Teksa tensionet ndërkombëtare dhe përplasjet me Iranin kanë tronditur tregjet globale të naftës dhe gazit, Shqipëria po rezulton një nga vendet më pak të prekura nga rritja e çmimeve të energjisë.

Roli kyç në këtë situatë e luan lumi Drin dhe sistemi i gjerë i hidrocentraleve, të cilat sigurojnë mbi 90% të prodhimit vendas të energjisë elektrike shkruan agjencia së lajmeve Reuters.


E favorizuar nga reshjet e shumta të dimrit dhe shkrirja e dëborës, prodhimi hidroenergjetik ka qenë i lartë, duke ndihmuar në stabilizimin e çmimeve në tregun me shumicë. Kjo e bën Shqipërinë një shembull të qartë se si vendet me burime të forta të rinovueshme mund të përballojnë më mirë goditjet e tregjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë, vendet që mbështeten më shumë te gazi dhe nafta po përjetojnë rritje të ndjeshme të kostove. Italia ka shënuar mbi 20% rritje të çmimeve në tregun e energjisë, ndërsa Gjermania mbi 15%. Në kontrast, Franca, falë energjisë bërthamore, dhe Spanja për shkak të rritjes së burimeve të rinovueshme, kanë përjetuar rritje më të moderuara, madje në disa raste edhe ulje çmimesh.

Ekspertët theksojnë se kjo situatë mund të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, duke lehtësuar barrën për familjet dhe bizneset në muajt në vijim. Njëkohësisht, kriza aktuale mund të përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër në Evropë, duke nxitur investime më të mëdha në burime të qëndrueshme dhe të pavarura nga tregjet globale./RTSH