LAJMI I FUNDIT:

Lekaj: Rishikimi i Buxhetit nuk ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve

Lekaj: Rishikimi i Buxhetit nuk ka marrë për bazë nevojat e qytetarëve
Foto: Arkiv

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se rishikimi i Buxhetit i cili pritet të votohet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, nuk është bërë mbi nevojat e qytetarëve.

Në seancën e sotme të Kosovës ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore, Lekaj ka thënë se rishikimi i është ndërtuar mbi baza politike.


“Ky rishikim i Buxhetit është ndërtuar kryekëput dhe puro mbi baza politike. Me vite të tëra në këtë Kuvend, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në krye me kryeministrin e sotëm Albin Kurtin keni folur kinse për ndarje të padrejtë dhe pulitke të buxhetit. Deklaronit se me ardhjen e juaj në pushtet, kjo praktikë kinse do të merr fund. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha komunat e Kosovës janë të barabarta, ky rishikim i buxhetit që ka ardhur sot, mund të jetë gjithçka por jo i barabartë, këtë rishikim të buxhetit e keni krijuar me qëllim që të përfitoni politikisht. Pra nuk keni marrë për bazë nevojat e qytetarëve tanë”, ka thënë Lekaj.

Hamza: Asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk pranohet në rishikimin e Buxhetit
Lexo po ashtu Hamza: Asnjë amendament i deputetëve të opozitës nuk pranohet në rishikimin e Buxhetit

“Ky buxhet është kryekëput politik dhe i ushqen vetëm egot e liderit dhe kryeministrit Albin Kurti. Ky buxhet e lë më shumë se gjysmën e qytetarëve të vendit tanë në mëshirën e fatit dhe i injoron ata skajshmërish. Me këtë buxhet e keni vërtetuar që nuk dini të udhëhiqni dhe çdo veprim që e ndërmerrni e bëni vetëm për përfitim të votave, Ky buxhet ju demaskon dhe i tregon qytetarëve të Kosovës sa cinik jeni, ky buxhet i dëshmon qytetarit të vendit që e keni gënjyer vetëm që të vini në pushtet”, ka shtuar ai. /Telegrafi/