LAJMI I FUNDIT:

Rreth 400 familje të Lipjanit bëhen me rrjet të ri energjetik

Rreth 400 familje të Lipjanit bëhen me rrjet të ri energjetik

Me projektin e quajtur TS 8 Lipjani që ka implementuar KEDS, janë rreth 400 familje kryesisht në pjesën jugore të qytetit të Lipjanit të cilët tash kanë një gjendje shumë të mirë energjetike.

Banorët e kësaj ane për çdo ditë kanë pasur probleme me rrymën. Rrjeti energjetik ka qenë stër-ngarkuar dhe shumë i vjetër. Pas këtij investimi tash gjithçka është rregulluar, tensioni është stabil dhe me parametra standarde.


Për implementimin e këtij projekti KEDS ka vendosur dy trafostacione, njëra me kapacitet 1000 kVA, që është rinovuar dhe është bërë krejtësisht e re dhe një tjetër me fuqi prej 630 kVA. Gjithashtu ka instaluar edhe 5000m kabllo nëntokësore për tensionin e ulët dhe 3200m kabllo nëntokësore për tensionin e mesëm dhe ka vendosur shtylla të reja të betonit dhe në disa vende vendosur edhe rrjet i ri ajror.

Për këto ndryshime energjetike me shumë emocione flasin vetë banorët.

Nasibe Bajrami, e komunitetit rom tregon për rrezikun që kanë pasur para investimit dhe tani falënderon KEDS-in për punën që kanë bërë.

“Ma shumë jena kanë pa rrymë se me rrymë. Shtyllën elektrike e kena pas mrena në oborr dhe shpesh telat na binin në tokë sidomos kur frynte era, dhe gjithë jena tut mos po ndodh ma e keqja. Tash KEDS e ka rregullu dhe skena ma rrezik. Falënderojmë shumë kompaninë për punën që ka bë”, ka thënë Nasibja.
Edhe bizneset e vogla që operojnë në këto anë shprehen të kënaqur me këto ndryshime.

Blerim Sylejmani, pronar i NPSH “ Blerimi” që merret me gdhendjen e hekurit, disqeve të veturave, etj, thotë se tani rryma është më e fortë dhe punën e kryejmë ma shpejt.

“Rryma ka qenë katastrofë, çdo 2-3 ditë është dashur me u anku. Gjatë punës shpesh na u nalshin maqinat dhe puna nuk ecte. Tash është tepër mirë, rryma është e fortë dhe puna kryhet shpejt”, shprehet Sylejmani.

Ky investim është edhe një zotim i KEDS-it për të përmbushur nevojat dhe obligimet energjetike të konsumatorëve në tërë Kosovën, sipas dinamikës dhe planit të paraparë. /Telegrafi/