LAJMI I FUNDIT:

Arti politik dhe flirti me pushtetin: Shkatërrimi nuk është fundi i kulturës…

Arti politik dhe flirti me pushtetin: Shkatërrimi nuk është fundi i kulturës…

A mundet obstruksioni apo shkatërrimi i drejtpërdrejtë të jetë i fuqishëm si një akt i krijimit? Annie Godfrey Larmon e analizon këtë dilemë, transmeton Telegrafi.

Historia popullore thotë se fjala sabotim – nga sabota e frëngjishtes ose këpucët prej druri – u përdor për herë të parë në fillim të shekullit të XX-të për të përshkruar strategjinë e grevës së punëtorëve, duke hedh nallanet nëpër makineri e për të ndal kështu prodhimin.


Por, në fakt, fjala rrjedh nga akti i zhurmave penguese, gjatë fjalimeve zyrtare. Të dy treguesit e origjinës janë faktorë në përdorimin aktual të fjalës – këto janë strategjitë për obstruksionin e sistemeve të pushtetit, qofshin ato rrjedha ekonomike, ngjarje politike apo operacione ushtarake.

Këtë vit, Muzeu i Ri në Nju Jork hapi Trienalin e tij të katërt, të titulluar “Songs for Sabotage” (Këngët për sabotim), me veprat e 30 artistëve dhe grupeve nga 19 shtete. Kuratorët pohojnë se ekspozita “zbulon sistemet që konstruktojnë realitetin tonë, imazhet dhe të vërtetat” me një ftesë “për veprim, angazhim aktiv dhe një ndërhyrje në strukturat politike dhe shoqërore”. Por, në vend të imazheve dokumentare, takimeve organizative dhe punëtorive që dikush i pret nga këto premtime, ekspozita është e mbushur me piktura dhe skulptura. Me sa duket, këto vepra të artit vizual janë, në fakt, këngët e titullit të ekspozitës. Natyrisht, propaganda, alegoria dhe thirrjet për veprim nuk janë vetvetiu veprime, ndërsa arti që përfaqëson ndryshim ose rezistencë nuk do të ndikojë domosdoshmërisht në ndryshim apo rezistencë.

Kjo na sjell te një problem që shpesh lind në bisedat rreth artit: si mundet të marrë pjesë në rrjetet e pushtetit kur përmbajtja e tij e refuzon me dashje? Shpeshherë i ashtuquajturi “art politik” thjesht e estetizon protestën apo rezistencën. Ndonjëherë ajo ka efektin e një licence morale (koncept që përdoret në marketing dhe psikologji – v.j.), duke rrënjosur te shikuesi i saj një ndjenjë të rreme të arritjes së diçkaje. Arti dhe pushteti gjithmonë ishin shokë shtrati. Tekefundit, Karl Marxi dhe Friedrich Engelsi e shkruan “Manifestin komunist” në komoditet, në La Maison du Cygne – restorantin luksoz të Brukselit.

Le ta analizojmë një histori të shkurt të sabotimit në botën e artit: në cilat mënyra artistët kanë marrë në konsideratë idenë se aktet më të fuqishme të krijimit mund të jenë ato të shkatërrimit? Për më tepër, nëse është e mundur që veprat artistike të ndërhyjnë në strukturat politike dhe shoqërore, si duket kjo ndërhyrje? Natyrisht, sabotimi nuk është thjesht një thyerje e gjërave. Sabotimi është thyerje e gjërave në mënyrën që diçka tjetër, diçka ndryshe, mund të ndodhë.

Shkatërrimi i Kolonës Vendome

Sa i përket shkatërrimit të artit, mund të kujtohet propozimi i suksesshëm i Gustave Courbetit në vitin 1871, për të rrëzuar dhe shkatërruar Kolonës Vendôme gjatë ngjarjeve të Komunës së Parisit – një monument që ai pretendonte se ishte “pa asnjë vlerë artistike, e prirë për t’u përjetësuar nga shprehja e idesë së luftës dhe e pushtimeve të dinastisë së kaluar perandorake”. Ose, një e kohëve më të fundit: nxitja e debatit nga Hannah Black – por pa sukses – përmes letrës së hapur të vitit 2017 ku kërkoi që piktura e Dana Schutzit, “Open Casket” (Arkivoli i hapur) që riprodhon imazhin e famshëm të Emmett Tillit në funeralin e tij, të largohet nga Beinalja Whitney dhe të shkatërrohet.

Kufoma e Emmett Tilli dhe vepra e Schutzit

Ndryshe, në vitin 1995, artisti kinez Ai Weiwei me të vërtetë bëri një vepër arti, “Dropping a Han Dynasty Ur” (Rënia e urnës së Dinastisë Han), duke e shkatërruar një vepër arti. Performanca e tij është paraqitur në tri foto bardhezi: artisti mban vazon 2,000-vjeçare ceremoniale, ajo kapet në ajër, dhe tek thyhet në tokë. Duke shkatërruar urnën, Weiwei shkatërron vlerën monetare të objektit të lashtë, por edhe vlerën e saj kulturore. Dhe, në një nivel simbolik, veprimi i tij përfaqëson një refuzim të trashëgimisë së Dinastisë Han (206 p.e.s.-220 e.s.), një periudhë me ndikim në historinë kineze. Në këtë mënyrë, ai provokon shikuesin të marrë parasysh se kush e përcakton vlerën kulturore dhe monetare. Por, kjo gjë vlen vetëm në nivelin e përfaqësimit: asnjë sistem politik e social nuk u pengua!

Shkatërroi vazon 2,000 vjeçare për një fotografi në një akt që shumëkush e cilëson vandal

Përpjekjet e botës së artit në sabotim shpesh janë të përcaktuara nga institucionet që mbështesin artin, duke reflektuar frustrimet e artistëve me çështjet e asaj që duket dhe qaset. Mund të hasim gjurmët e kësaj te “Salon des Refuses” (Salloni i të refuzuarve) i vitit 1863, kur Courbet, Edouard Manet, James McNeill Whistler dhe të tjerët që u refuzuan nga ekspozita “Paris Salon” (Salloni i Parisit), shfaqin punët e tyre – nën patronatin e perandorit Napoleoni i III-të – në një lokacion tjetër në Pallatin e Industrisë.

Një shekull më vonë, në vitin 1969, Daniel Buren u përjashtua nga ekspozita e famshme “When Attitudes Become Form in Bern” (Kur qëndrimet bëhen formë në Bernë) dhe në reagimin e tij mbulonte billbordat e qytetit me shirita, duke e futur veten në mënyrë efektive në ekspozitë. Ai u arrestua për këtë veprim për çka duhej të largohej nga Zvicra. Pesë vjet më vonë, artistja amerikane Lynda Benglis iu përgjigj misogjinisë në botën e artit duke paguar 3,000 dollarë për një reklamë në Artforum, në të cilën promovoi ekspozitën e saj të ardhshme në “Paula Cooper Gallery” të Nju Jorkut, duke pozuar lakuriq me një pjesë vibrator të madh lateksi.

Daniel Buren mbulonte posterët e Bernit, sepse nuk ishte ftuar në një ekspozitë

Strategjitë e tërheqjes dhe refuzimit kanë qenë gjithashtu modë e sabotimit të botës së artit. Në vitin 1969 u formua Koalicioni i Punëtorëve të Artit, me artistët si Lucy Lippard dhe Carl Andre në krye, që organizonte protesta kundër luftës dhe që nxiste institucionet e mëdha të mbylleshin si kundërshtim ndaj Luftës së Vietnamit. Veprimet e tyre ishin në koordinim me organizatat tjera të udhëhequra nga artistët, si Studentet Gra dhe Artistet për Çlirimin e Artit të Zi, e drejtuar nga Faith Ringgold, si dhe Grupi i Artisteve Ad Hoc, e udhëhequr nga Lippard, protestat e të cilave rezultuan me përfshirjen e artisteve me ngjyrë në Bienalen e ardhshme Whitney. Në vitin 1974, artisti gjerman Gustav Metzger sulmoi komodifikimin e artit përmes veprës “The Years Without Art – 1977-1980” (Vitet pa art, 1977-1980), ku bënte thirrje për një pauzë trevjeçare në gjithë prodhimtarin e artit, në diskurse dhe në shitje, edhe pse procesi i tij i rekrutimit ishte i destinuar për dështim.

Gustav Metzger e krijoi Artin e tij Auto-Destruktiv duke hedh acid hidroklorik në shtresa najloni dhe duke qëndruar pranë treteshin për 20 minuta

Ka metoda tjera të ngjashme të sabotimit që nxisin shikuesit për të ndërmarrë veprime. Në një shfaqje të vitit 1968, artistja argjentinase Graciela Carnevale mblodhi pjesëmarrësit në një galeri në Rosario të Argjentinës, para se të dilte dhe të mbyllte derën. Ajo shpresonte të nxiste “dhunë shembullore” tek shikuesit, të cilët u liruan nga një kalimtar që shkatërroi derën e galerisë. Tania Bruguera në vitin 2009 performoi vetë-sabotimin në Jeu de Paume të Parisit: mes leximeve të reflektimeve të saj mbi artin politik, merr një revolver me një plumb të vetëm, e drejton te tëmthi i saj dhe rrezikon kështu rezultatet me rulet rus. Veprimi i saj sfidoi efikasitetin e artit për të ndikuar në realitet.

Graciela Carnevale mbylli pjesëmarrësit për të parë se si do t’i kthehen dhunës

Një tjetër formë e sabotimit është që të pranohen elementet nga jeta reale, si art, megjithëse këto përpjekje janë kritikuar historikisht – qëkur Bienali Whitney më 1993 përfshiu videon e hidraulikut George Holliday, ku shihen policët e Los Angjelosit tek rrahin Rodney Kingun; ose kur kuratori Artur Zmijewski ftoi protestuesit e lëvizjes “Occupy Wall Street” për pushtuar një kat të tërë të Bienales së shtatë të Berlinit më 2012.

Këto projekte sabotojnë konceptin e asaj që një vepër arti mundet dhe duhet të jetë. Por, të kthehem në pyetjen e parë: cilat vepra arti në të vërtetë shërbejnë për të ndërhyrë në strukturat politike dhe shoqërore? Me shumë vështirësi mund të kujtoj vetëm disa që ia dolën t’i japin tension artit e jetës dhe fuqi për të intervenuar në sisteme duke ruajtur rigorozitetin në formë apo koncept – vepra arti që në të vërtetë kanë qëllim dhe efekt në botën reale.

Në vitin 1997, artisti gjerman Christoph Schlingensief bëri një vepër të tillë me organizimin “Tötet Helmut Kohl!” (Vriteni Helmut Kohlin!), për të cilin mblodhi sa më shumë njerëz të papunë që të notonin në destinacionin e preferuar për pushime të kancelarit të atëhershëm Helmut Kohl, Wolfgangsee në Austri, në kohën kur politikani ishte për pushime. Ai pretendoi se të gjithë të papunët e Gjermanisë, së bashku do të zhvendosnin ujin e liqenit. Në vitin 2014, Lawrence Abu Hamdan bëri veprën “The All-Hearing” (Krejt vesh) për të cilin kërkoi nga dy sheikë në Kajro që të mos japin predikimet e tyre të zakonshme të xhumasë, por në vend të kësaj të mbajnë fjalime në lidhje me rreziqet nga ndotjet e zhurmës – si një çështje e shëndetit publik . Edhe Schlingensief e edhe Abu Hamdan shkatërruan një status quo për të ndikuar në ndryshim.

Më 1981, Ivan Kafka mbuloi një rrugë në Pragë me 1,000 shkopinj të ngulitur, ndërsa mënyra e vetme për të shkuar në punë ishte të shkeleshin ato!

Natyrisht, sabotimi është djallëzor. Shpesh është intervenim që nis si ndërhyrje e vogël, që shumëfishohet ose zmadhohet për të rezultuar me shkatërrimin e një sistemi. Dhe, shpesh kryhet në mënyrë anonime. Kjo marrëdhënie me kohëzgjatjen dhe anonimitetin e bën sabotimin e vërtetë një detyrë të lodhshme për artistët. Prandaj, akti im i preferuar i sabotimit artistik u krye në vitin 1981, në heshtjen e natës, nga artisti çek Ivan Kafka. Gjatë natës, në kalldrëmet e Rrugës “Jansky” në lagjen “Neruda” të Pragës, pikërisht nën kështjellën që shërbente si kreu historik dhe simbolik i Qeverisë çeke, Kafka aranzhoi 1,000 shkopinj druri që qëndronin vertikalisht. Kur banorët lokalë hapën dyert për t’u nisur për në punë në mëngjes, ata u ballafaquan me vendimin për të marrë nëpër këmbë aktin e atëhershëm ilegal të të shprehurit, apo ta ruajnë atë e të mos paraqiten në punë. Instalimi i Kafkës më sjell ndër mend një rresht nga studiuesit Fabio Rambelli dhe Eric Reinders: “Shkatërrimi nuk është fundi i kulturës, por një nga kushtet e mundësisë së saj”! /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
I kanë thënë të mençurit...

I kanë thënë të mençurit...

Kulture
FJALË DASHURIE

FJALË DASHURIE

Fjala+
KUR U FUTA

KUR U FUTA

Poezi
PUTHJA

PUTHJA

Poezi
Të gjithë janë krijues

Të gjithë janë krijues

Kulture
KTHIM NË SHTËPI

KTHIM NË SHTËPI

Fjala+
Kalo në kategori