Rrahmani: Duam fitore, motiv shtesë që të shënoj në stadiumin ku luaj

Albion Rrahmani pret që Kosova të triumfojë në udhëtim te Republika Çeke.
Ylli i Sparta Pragës në konferencë për media deklaroi se nëse përzgjedhësi Franco Foda ia jep mundësinë, atëherë do të provojë ta dëshmojë kualitetin.
“Është ndjenjë e mirë të rikthehesh përsëri këtu, përndryshe në stadiumin ku luajmë me ekipin. Është motiv shtesë dhe po shpresoj të paraqitem mirë nëse trajneri ma jep mundësinë dhe pse jo të shënoj”.
“Avantazh për ty mungesa e Muriqit? Nuk e kisha menduar ashtu sepse kur e ke Vedatin përkrahë, është një shtysë shumë e madhe për ne, mundet me na ndihmuar me kualitetin e tij. Mendoj se do të ishte shumë më mirë po të ishte me ne këtu”.
Ai përndryshe e pranoi se ka diskutuar me bashkëlojtarët e Sparta Pragës për këtë miqësore, meqenëse tre prej tyre do të përfaqësojnë Çekinë.
“Po, padyshim që e kemi diskutuar këtë ndeshje. Janë tre lojtarë të Spartës që janë ftuar dhe prandaj kemi shkëmbyer shaka mes vete. Shpresoj të shkoj mirë si për ne ashtu edhe për ata”.
“Patjetër që është më e lehtë kur e di sesi i luajnë ndeshjet në Ligën e Çekisë. Është një mundësi e mirë sepse i njoh pothuajse të gjithë dhe po shpresoj të bëjë një paraqitje të mirë sepse jam përshtatur mjaftë mirë në stilin e tyre të lojës”.
Kujtojmë, përballja mes Çekisë dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 16:00 të dielën./Telegrafi/











































