Nga: Alastair Sooke, kritik i artit / The Daily Telegraph
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në adaptimin e “Disney”-t të veprës Rivalët [Rivals] nga Jilly Cooper, shkrimtarja romantike Lizzie Vereker ulet pranë makinës së saj të shkrimit dhe imagjinon një “botë të pasionit të shfrenuar”, të përndjekur nga “bishat që nuk zbuten”, të cilat janë të uritura për status dhe seks. “Gjithmonë duhet pasur kujdes”, paralajmëron ajo, “të mos të të hanë”.
Vereker përshkruan dëshirën për të qenë më e mira, që formëson rrethin e saj të shtresës së lartë në fshat, por ajo mund të përshkruajë po aq mirë edhe venitjen në botën e artit – siç na kujtoi së fundmi Tracey Emin, kur tha se kolegu i saj i dikurshëm në lëvizjen e Artistëve të Rinj Britanikë, Damien Hirst, nuk përfaqësonte më “forcën” (artistët meshkuj, sugjeroi ajo, “arrijnë kulmin në të dyzetat e tyre”). Javën tjetër, një ekspozitë në Akademinë Mbretërore të Arteve do të eksplorojë një tjetër rivalitet, atë që ndodhi në Toskanë në fillim të shekullit XVI, kur u ballafaquan tre gjigantët e Rilindjes Italiane – Leonardo [Leonardo da Vinci], Mikelanxhelo [Michelangelo Buonarroti] dhe Rafaeli [Raffaello Sanzio da Urbino].
Lexo po ashtu:
– Damien Hirsti po e shkatërron të kaluarën e vet të lavdishme
Në ditët e sotme, bota e artit minimizon rëndësinë e konkurrencës dhe thekson komunitetin. Koncepti i gjenialitetit artistik ka dalë prej vitesh nga moda; historianët e artit tani vlerësojnë marrëdhëniet familjare dhe shoqërore që kontribuojnë në sukses. Çmimi “Turner” është një shembull i këtij trendi. Në vitin 2015, ai iu dha “Assemble”-it, një grupi të gjerë arkitektësh dhe dizajnerësh, dhe jo artistëve. Vitin tjetër, Helen Marten, e cila kritikoi çmimet si “me të meta”, premtoi të ndante fitimin prej 25 mijë funtash me kandidatët e tjerë. Në vitin 2019, çmimi u nda mes të katër artistëve të nominuar, të cilët kishin formuar një “kolektiv” të ri. Një tjetër “kolektiv”, një grup artistësh dhe aktivistësh nga Irlanda e Veriut me pseudonimin “Array”, fitoi çmimin në vitin 2021.
Megjithatë, siç kujton ekspozita e Akademisë Mbretërore, Mikelanxhelo, Leonardo, Rafaeli: Firence, c. 1504 [Michelangelo, Leonardo, Raphael: Florence, c. 1504], rivaliteti është i rrënjosur në historinë e artit. (E njëjta treshe konkurruese do të jetë gjithashtu subjekt i një dokumentari me tri pjesë në “BBC”, Rilindja: Gjak dhe Bukuri / Renaissance: The Blood and the Beauty, ku Charles Dance ka rolin e Mikelanxhelos.) Ekspozita shqyrton një episod të famshëm të artit perëndimor, kur Leonardo dhe Mikelanxhelo u përballën drejtpërdrejt në Firence, pasi të dy u ngarkuan të krijonin muralet për sallën e këshillit në Pallatin e Sinjorias (tani i njohur si Pallati Vekio), për të përkujtuar fitoret e Firences.
Leonardo u ftua i pari, në vitin 1503; një vit më vonë, menjëherë pasi kolosi i tij prej mermeri, Davidi, u shfaq para Pallatit Vekio, edhe Mikelanxhelo u ftua të dekoronte të njëjtën dhomë madhështore. Për herë të parë, dy artistët më të shquar të Italisë – me një dallim në moshë prej gati një çereku shekulli (Leonardo lindi më 1452; Mikelanxhelo më 1475) – po punonin (pothuajse) krah për krah në qytetin ku të dy ishin rritur. Dhe, sipas biografit të tyre të shekullit XVI, historianit të artit Giorgio Vasari, ata nuk e duronin dot njëri-tjetrin.
Lexo po ashtu:
– Detajet e kryeveprave të Mikelanxhelos që përcaktuan Rilindjen italiane
– Historia e portretit femëror në pikturën e Da Vincit
– Aty ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta
– Rishikimi i dekadave të fundit të Mikelanxhelos
– Afresket e Kapelës Sistine
– “Madonna” e Leonardo Da Vincit dhe stërmbesa e Gjergj Aranitit!?
– Leonardo vs Rembrandt: Cili është më i madhi?
