Grupi i mirënjohur kosovar ‘Asgjë sikur dielli’ ribashkohet me vokalin Alban Nimani dhe rikthehen në skenë me albumin e ri, raporton Atsh, transmeton koha.net.

Pas një ndërprerje prej 4 vitesh, kur Alban Nimani provoi karrierën si solist, grupi ‘Asgjë sikur dielli’ vendosi të ribashkohet për të publikuar albumin e ri, të tretin me radhë.


Grupi rikthehet në përbërjen e Bujar Hundozi në kitarë, Alban Nimani në vokal, Fatos Berisha në timpane, Labinot Krasniqi në bas dhe Faton Dolaku në tastiere. Albumi i ri që pritet të publikohet së shpejti do të ketë 8 këngë.

“Jam i gëzuar që rikthehem në grupin ku kam filluar karrierën. Jam kthyer në shtëpi, dhe adhuruesve tanë do t’u sjellim këngë që i kanë pritur gjatë”, shprehet Alban Nimani pas publikimit të lajmit për ribashkim.

“Po vazhdojmë së bashku aty ku ndaluam para disa vjetësh. Por, tani me energji të re, me këngë të reja. Po punojmë që sa më shpejtë të caktojmë datën e koncertit të parë”, ka shtuar kitaristi dhe bashkëthemeluesi i ‘Asgjë sikur dielli’, Bujar Hundozi.

Para publikimit të albumit, grupi ka vendosur të publikon edhe video klipin e ri të këngës ‘Unë të dua ty’ që gjendet në albumin e ri.

Basisti i parë i grupit Visar Qeska gjendet në Gjermani, ndërsa Kushtrim Hoxha që zëvendësoi shkurt Alban Nimanin gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ‘Asgjë sikur dielli’ është formuar në vitin 1996, dhe deri tani ka publikuar dy albume, me titull ‘1’ në vitin 1999 dhe ‘Ndodhemi’ me 2004.