LAJMI I FUNDIT:

Rimac Nevera është vetura më e shpejtë serike elektrike, arriti një rekord prej 412 km/h

Rimac Nevera është vetura më e shpejtë serike elektrike, arriti një rekord prej 412 km/h

Kompania Rimac Automobili ka publikuar në kanalin e saj në YouTube një video të arritjes së hiperveturës së saj elektrike Nevera, e cila vendosi një rekord të ri të shpejtësisë maksimale për veturat elektrike të prodhimit.

Nevera arriti një shpejtësi prej 412 km/h në Gjermani dhe në timon ishte Miroslav Zrnçeviq, shefi testues i kompanisë Rimac Automobili.


“Një shpejtësi e pabesueshme prej 412 km/h nuk është diçka që bëni çdo ditë. Kur vendosëm të konfirmonim këtë shpejtësi, ne u siguruam që kishim gjithçka që na nevojitej, një vendndodhje që do të na jepte hapësirë të mjaftueshme për të arritur shpejtësinë dhe për të ndaluar të sigurt gomat e duhura që janë në këtë rast Michelin Cup 2R, një ekspert për të kontrolluar gjendjen e tyre, një profil i posaçëm aero Nevera që redukton forcën e përparme të veturës duke e balancuar atë për stabilitet dhe një njeri në një mision për t’u bashkuar me klubin 400+, drejtuesi ynë i testimit dhe zhvillimit Mir”, është bërë e ditur nga kompania.

Kujtojmë se vitin e kaluar Nevera përshkoi 402 metra për 8.582 sekonda, duke e bërë atë veturën e prodhimit me përshpejtimin më të mirë në botë.

Meqë ra fjala, Rimac ua dorëzon klientëve Nevera me një shpejtësi të kufizuar elektronikisht prej 352 km/h, por ata gjithashtu mund të përjetojnë shpejtësinë maksimale në ngjarje të veçanta për klientët me mbështetjen e ekipit të ekspertëve të Rimac dhe në kushte të kontrolluara.

Nevera zhvillon 1,914 HP dhe 2,360 Nm çift rrotullues, përshpejton nga 0 në 100 km/h në 1,97 sekonda dhe deri në 300 km/h në 9,2 sekonda. Kapaciteti i baterisë është 120 kWh. /Telegrafi/