LAJMI I FUNDIT:

Reportazh i vitit 1935: Saranda dhe Gjirokastra në sytë e një suedezi

Reportazh i vitit 1935: Saranda dhe Gjirokastra në sytë e një suedezi

Nga: Sven Aurén
Përktheu: Adil Biçaku

… Ata e kanë fare të qartë, se Saranda, nuk është një fjalë shqiptare, por e shqiptarizuar prej ‘Santi Cuaranta’ (dyzet të shenjtët) dhe ky emri italian nuk tingëllon mirë në veshët e patriotizmit të madh shqiptar. Nëse banorët e Sarandës, të lejoheshin të bënin si të donin vetë, atëherë ata do ta ripagëzonin qytetin e tyre, me një emër krejt ndryshe.

Meqë tani kjo s´bëhet, kështu që ata vetvetiu shtiren që Saranda është thjeshtë emër shqiptar dhe refuzojnë kureshtjen e të huajve për sa i përket atyre dyzet të shenjtëve, me disa fjalë të pakuptueshme, të cilat e kalojnë bisedën në rrugë të tjera.

Në të kundërtën e Vlorës, Saranda, nuk ka ndonjë shenjë të dallueshme me karakter italian. Është qytet i vogël bregdetar me dy mijë të cilët sipas mënyrës shqiptare i ndërtojnë shtëpitë, nën hijen e një shkëmbi gjigant paleozoik. Mirëpo, në ngjashmëri me Vlorën, banorët e Sarandës kanë një shtet të huaj pothuaj pranë edhe pse nuk sillet në mënyra aq agresiv si në Sazan.

Kjo është Greqia. Nëse ke një pasaportë me vizë në xhep dhe një barkë lundrimi në dispozicion, mundesh të bësh një ekskursion në Korfuz, që ndahet nga qyteti vetëm nga një ngushticë e ngushtë. Ishulli grek, jeshil, pjellor dhe tërheqës, duket prej skelës së Sarandës. Në Korfuz, perandori Wilhelm kishte rezidencën e tij preferuese, ku prej tarracës mermerit, ku ai zakonisht ulej, shihte malet e egra të Shqipërisë.

Në Korfuz, gjithashtu, jeta e shoqërisë së lartë ishte elegante. Mbrëmjeve, shqiptarët e varfër të Sarandës mundeshin të shikonin fishekzjarrët që ngriheshin në ajër në harqe ndriçues. Ata gjithashtu mundnin të admironin gjithë vaporët luftarakë të cilët kishin ankoruar në ngushticë. Gjatë Luftës Botërore, mbaruan të gjitha festat e gëzueshme, por vaporët e pasagjerëve u shtuan në numër dhe uji ndërmjet Korfuzit e Sarandës u bë nga më të rëndësishmit e të gjithëve, si bazë për flotat franceze dhe italiane.

Ndërkohë, ngushtica është mjaft e heshtur, po ashtu edhe ishulli i famshëm i Korfuzit. Por, kur Korfuzi kënaqet, t’ue menduar për kujtimet e kaluara të kohës së madhështisë, Saranda e parëndësishme ka fituar prestigj. Si skela e qytetit më jugor të Shqipërisë, Saranda luan një rol shumë të madh për tregun e Epirit Shqiptar. Dhe, kjo tregti rritet në sipërfaqe, duket nga këto rrethana se një numër gjithnjë më i madh avulloresh me ngarkesa kanë filluar të ankorohen në këtë qytet, të cilin kancelari gjerman, Bethmann-Hollweg, me arrogancë e karakterizoi si “koloni peshkatarësh”.

“Koloni peshkatarësh” ose jo, kështu unë bile jam njohur me atë më simpatikun dhe më të kulturuarin shqiptar, që kam pasur privilegjin të takojë. Kur avullorja jonë në mëngjes herët lëshoi spirancën në molon e Sarandës, ai hyri në bord dhe na përshëndeti për mirëseardhjen. Pasi ndaloi kaiken, u ngjit në shkallët e litarit me tri kërcime hapash, ngriti kapelën dhe me një qeshje dashamirëse tha: Unë jam Delvino Beu. Saranda u lutet nëpërmjet meje, të përshëndesë mirëseardhjen e miqve të saj suedezë!

