LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i Flamur Bunjakut, krahu i djathtë i Fadil Vokrrit dhe njëri nga më meritorët për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA

Rrëfimi i Flamur Bunjakut, krahu i djathtë i Fadil Vokrrit dhe njëri nga më meritorët për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA

Të gjithë njohim dikë që kryen punë shumë të mëdha, por nuk preferon të marrë merita dhe nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes.

I tillë është edhe Flamur Bunjaku, një afarist shumë i suksesshëm nga Kosova që jeton dhe vepron në Zurich të Zvicrës.


Ai ishte krahu i djathtë i Fadil Vokrrit, njeriu që gjithmonë e mbështeti dhe i qëndroi afër në çdo sfidë, por edhe që bëri punë jashtëzakonisht të mëdha për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Federata e Futbollit të Kosovës ishte pranuar në UEFA më 3 maj të vitit 2016, derisa 10 ditë më vonë edhe në shtëpinë më të madhe të futbollit botëror FIFA në kongresin e mbajtur në Meksikë.

Meritat më të mëdha i ka legjenda tanimë i ndjerë Fadil Vokrri, por menjëherë pas tij vjen Flamur Bunjaku, që gjithmonë ishte pranë Vokrrit duke e mbështetur në të gjitha mënyrat.

Bunjaku ishte për më shumë se 11 vite pjesë e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, por ai dha dorëheqje vitin e kaluar pas zhvillimeve në shtëpinë më të madhe të futbollit kosovar, pozitë që e kishte mbajtur si vullnetar pasi nuk kishte marrë kurrë pagë nga FFK.

Edhe pse atij nuk i pëlqen të jap intervista nëpër media, më në fund Bunjaku është rrëfyer në një intervistë për Telegrafin për 11 vitet e kaluara si anëtar i FFK-së.

Ai kishte dhënë kontribut të madh financiar që para pavarësisë së Kosovës për FFK-në dhe futbollin, derisa në vitin 2012 e ftuan që t’i bashkohet KE të Federatës.

“Ishte viti 2012, kur miku im i shtrenjtë Fadil Vokrri së bashku me Eroll Salihun më ftuan dhe më thanë se është koha që t’i bashkohem Komitetit Ekzekutiv të FFK-së pasi kisha dhënë kontribut të madh edhe pa qenë pjesë e organizatës. Për mua ishte një ndër, por në të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi e madhe ta ndihmoj vendin tim edhe pse jetoj në Zvicër. Kam pranuar të jem pjesë e FFK-së vetëm për t’i ndihmuar, pasi angazhimi im ka qenë vullnetar dhe kontributdhënës dhe për këtë kanë qenë të njoftuar të gjithë në Federatë”, tha Bunjaku për Telegrafin.

Të gjithë njerëzit e futbollit në Kosovë e dinë kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Flamur Bunjaku për pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA e FIFA, por ai tregohet modest sa i përket kësaj.

“Kisha fatin që të jem prezent në atë kohë dhe të jap një kontribut në dy ngjarjet historike, pranimin në UEFA dhe FIFA. Gjithmonë e kam thënë dhe prapë e them se ka qenë vetëm kontribut vullnetar”, vazhdon tutje Bunjaku.

“Jo vetëm më 3 dhe 13 maj, pasi puna për pranimin e Kosovës në dy organizatat më të mëdha të futbollit kishte filluar së bashku me Fadilin dhe Erollin që pas shpalljes së pavarësisë. Ka qenë një proces i gjatë dhe shumë i mundimshëm”, u shpreh Bunjaku.

Pas ngjarjes historike të Budapestit, ai tregon ngjarjen në Meksikë, ku ishte i vetmi person nga Kosova që udhëtoi me Fadil Vokrrin në kongresin e FIFA-s.

“Pas pranimit në UEFA sfida ishte të pranohemi në FIFA, organizata më e madhe e futbollit botëror. Udhëtuam disa orë drejt Meksikës ku pastaj kishim takime të panumërta me përfaqësues të shumë federatave për t’i bindur që të votojnë pro pranimit të Kosovës në FIFA. Ka qenë një sfidë e madhe, por njëkohësisht një kënaqësi që nuk përshkruhet dot me fjalë”, vazhdoi tutje Bunjaku.

Pas pranimit në FIFA më 13 maj, Vokrri e Bunjaku u pritën si heronj në Kosovë. “Ka qenë një moment i paharruar. Pritja ishte madhështore dhe si unë ashtu edhe Fadili ishim shumë krenarë për atë që kemi bërë”, tha Bunjaku.

Shumë nga bashkëpunëtorët e tij nëpër intervista të ndryshme kanë folur për kontributin e madh financiar që ka dhënë Bunjaku për lobim që të pranohet Kosova në UEFA e FIFA, por ai tregon modestin e tij duke thënë se gjithçka që ka bërë e ka bërë për të mirën e futbollit kosovar.

“Po e them prapë kam shpenzuar shumë, por ajo ka pak rëndësi tani. Ashtu si Fadili edhe Erolli kanë qenë dy njerëzit e mi të besueshëm dhe gjithçka që kam bërë është bërë me vullnet të mirë për ta parë mirë futbollin tonë”, tha Bunjaku.

Bunjaku është njëri nga biznesmenët më të suksesshëm në Zvicër ku jeton dhe vepron nga vitet e 90-ta.

Ai është i lidhur me futbollin kosovar, pasi nga viti 2016 është edhe bashkëpronar i njërit nga klubeve më të mëdha në vend FC Dritës, ku ka arritur që klubin gjilanas ta bëj model për klubet kosovare dhe jo vetëm. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Ancelotti theu protokollin e UEFA-s pasi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve

Ancelotti theu protokollin e UEFA-s pasi eliminoi Manchester Cityn nga Liga e Kampionëve

Liga e Kampionëve
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Zyrtare: Serie A do të ketë pesë skuadra në Ligën e Kampionëve për sezonin 2024/25

Liga e Kampionëve
Ka pesë vite pjesë e klubit, çmimi qesharak i shitjes që Reali i ka vendosur yllit të skuadrës

Ka pesë vite pjesë e klubit, çmimi qesharak i shitjes që Reali i ka vendosur yllit të skuadrës

La Liga
Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

Gundogan i pamëshirshëm për shokun e skuadrës, e lë fajtor për eliminimin e Barcelonës

La Liga
Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit  - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori