LAJMI I FUNDIT:

“Rojat e Taxhit” do të jepet edhe në Kosovë

“Rojat e Taxhit” do të jepet edhe në Kosovë

Shfaqja “Rojat e Taxhit”, me regji nga Altin Basha, më 26 janar do të jepet në Gjakovë, më 27 janar në Prizren dhe më 28 e 29 janar në Prishtinë.

Vepra “Rojat e Taxhit” eksploron bukurinë, pushtetin, autokracinë, rezistencën dhe besnikërinë e verbër.


Humaxhuni dhe Baburi janë shokë të ngushte dhe roje ne Ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit, Shah Xhahanit. Teksa bëjnë roje, qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të fëmijërisë dhe arratisjet ne xhungël. Ata kanë privilegjin të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik qe mbreti Shah Xhahani i bëri gruas së tij te vdekur, Mumtaz Mahal. Kjo ndodh një natë para se ky monument t’i shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë.

Humaxhuni, ushtar i gjeneratës se dytë, thellësisht besnik, është i kënaqur që zbaton urdhrat edhe atëherë kur perandori, i vendosur që asgjë më e bukur se Taxh Mahalli nuk ndërtohet ndonjëherë, i jep rojeve te tij një mision te tmerrshëm. Baburi i ndjeshëm dhe romantik e përballon këtë mision duke iu kundërvënë shkatërrimit të bukurës si mburojë njerëzore.

“Rojet e Taxhit” është historia komike dhe e trishtuar e një miqësie që testohet e thyhet nga rrethana ekstreme dhe brutale.

“Rojat e Taxhit”, sipas veprës së dramaturgut Rajiv Joseph, është prodhim i shoqatës “Bash-Art”. Në të luajnë aktorët Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja. Skena dhe kostumet janë realizuar nga Ilirjana Basha; kompozitor është Endri Sina; koreograf Gjergj Prevazi; ndërsa videoja është realizuar nga Florian Çanga. /Telegrafi/