Ndërkohë u duk aq i lirshëm dhe simpatik, sa neve u dorëzuam pa kushte: i shkurtër, i qeshur, zotëri rrumbullak, ku qeshja e tij qe absolut pa asnjë xhentilesë të ekzagjeruar dhe sjellja e tij tërheqëse e natyrshme, përnjëherë theu gjithë barrierat konvencionale.

Pas kësaj ne ishim shumë së bashku, por ai nuk tregonte shumë për veten e vet, prandaj unë, nga anë të ndryshme, nxora pak njohuri mbi prejardhjen e tij interesante. Delvino Beu i përket aristokracisë së Shqipërisë dhe është nëpërmjet afërsisë fisnore i lidhur me një burrë aq të rëndësishëm, si Ekrem Vlora, të cilin unë e kam prezantuar më përpara. Familja e tij ka qenë mjaft e pasur dhe në kohën e turqve zuri vend të dalluar në qytetin e Kostandinopojës. Babai mbulonte postin e spikatur të Guvernatorit të Izmirit dhe urdhrin e bukur të guvernatorit e gjen të ruajtur për të parë në banesën e bukur të Delvino Beut.

Përveç kësaj, as Delvino Beu vetë s´është pa urdhra. Ai ka një radhë dekoratash të cilat i ka marrë nga dora e Sulltanit dhe një dekoratë të shkëlqyer që e ka prej Perandorit. Edhe zonja jashtëzakonisht e bukur e tij, me të cilën ai u fejua kur ai vetë ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe ajo në moshën njëmbëdhjetë vjeçe, posedon dekorata të shkëlqyera. A është marrë me politikë? Natyrisht që po, si çdo burrë i rëndësishëm shqiptar. Gjatë një revolucioni, që ngjau në vend, tashti afër, i rastisi keq dhe i vunë prangat në duar dhe detyrohet nëpër vapën prej 30 gradësh, në këmbë, të ecë në rrugën e gjatë 30 kilometra midis Sarandës dhe Fierit. Por, sidoqoftë, ekzekutimi u anulua dhe Delvino Beu u lejua të kthehet në qytetin e vet, ku ai kujdeset për pasuritë e veta dhe bën një jetë të qetë e të këndshme. Pjesën kryesore të pronave ende mjaft të mëdha i ka investuar në një katund i cili mban emrin e familjes tij dhe që shtrihet menjëherë jashtë Sarandës: Delvina.

Në shoqërinë e këtij burri të këndshëm, lundruam brenda në Sarandë, ku në fillim zumë dhomë në hotelin e qytetit që na befasoi për pastërtinë dhe jorganët e tij të çuditshëm. I zoti simpatik i hotelit, s´dinte se si me u kujdes për neve. Për të shënuar ngazëllimin mbi këtë vizitën e papritur, urdhëroi të hiqen jorganët e zakonshëm dhe të zëvendësoheshin me një palë fare të reja, siç quhen mbulesa me dallga dekoracionesh, ku ngjyrat e tyre intensive na bënë të zgurdullojmë sytë nga habia. Në dhomën tonë kishte gjithashtu një ballkon, prej ku kishim pamje madhështore mbi kodrat e gjelbra të Korfuzit dhe grykës ultra-marinë blu të ujit të mrekullueshëm të qartë si kristali.

Pas një gjysmë ore na mori Delvino me automobilin e vet:

– Ne do të shkojmë tek Baba Selimi! – na sqaroi xhentëlmeni i parë i Sarandës. Po kush ishte Baba Selimi, s´dinim asgjë.

Kështu e lamë qytetin e portit dhe karroja e fuqishme shpejton në një serpentinë të rrezikshme. Udhëtimi ynë shkon përpjetë në mal, teposhtë në mal, nëpër katundin idil të Delvinës përbri një tyrbeje ku ndonjë muhamedan i shenjtë prehet në arkivolin e tij të brejtur prej druri, përpjetë dhe për poshtë prapë. Unë s´do t’ju lodh me një përshkrim të ri të terrenit shqiptar. Malet aventuriere janë njësoj të larta, njësoj të ashpra dhe romantike, në jug të Shqipërisë sikurse ne veri.

