LAJMI I FUNDIT:

Republika e mbikëqyrur?!

Republika e mbikëqyrur?!

1.

“Ah, sa bukur po digjet zemra e këtij qyteti të lashtë”, pëshpëriste zëshëm e gjithë gëzim Arthur Harris, gjenerali i aviacionit mbretëror britanik që, në fror të vitit 1945, dha urdhër të bombardohet Dresdeni, një ndër qytetet më kulturore të Gjermanisë. Dhe, s’do t’i bëhej kurrë gjyq barbarisë tij smirzezë ku gjetën vdekjen rreth 30.000 njerëz, në çastin kur metropoli hitlerian tashmë ishte thyer e kapitullonte.


Do të evokoja këtë dromcë historie, i përnxitur nga ideja e një gjykate të paralajmëruar speciale për Kosovën që përhihet në horizont. Ajo, për mirë a keq, do të ngrihet dhe shqiptarët, të pandehur e dëshmitarë, do kalojnë nëpër bankat dhe përballjen e saj. Në fillesën e këtij pohimi, ndërkaq, nuk qëndron assesi logjika e fajpranimit apo e qyqarisë që sikur do të sugjeronte: le të ndodhë ajo që s’mund të sprapset dot!

Nisma është, gjithsesi, e rëndë, racialisht mosbesuese dhe revansh i fuqive të errëta të Evropës së nënujshme. Por, ajo, si një prurje e mirë dytësore e fatkeqësisë, së paku do të provojë dy gjëra fundamentore: ose fiktivitetin e pretendimeve penale – e aherë do shplahej përfundimisht fytyra kolektive e shqiptarëve nga përshkëllima e shpifur ose ndëshkimin e krimeve reale – e aherë ata do të bënin tutje, por pa peshën frenuese të tyre në ndërgjegje a në shtetndërtimin e emancipuar politik. “Unë nuk dua asnjë lloj madhështie për vendin tim, nëse ajo është prej gënjeshtre dhe gjaku të pafaj”, i shkruante Kamy mikut imagjinar gjerman gjatë ferrit që pat pllakosur Evropën në messhekull, etikë e çmuar që mund të transponohet fare mirë dhe në hullinë e lirisë.

2.

Megjithatë, në qarkullim të ligjshëm mbeten dy pyetje të vështira e me përgjigje të pazot. E para, një Instancë drejtësie për krime lufte në ish-Jugosllavi, pra edhe për Kosovën, vijon të jetë ende mandatplotë. Në filterin e saj defiluan mundimshëm shqiptarë që, përpjestimisht me banorësinë e përgjegjësinë, ishin më të shumtë se ndër të gjithë fiset sllave. Po të quhej e nevojshme ata do defilonin prapë dhe për hiret e Dick Martyt spekulativ. Ndaj, përse tani ky institucion i posaçëm gjyqësie për shqiptarë? Dhe e dyta, në mbyllje të Luftës së mbramë botërore, nuk pati një “Nyrenberg” të përzier shumëpalësh dhe as dy të ndarë e të veçantë: një për okupatorë, pra për Hessin e projekteve të shfarosjes, dhe një tjetër për çlirimtarë, pra për britin Harris apo për partizanët e qëndrestarisë franceze. Kishte, logjikisht, një të vetëm: për shëmtinë arianiste!

Tragjika që shkaktuan serbët në Ballkanin perëndimor dhe përmasa e ndëshkimit ishin krejt asimetrikë. Meqë ishin të njëllojtë për kauzën, a pati si për nacistë, një “klauzolë faji” dhe, prandaj, një “Nyrenberg” vetëm për idenë marroke të shtetomadhësisë dhe epërsisë së gjenit serbian? A u formua, po ashtu, një Komision defashistizimi që do të bënte spastrimin e shpirtrave të helmuar me dogmën groteske të “popullit qiellor”? Dhe, a do të pasonte, mandej, ndalesa e forcave politike që parashestuan e nisën marshin e përtëritjes së “shekullit të artë ”serbian? Ai ishte i përbashkët (okupatorë e çlirimtarë) kurse frymësia e programeve ekspanduese gjallon ende fort, përfaqësuar gjithnjë nga partitë që, aherë e sot, i prijnë Serbisë! Që këtej, sado vogëlsore të ngjajë, sikur nuk shmanget dot hatërmbetja për njëlloj dileme imorale të Evropës: e rëndon, vallë, më shumë brejtja e ndërgjegjes për krimet serbe apo pendesa për dënimin e tyre?

