Posta britanike Royal Mail synon të sigurojë flotën prej 500 dronëve, që do t’i përdorë për shpërndarjen e dërgesave në komunitete më të largëta në mbarë Britaninë e Madhe.

Në Royal Mail shpresojnë që në tri vitet e ardhshme do të përdorin 500 dronë për dërgimin e pakove të ndryshme – pra nga Scilly, Shetland, Orkney e deri në Hebrides, transmeton Telegrafi.

Megjithatë për këtë shërbim të ri nevojitet miratimi nga agjencia për aviacionin civil CAA, e rrugëtimet e reja do të varen nga “përmirësimi i ekonomisë së fluturakeve pa pilot”.

Royal Mail prej kohësh është duke testuar dronët, e testimi i fundit është kryer në prill në Shetland. Dronët kanë kryer dërgesën e parë mes aeroportit Tingwall në Lerwick në drejtim të Unstas, pjesës më të largët të Britanisë.

Fluturaket pa pilot janë të mëdha, krahët i kanë 10 metra të gjatë, kurse rrezja e tyre e veprimit shkon deri në 1.000 kilometra. Mund të bartin deri në 100 kilogramë mallra dhe i vënë në lëvizje dy motorët me djegie të brendshme.

Ata fillimisht ishin dizajnuar për të shpërndarë ndihma humanitare në Afrikë, për ngritjen dhe zbritjen nevojitet shumë pak hapësirë. /Telegrafi/