Kthesat e serpentinës, po ashtu guximtare e pakuptueshme. Unë dua vetëm t’i ve edhe një bojë tjetër majës së maleve me dëborë të bardhë dhe shpateve bojë hekuri në gri: tullë të kuqe. Disa nga malet janë në tullë të kuqe të tërbuar, në një nuancë që qëndron e magjepsur kundrejt asaj të bardhës dhe hirit, edhe pse efekti në fillim të duket shtangës, jo e natyrshme. Kështu është. Natyra vetë të jep një mbresë të panatyrshme.

Pasi iu afruam postës kufitare greke dhe pamë diellin të reflektojë, në tytat e pushkëve të rojeve kufitare rruga zgjatet drejt, si një vizore nëpërmjet një korridori alpesh të çelët. Në mes të korridorit rrjedh lumi Drin dhe në mbarim të tij, ndërtuar me tarraca, në rrëpirat e shpateve të alpeve, shtrihet qyteti i vogël i Gjirokastrës. Ky ka 11 mijë banor dhe të kujton si në pamje, ashtu dhe në pozicion, Krujën e Skënderbeut.

Përveç kësaj është interesante, se si historia e shqetësuar e vendit iu ka dhënë këtyre qyteteve malore shqiptare vlera të mëdha estetike. Njerëzit janë detyruar të ndërtojnë dhe të banojnë në male dhe shkëmbinj të pakalueshëm, të ngrenë shtëpi si të varura në muret shkëmbor, në pozicione më të habitshme. Udhëtari modern ka përparësi nga kjo gjendje. Rezultati të jep një dëfrim sysh, pa asnjë pamje ekuivalente në Evropën e lindjes.

Gjirokastra ka rrugët e saj të ngushta të mesjetës, pazarin e saj oriental, kalanë e madhe të saj e cila ka zgjedh një pozicion kërcënues dhe dominues, në një pllajë të lartë dhe të harruar. Edhe në Gjirokastër, jeton kujtimi i një burri të fortë dhe të jashtëzakonshëm, që edhe ai ka luftuar për lirinë e Shqipërisë edhe ndonëse me më pak qëllime fisnike sesa Skënderbeu.

Ai është Ali Pash Tepelena, i cili në fillim të viteve 1800 sundonte si diktator në këtë krahinë, prijësi që tallej me ekspedicionet ndëshkuese, të dërguar prej Portës së Lartë në Kostandinopojës dhe gëzonte një konsideratë ndërkombëtare për trimëri dhe ashpërsi. Bile edhe Napoleoni i lypi ndihmë një herë, këtij Pashës së fuqishëm, por pa sukses. Me gjithë trimërinë e tij, Ali Pash Tepelena nuk ishte aq popullor midis shtetasve të vet. Zakoni i tij të fusë njerëzit e pabindur në kafazet e tigrave, nuk shihej si vepër xhentëlmenësh.

Për Ali Pash Tepelenën dëgjova një histori të vogël në Gjirokastër, e cila s´është pa magjepsjen e saj. Në Voskopojë, jo larg prej këtu, lindi Mehmet Aliu, ai burri që themeloi dinastinë e kedivëve në Egjipt. Ali Pash Tepelena dhe Mehmet Aliu, që të dy përdorën dinakëri dhe mizori në karrierat e tyre dhe jo pak ushqenin ndjenjën e rivalitetit kundrejt njëri tjetrit. Kur Mehmet Aliu arriti qëllimin e tij të jetës dhe u bë zoti i Egjiptit, i dërgon një letër vëllait të grindjeve të vjetra:

“Unë tani jam bërë sunduesi i Egjiptit të madh”, shkroi ai, “dhe të dërgojë ty përshëndetjet e mia dhe një betim për miqësinë time. Unë të ftojë ty, zot i Shqipërisë së Jugut, që të fillojmë një letërkëmbim miqësor me mua, që jam zot mbi Egjiptin”.

Ali Pash Tepelena duhet ta kishte ndier veten krenar. Çfarë ishin malet e tij të zhveshur, karshi perandorisë egjiptiane? Asgjë. Por, përgjigja e tij qe:

“Ti, duke e quajtur veten sundimtari i Egjiptit, mendon ti se ke të drejtë të më shkruash mua në një ton të barabartë. Mbaje mend, është kollaj të jesh zot i egjiptianëve, por vështirë të jesh i shqiptarëve. Sepse, çdo shqiptari i duket vetja se ai vetë është një Ali Pashë Tepelenë ose Mehmet Ali!”

Mehmet Aliu hoq dorë nga letërkëmbim tjetër.