Cila ishte arsyeja e përçmimit të madh të ndërsjellë (sdegno grandissimo)? Kanë mbijetuar pak burime parësore që ndriçojnë marrëdhënien e tyre – por, Vasari nuk e nxori këtë urrejtje nga hiçi. Një biografi më e hershme e artistit më të ri tregon se, ndërsa të dy ishin në Firence, Mikelanxhelo publikisht e talli Leonardon për braktisjen e një monumenti të madh prej bronzi për një sundimtar të Milanos. (Leonardo kishte namin e keq për mos përfundimin e projekteve gjatë jetës së tij.)
Kemi gjithashtu procesverbalet e një takimi më 25 janar 1504, në të cilin, së bashku me zyrtarë, 30 arkitektë dhe artistë të shquar – përfshirë Botiçelin [Sandro Botticelli] dhe Leonardon – diskutuan se ku duhet të vendosej statuja e Davidit, të cilën Mikelanxhelo e kishte gdhendur nga një bllok i vetëm i mermerit të Kararasit.
Leonardo argumentoi se statuja nuk duhej të vendosej përpara pallatit (ku përfundimisht u vendos), por në një vend më të mbrojtur në Sheshin e Sinjorias (Piazza della Signoria). Arsyeja që dha ishte se atje skulptura e Mikelanxhelos do të mbrohej – por, meqenëse klima e Firences është kaq e butë, është e vështirë të mos mendohet se motivi i tij i vërtetë ishte minimizimi i suksesit të Mikelanxhelos. Ai gjithashtu specifikoi se Davidi duhej të shfaqej con ornamento decente (“me zbukurim të përshtatshëm”) – një frazë e paqartë që, sipas disa historianëve të artit, i referohej një gjetheje fiku dhe pasqyronte dëshirën e Leonardos për të eklipsuar, madje në mënyrë metaforike për të “kastruar” rivalin e tij më të ri.
Interpretim i tepruar? Ndoshta, thotë Per Rumberg, një nga kuratorët e ekspozitës së Akademisë Mbretërore. Sidoqoftë, dëshmitë sugjerojnë se marrëdhënia midis këtyre dy burrave ishte komplekse, në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq ishte afër hakmarrjes.
Lexo po ashtu:
– Mësimi i artit dhe herezia e njohjes
– Çfarë është raporti i artë në art?
– Dhjetë pikturat më të kërkuara në botë
– Veprat e artit që “fyejnë” të krishterët konservatorë!
Por, kur vjen puna te krijimtaria, çfarë të keqe ka konkurrenca? Analet e historisë së artit janë të mbushura me histori të ngjashme të “miqve armiqësorë”. Një nga historitë bazë të artit perëndimor, rrëfyer nga Plini Plaku, përfshin një garë midis dy artistëve të famshëm grekë të lashtësisë, Zeuksisit dhe Parasiut, për të parë se kush mund të krijonte pikturën më iluzioniste. Natyrat e qeta të Zeuksisit me rrush ishin aq realiste saqë mashtruan zogjtë që kalonin, të cilët zbritën për t’i ngrënë. Megjithatë, kur zbuloi se një perde, të cilën Parasiu e ftoi ta tërhiqte, ishte, në fakt, vepra e kundërshtarit në garë, Zeuksisi pranoi humbjen.
Në Britaninë e shekullit XIX, ishte radha që të ballafaqoheshin JMW Turner dhe John Constable. Ndërsa vendoste një nga peizazhet e tij detare në prag të Ekspozitës Verore të Akademisë Mbretërore më 1832, Turner ndjeu se peizazhi i tij – i realizuar me tone të lehta – rrezikonte të eklipsohej nga pamja ngjitur e Urës së Uaterlosë nga Constable, e cila ishte me nuanca të kuqe. Me guximin karakteristik, ai shtoi në kanavacën e tij një njollë të vetme të kuqe që përfaqësonte një bovë. “Ka qenë këtu”, deklaroi Constable, kur vuri re shtesën e Turnerit, “dhe qëlloi me armë.”
Një marrëdhënie tjetër e tensionuar – këtë herë midis dy modernistëve francezë të shekullit XIX – ishte tema e një ekspozite të shkëlqyer në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju-Jork në vitin e kaluar. Në fund të viteve ’60 të shekullit XIX, disa vite pasi ishin takuar për herë të parë në Luvër, Edgar Degas pikturoi mikun e tij të sjellshëm dhe me mjekër, Edouard Manet, të mbështetur në një divan ndërsa dëgjonte gruan e tij, Suzanne, që luante në piano.
Një skenë e këndshme, apo jo? Por, kur Degas ia dhuroi këtë portret të dyfishtë Manetit, ky i fundit – ndoshta i nervozuar nga paraqitja e tipareve të bashkëshortes së tij – shqeu kanavacën. “U largova pa thënë mirupafshim”, i tha Degas tregtarit Ambroise Vollard, “duke marrë me vete pikturën time”.
