LAJMI I FUNDIT:

Rregulli i ri amerikan për viza prek të varfërit

Rregulli i ri amerikan për viza prek të varfërit

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë publike të hënën një rregull të ri që mund t’ua pamundësojë shtetësinë amerikane qindra mijëra personave që janë shumë të varfër.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, ky rregull që është shtyrë përpara nga ndihmësi i Trumpit për çështje të migrimit, Stephen Miller dhe do të nisë së zbatuari nga mesi i muajit tetor, parasheh refuzimin e aplikacioneve për viza të përkohshme apo të përhershme për personat që nuk përmbushin kriteret standarde të mirëqenies apo që marrin asistencë sociale nga shteti.


Një ndryshim i tillë do të siguronte se imigrantët mund të përballojnë vetë shpenzimet dhe “nuk varen nga burimet publike, por nga burimet tjera, duke përfshirë anëtarë të familjes, sponsorë, dhe organizata private”.

Kjo mund të jetë një nga politikat më drastike të Trumpit kundër migrimit, kanë thënë ekspertët.

Rregullat e reja për viza amerikane mund të censurojnë postimet online
Lexo po ashtu Rregullat e reja për viza amerikane mund të censurojnë postimet online

Mbrojtësit e migrimit kanë kritikuar këtë plan duke thënë se është përpjekje për të ndalur migrimin ilegal, pa bërë ndryshime në ligjin amerikan përmes Kongresit.

Rregulli i ri është bazuar në Aktin për Imigrim që daton nga viti 1882, i cili i lejon Qeverisë amerikane të refuzojë viza për secilin që ka mundësi të kthehet në “përgjegjësi publike”.

Zyrtarët amerikanë kanë futur në listën e “përgjegjësisë publike” ata aplikues që ka mundësi të varen financiarisht nga shteti. /Telegrafi/