LAJMI I FUNDIT:

Rishikimi i Buxhetit për vitin 2021 – opozita thotë se nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve, ndryshe mendon Qeveria

Rishikimi i Buxhetit për vitin 2021 – opozita thotë se nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve, ndryshe mendon Qeveria
Foto: Arkiv

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën aktuale plenare janë duke diskutuar lidhur me rishikimin e dytë të Buxhetit për vitin 2021.

Në hyrje të diskutimit, kryetari i Komisionit për Punë, Buxhet dhe Transfere, Armend Muja ka thënë se, disa nga kontratat që kanë qenë për efektet paraelektoral janë anuluar.


Sipas Mujës, ky rishikim po bëhet për ta mbështetur rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga pandemia COVID-19, përcjell Telegrafi.

“Që ky Projektligj, së bashku me amendamentet është i mbështetur në tërësi andaj ka rekomanduar që të miratohet këtu në Kuvend. Në emër të Grupit Parlamentar, ne e mbështesim këtë rishikim të buxhetit. Kjo bëhet për të mbështetur rimëkëmbjen e vendit nga pandemia COVID-19. Kemi pasur një performacë të mirë në të hyra. Me rishikimin e buxhetit, borxhi publik do të zvogëlohet në 437 milionë euro apo 27.6 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Rishikimi do të filloj sot e do të përfundoj më 31 tetor. Ato projekte që kanë qenë për efekt elektoral janë anuluar”, tha Muja.

Rishikimi i Buxhetit 2021, Muja: Projektet që kanë qenë për efekt elektoral janë anuluar
Lexo po ashtu Rishikimi i Buxhetit 2021, Muja: Projektet që kanë qenë për efekt elektoral janë anuluar

Ndërsa, ky rishikim po kundërshtohet nga partitë opozitare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk është pranuar në rishikimin e Buxhetit për vitin 2021.

Hamza thotë se Projektligji ka një diskrepancë me atë që parashihet në Programin Qeveritar.

“Çfarë e karakterizon këtë Projektligj është se ka një diskrepancë në Programin Qeveritar dhe Buxhetit. Premtimet që janë të shkruara nuk janë të reflektuara në Buxhet. Nuk do të ketë rritje të pagave, nuk do të ketë rritje të pensioneve dhe nuk do të ketë rifillim të fondeve të prezantuara në Program. Kemi një mosreflektim të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike. Asnjë amendament të deputetëve të opozitës nuk pranohet”, tha Hamza.

Hamza: Asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk pranohet në rishikimin e Buxhetit
Lexo po ashtu Hamza: Asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk pranohet në rishikimin e Buxhetit

Kurse sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj rishikimi i Buxhetit nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve.

“Ky rishikim i Buxhetit është ndërtuar kryekëput dhe puro mbi baza politike. Me vite të tëra në këtë Kuvend, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me kryeministrin e sotëm Albin Kurtin keni folur kinse për ndarje të padrejtë dhe pulitke të buxhetit. Deklaronit se me ardhjen e juaj në pushtet, kjo praktikë kinse do të merr fund. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha komunat e Kosovës janë të barabarta, ky rishikim i buxhetit që ka ardhur sot, mund të jetë gjithçka por jo i barabartë, këtë rishikim të buxhetit e keni krijuar me qëllim që të përfitoni politikisht. Pra nuk keni marrë për bazë nevojat e qytetarëve tanë”, ka thënë Lekaj.

Lekaj: Rishikimi i Buxhetit nuk ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve
Lexo po ashtu Lekaj: Rishikimi i Buxhetit nuk ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve

Ditë më parë, me shumicë votash Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë rishikimin e Buxhetit.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës. /Telegrafi/