Lexo po ashtu:
– Nudo që ndryshoi rregullat e artit
– Kujtime letrare, për Edgar Degasin
– Arti politik dhe flirti me pushtetin: Shkatërrimi nuk është fundi i kulturës …
– Historia e shëmtisë
Të paktën, Manet vetëm e grisi një pikturë. Kur Vincent van Gogh dhe Paul Gauguin jetuan së bashku në atë që njihet si “Shtëpia e Verdhë” në Arle, në jug të Francës, gjërat u bënë aq të tensionuara saqë, pak para Krishtlindjes së vitit 1888, holandezi kërcënoi ish-tregtarin francez të bursës, përpara se ai të priste veshin e tij me një brisk.
Gjithsesi, zënka mes Manetit dhe Degasit u zbut (“Si mund të mbetet njeriu në marrëdhënie të këqija me Manetin”, ka thënë Degas), ndryshe nga armiqësia mes piktorëve britanikë të shekullit XX, Francis Bacon dhe Lucian Freud, të cilët ishin të pandarë në Londër pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas gruas së dytë të Freudit, Caroline Blackwood, Baconi i vizitonte ata “pothuajse çdo natë gjatë gjithë martesës sime me Lucianin. Ne gjithashtu hanim drekë së bashku”. Megjithatë, në vitet ’80 të shekullit XX, Freud përçmonte pikturat e Baconit si “të tmerrshme” dhe, për ta bezdisur, refuzonte gjithmonë të huazonte ndonjë pikturë të rëndësishme të Baconit që ai kishte në zotërim. E quajtur Dy figura [The Buggers], ajo shfaqte dy burra në një përplasje mbi çarçafë të rrudhur dhe qëndronte në dhomën e tij të gjumit.
Ndonjëherë, rivalitetet artistike nuk janë thjesht pasqyrim i “maskulinitetit toksik”. Ato mund të frymëzojnë rezultate të shkëlqyera krijuese. Shikoni Henri Matissen dhe Pablo Picasson, i cili ishte më shumë se një dekadë më i ri. Karakteret e tyre ishin shumë të ndryshme (Matisse ishte i qetë, Picasso ishte magnetik) dhe ka shumë tregime për përplasjet e tyre. Në fillimet e marrëdhënies së tyre, miqtë e Picassos përdornin shigjetat e lojës për të qëlluar një pikturë të Matisses të cilën ky i fundit ia kishte dhuruar atij.
Lexo po ashtu:
– Skicat e panjohura të Lucian Freudit
– Gjesti brutal i piktorit
– Dhjetë pikturat më të shtrenjta të shitura në ankande
– Kur Henri Matisse e udhëzonte Sadik Kacelin për studime
– Ndikimi i antikitetit në artin modern
– Gjon Mili dhe Picasso
– Gernika, kryevepra e dhimbjes
Megjithatë, gjatë jetës së tyre, ata i kushtuan vëmendje të madhe punës së njëri-tjetrit, e cila shpesh nxiste përparime në krijimtarinë e tyre. Pasi Matisse vdiq në vitin 1954, Picasso ndjeu mungesën e partnerit të tij të mëparshëm me të cilin kishte përplasje. Historiani i artit, Jack Flam, i krahason ata me “atletë të nivelit të lartë që caktojnë ritmin e njëri-tjetrit”. Të dy arritën lartësi estetike më të mëdha sesa ato që do të kishin përmbushur po të ishin, si të thuash, duke u ngjitur vetëm në mal. A është e tepruar të shihet rivaliteti si një formë tjetër e bashkëpunimit?
Sigurisht, në Firence të fillimit të shekullit XVI, Leonardo – tashmë në të pesëdhjetat kur nisi të planifikonte muralin e tij, Beteja e Angiarit – nuk ndryshoi shumë pas kontaktit me veprën e Mikelanxhelos. Por, është e mundur që Mikelanxhelo të ketë përshtatur qasjen e tij pasi mësoi për punën e Leonardos. Skena e betejës së Leonardos ishte një përshkrim i trazuar, i mbushur me dhunë dhe emocion të skajshëm. Në kontrast, Mikelanxhelo zgjodhi të paraqiste një moment përpara fillimit të betejës, ku ushtarët që po laheshin – një temë që i jepte mundësi të shfaqte një nga motivet e tij të preferuara: nudot e idealizuara mashkullore – thirreshin për të kapur armët.
Megjithëse të dy prodhuan vizatime përgatitore, asnjë mural nuk u përfundua, pasi këta artistë të kërkuar u thirrën gjetkë. Në fund, ishte personazhi i tretë në shfaqjen e Akademisë Mbretërore – Rafaeli – i cili, pasi erdhi në Firence për të mësuar nga bashkëmoshatarët e tij më të mëdhenj, në Romë përfundoi si antagonisti kryesor i Mikelanxhelos. Il Divino (“i hyjnueshmi”), siç quhej toskani i heshtur, madje akuzoi fillestarin nga Urbinoja për plagjiaturë. Kjo është ajo gjëja me ata “bishat që nuk zbuten”: ato kurrë nuk ndryshojnë njollat e tyre. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme