Njëri nga organizatorët e protestës së studentëve në Maqedoninë e Veriut, Besjan Rexhepi thotë se studentët qëndrojnë të bashkuar rreth kërkesave të tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Rexhepi thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve ekziston dhe ai duhet të harmonizohet në mënyrë të qartë dhe të plotë me Ligjin për Jurisprudencë, në mënyrë që studentët të mos mbeten peng i interpretimeve dhe padrejtësive, nevoja tjera janë irrelevant dhe të panevojshme.


"Dua të jem shumë i qartë: kjo kauzë ka vetëm një adresë dhe vetëm një qëllim- realizimin e të drejtës së studentëve për trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të ligjit.

Ne mirëpresim çdo mbështetje, çdo zë dhe çdo individ që e konsideron të drejtë këtë kërkesë studentore. Respektojmë secilin që kontribon me vullnet të mirë, sepse fundja kjo çështje nuk është personale dhe asesi nuk duhet të devijohet në interpretime apo role anësore, mbasi edhe për këtë kemi premtuar nga fillimi se do të jemi transparent dhe të sinqertë me secilin dhe secilën që në protestën e parë ishin prezent dhe ata që nuk aritën të vijnë.

Megjithatë, është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë te thelbi- studenti në vendin e duhur.

Thelbi është zgjidhja institucionale dhe konkrete e kërkesës sonë. Ligji për përdorimin e gjuhëve ekziston dhe ai duhet të harmonizohet në mënyrë të qartë dhe të plotë me Ligjin për Jurisprudencë, në mënyrë që studentët të mos mbeten peng i interpretimeve dhe padrejtësive, nevoja tjera janë irrelevant dhe të panevojshme! Nga kampusi kemi nisur dhe në kampus do të vazhdojmë të konsultohemi me studentët për çdo hap të mëtejmë.

Zëri ynë ka dalë nga studentët dhe aty do të mbetet gjithmonë.

Kjo nuk është betejë për protagonizëm. Kjo është një kërkesë për dinjitet, për barazi dhe për respektim të së drejtës që na takon.
Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar, të qetë dhe të vendosur deri në realizimin e plotë të kërkesave tona", shkruan Rexhepi./Telegrafi/