Në Kosovë, ndërkaq, gjithçka rrjedhon ndryshe. Matet e ç’matet mijëra herë. Megjithë vonesën historike dhe vargun e pakëputshëm të të zezave, peshorja kurdiset me një delikatesë e përpikëri të lodhshme. Ndërkohë që për anglezë, pastaj amerikanë që behën nga përtejdetet, degolistë të Frontit fisnik të Rezistencës a për rusë që rrafshuan egërsisht tokat e lulëzuara pas dorëzimit gjerman, nuk pati asnjë tribunal – për shqiptarët që iu përfalen po këtij ideali dhe po kësaj të drejte, ka dy të tillë: i pari në Hagë dhe tash kjo pasrendësja e posaideuar, me selitë alternative dhe misionin e turbullt. E mendonin të mbyllur periudhën adoleshente të mbikëqyrjes së pavarësisë, po, me sa duket, paskësh qenë veçse një farsë abrogimi i saj.

Survejimi dorëfshehtë i krijesës së brishtë vijon në formë e format tjetër, sikur shqiptarët të jenë trollëzuar gabimisht a idhnakësisht në hapësirën ku zënë n’thua të gjithë!..

Do të ishte e mirëpritshme përndjekja e krimit, politik e ordiner, të pasluftës që ka kërrusur shumë qenien kombëtare, gati në kufi të ekzistencës. Rikëndellja nga plagët e tyre do të përjetohej si një çlirim i dytë, i vërtetë i Kosovës. Këto, e jo të paprimet e luftës që, ndonëse nuk pati presedan e as praktikë, sërish u lustrifikuan në proceset maratonike të Sheveningenit, duhej shenjuar si e keqja megashtegtuese e Kosovës së lirë. Jurisprudenca kosovare për shkak të mendësisë së trashëguar, kulturës së munguar dhe armaturës mafiokratike, nuk mund të vinte dorë të mbarë mbi asgjë. E ç’punonin, prandaj, drejtësiprerësit e zhurmshëm evropianë (EULEX) për të zbardhur, pakësuar a pastruar ato? Apo, ndoshta, kjenë të zënë me statusin e Republikës dhe bënin politikë? Më keq akoma: mos, vallë, u bënë dhe vetë pjesë fijesh të tyre? E krejt së mbylluri: athua dhe Gjykatorja speciale të ketë përbetimin thelb e shtysë të pikësynimit të saj?

Njëmend shumë nga titajt e moteve paskolonialiste, luftëtarë të devotë të dikurshëm a figurantë uzurpatorë të legjendës së saj, janë inkriminuar, deri animalizuar keq dhe ngujimin e tyre pas grilave nuk do ta vajtonte kush. Por, dyshimi (ah, dyshimi sokratik) për lojën e madhe, në të cilën, pasi tashmë Krimeja ndërroi zot, rikonsiderohet roli i djegur hegjemon i Serbisë së kreshpërosur, lë shijen e një zhgënjimi të hidhur. Mbase përligjet, kështu, një raport, në dukje simbolik, por që dërgon larg fillin e pasojave të pallogaritshme për Evropën vetë: vrasësi thirret të ngrejë ballin lartë e të ndjehet krenar, kurse viktima e tij të ulë kryet e të ndjehet me turp. E drejta e saj natyrale e lirisë kthehet, ashtu, në kundërvlerë, në atribut ilegal e të papërkitshëm me substancën etnike dhe konfigurimin gjeopolitik që lëviz e përvijohet vazhdimisht!..

Por ja, kështu duket, gati si e shkruar: shqiptarët nuk kanë një dalëzotës që, me prirje e orientim aleancash armiqësore ndaj Evropës, të shantazhonin interesin e saj jetik. Janë evropianistë të kulluar dhe s’kanë ku të venë. Ajo e di këtë, ndaj, veç inercisë së vjetër, kjo është arsyeja që në sferat e epërme komunitare nuk vërehet një ngut për ti qasur, për ti nxjerrë nga rezervati kënetor ku janë zhytur e mbytur. Në ftoma të kalesës, mes tyre dhe saj, ka pasur shpesh marrëdhënie e përkatësi natyrshmërie, po jo rrallë dhe moskuptim të thartë. Do t’ishte fatale për të dytë, sikur ky i fundmi të hidhte sërish pëlhurëzën merimangëse të tij…

Në trend

Më shumë
Zbulohen pikët e gjyqtarëve që i dhuruan fitoren e madhe Usykut ndaj Furyt

Zbulohen pikët e gjyqtarëve që i dhuruan fitoren e madhe Usykut ndaj Furyt

Boks
Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Policët nepalez e ndaluan të riun, por mbetën pa fjalë kur ai u tregoi patentë shoferin

Auto
Fjalët e para të Usyk pasi u shpall kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Fjalët e para të Usyk pasi u shpall kampion i padiskutueshëm i peshave të rënda në boks

Boks

"Unë nuk do të ulem këtu të qaj dhe të kërkoj justifikime" - Tyson Fury flet pas humbjes

Boks
Bayern Munich e bën zgjedhje të parë për stolin trajnerin e njohur të Ligës Premier

Bayern Munich e bën zgjedhje të parë për stolin trajnerin e njohur të Ligës Premier

Bundesliga
Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Arratiset Enver Sekiraqa, policia ka informuar të gjitha vendkalimet kufitare

Drejtësi
Kalo në kategori