LAJMI I FUNDIT:

Rizvanolli paraqet Strategjinë për Energjinë 2022-2031: Bursa e përbashkët Kosovë-Shqipëri gjatë 2023-së

Rizvanolli paraqet Strategjinë për Energjinë 2022-2031: Bursa e përbashkët Kosovë-Shqipëri gjatë 2023-së
Foto: Arkiv

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca e jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditë, atë të shqyrtimit të Strategjisë së Energjisë për periudhën 2022-2031.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se nevojitet sektor energjetike më i fortë dhe i pastër, andaj ka kërkuar nga deputetët miratimin e kësaj strategjie.


“Përgatitjet për vendosjen në sistemin për caktimin e çmimit të karbonit do të bëhen deri në vitin 2025, ndërsa emetimi i gazrave nga termocentralet do ta ulin për së paku 32 për qind deri në vitin 2031. Sistemi elektro-energjetik i Kosovës do të integrohet në tregun rajonal dhe atë pan-evropian në vitin 2030 më së largu, ndërsa pavarësia e tij do të sigurohet gjithnjë e më shumë përmes burimeve të ripërtrishme të energjisë. Integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë është prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për shtetin tonë. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm në këtë drejtim do të jetë funksionalizimi i plotë i bursës shqiptare të energjisë, pra bursës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cila pritet të ndodh në vitin 2023″, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka thënë se kjo strategji përcakton drejtimet dhe veprimet kryesore për zhvillimin e sektorit të energjisë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

“Energjia për ngrohje gjatë dimrit aktualisht përbën ndër sfidat kyçe të sistemit eletrko-energjetik dhe kjo është brenga më e madhe e qytetarëve që i kam takuar anë e mbanë Kosovës gjatë konsultimeve publike. Andaj me kënaqësi ju them se planet janë ambicioze për të rritur numrin e qytetarëve që përfitojnë nga ngrohja qendrore kolektive me çmime të përballueshme dhe atë jo vetëm në Prishtinë e Gjakovë, ku tanimë ka ngrohje qendrore të qytetit”, është shprehur ajo.

“Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti presim rezultatet e studimit të fizibilitetit për ngrohje qendrore të qytetit në tetë komuna të tjera, Drenas, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjilan, Kastriot apo Obiliq, Mitrovicë, Prizren dhe Zveqan. Po trajnohen mundësitë e përdorimit të burimeve të pastra e të qëndrueshme përfshirë biomasën, ngrohjen gjeotremike, pompat termike solare e të tjera, dhe në bazë të rezultateve do të vendosim për investime në projekte specifike dhe burimet apo teknologjitë që do të përdoren duke reflektuar specifikat e komunave”, ka përfunduar Rizvanolli.

Në sistemet ekzistuese, ajo ka thënë se parashihet zgjerimi i rrjetit dhe dyfishimi i kapacitetetit të kogjenerimit nga KEK nga 140 në 280 Megawatt termike, si dhe shtimi i së paku 50 Megawatteve termike të energjisë solare në Prishtinë dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore në Gjakovë.

Seanca e jashtëzakonshme për shqyrtimin e kësaj Strategjie, është thirrur me nënshkrimin e 41 deputetëve.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj më 16 dhjetor ka miratuar Strategjinë për Energjinë 2022-2031. /Telegrafi/