LAJMI I FUNDIT:

I rezistoi arrestimit, fshehu aksidentin e shkaktuar nën ndikim të alkoolit – jep dorëheqje ministrja e Drejtësisë në Zelandë të Re

I rezistoi arrestimit, fshehu aksidentin e shkaktuar nën ndikim të alkoolit – jep dorëheqje ministrja e Drejtësisë në Zelandë të Re

Zelanda e Re mbeti pa ministren e Drejtësisë, pas dorëheqjes së Kiritapu Allan (39), e cila më parë në gjendje të dehur fshehu një aksident trafiku dhe i rezistoi arrestimit!

Siç raporton BBC, Allan u akuzua për vozitje të pakujdesshme dhe rezistencë ndaj arrestimit, pasi fshehu një aksident trafiku në Wellington, kryeqyteti i Zelandës së Re.


Radio NZ raportoi se ministrja goditi një veturë të parkuar. Ajo është ministrja e katërt nga kabineti i kryeministrit Chris Hipkins, që lë detyrën që nga marsi i këtij viti.

Në anën tjetër, zgjedhjet parlamentare në Zelandën e Re do të mbahen në tetor, transmeton Telegrafi.

Pas arrestimit, tashmë ish-ministrja u mbajt në komisariat për katër orë para se të lirohej. Ajo ende nuk është paraqitur në gjykatë.

“Kiritapu Allan e kuptoi se është e pamundur që ajo të mbetet ministre”, tha kryeministri i Zelandës së Re në një konferencë për shtyp.

Allan, e cila ishte edhe ministre për Zhvillimin Rajonal, Ruajtjen dhe Menaxhimin e Emergjencave, së fundmi mori ditë pushimi për shkak të çështjeve personale. Ajo u kthye në punë të hënën e kaluar.

Ministrja në qershor konfirmoi se po ndahej nga partneri i saj dhe po përballet me akuza se sillet keq me punonjësit.

“Veprimet e mia tregojnë se jam gabim. Do të mendoj për të ardhmen time në politikë”, ka thënë ajo në deklaratë.

Allan ishte deri vonë një yll në rritje i Partisë Laburiste në pushtet. Pasi kryeministrja Jacinda Ardern dha dorëheqjen në fillim të këtij viti, pati spekulime se ajo do të zëvendësohej nga Allan. /Telegrafi/