që t’i pastrojmë listat afërsisht 20 milionë euro. Për këtë vit planifikohen që të inkasohen edhe 10 milionë euro”, ka thënë Bytyqi. /kp/Telegrafi/