– Ne do ta marrim Gjirokastrën më thellë një ditë tjetër, thotë Delvino Beu. Por, megjithatë do t’i hedhim një sy kalasë.

– Plotëson ndonjë funksion kalaja në këtë kohë?

– Në maksimum. Një burg i madh është përfshirë në të atje lart. Është mjaft i mbushur, shton ai me buzëqeshje.

Kjo kalaja e vjetër dukej sikurse shumica e kalave shqiptare: mure të trasha gurësh, frëngji të ngushta, me panorama mahnitëse. Unë qesh më i interesuar për burgun. Pas një copë here diskutimi të nxehtë me drejtorin, arriti Delvino Beu të marrë një leje vizite. Hymë nëpër një qemer me lagështi, porta hekuri të ndryshkura hapen dhe mbyllen pas nesh dhe, kështu, gjendemi në dhomën e drejtorit e cila është e ndriçuar dhe e këndshme, me një tavolinë shkrimi impresionuese.

Drejtori është një burrë në moshë mesatare, me sy miqësor dhe mirësjellje. Njeriu më i afërt i tij hedh pushkën në krah dhe largohet për të marrë disa copa komposto që i kanë prodhuar të burgosurit. Nuk shijojnë aspak keq dhe pas disa minutash bashkëbisedimi, nisemi për në një qemer tjetër, për të përshëndetur tek akomodimi i kalasë. Përsëri kërkëllojnë portat e larta të hekurit, ushtarët qëndrojnë në gatitje të rreptë kur kalojmë neve, një nga ta bile përshëndet me armë.

Kur hapet porta e fundit e kangjellave, ndodhemi në një korridor të madh me një radhë dyersh, në çdo anë me brava hekuri. Dyert e qelive nuk të bëjnë ndonjë përshtypje bindëse, siç duket janë që nga koha e Ali Pash Tepelenës. Në çdo derë ka një vrimë të vogël dhe unë shikojë në njërën nga to, që kam më afër.

Më bënë sytë? Është e vërtetë?

Qelia me të vërtetë s´është e madhe, por me dritë dhe ajër. Në disa krevate portative janë ulur gjashtë burra dhe një grua. Atmosfera është e gëzueshme dhe e lirshme. Pinë duhan, qeshin, flasin dhe luajnë letrash. Një figurë e zezë e vogël, zbulon gjëra të shijshme nga një shportë. Një histori hokatare shpërthen një breshëri të qeshurash, e cila dëgjohet larg, jashtë në korridor dhe bëri që si drejtori ashtu dhe post-rojet të rrudhin buzët. Ai grupi i gëzuar nuk më sheh ku unë qëndroj në vrimë të derës.

Nxitoj tek qelia tjetër dhe përjetojë të njëjtën skenë, këtë herë me pesë burra pjesëmarrës.

– Ju duket se jeni ithtar i trajtimit human, të të burgosurve! – shpërthej unë.

Ai qesh i kënaqur:

– Pse duhet të jesh aq i ashpër me këta fatkëqijtë të gjorë, të cilët në shumë raste as që e kuptojnë se çfarë kanë bërë?

– Çfarë lloj kriminelësh, strehon burgu?

– Disa vrasës dhe hajdutë, ndonjë rast gjakmarrje, si dhe një pjesë personash që veprat e tyre unë s´i kam aq të qarta.

– Sa i gjatë është orari i punës?

– Si rregull unë nuk i detyroj ata për ndonjë punë. Pse duhet të aplikohet dënime të ashpra, pa qenë nevoja?

S´qe një ngjarje e cila u duk si një mendim që unë, në këtë moment, më erdhi një melodi në buzë, nga skena e “Copë lëkura”?

– Tani duhet të largohemi. Baba Selimi pret, vë në dukje Delvino Beu. Dhe, kështu largohemi nga burgu i gëzuar i qytetit malor dhe zëmë vend në ata automobila, që ndërkohë i kanë prurë përpara. Një numër zotërinjsh nga qyteti i Gjirokastrës janë bashkuar me grupin tonë, për të shërbyer si shoqërues gjatë vizitës tek mistiku, Baba Selimi. Kolona e automobilave fillon rrugën. Shpejtojmë përsëri përpara, në rrugën e mrekullueshme të korridorit të alpeve.

– Jam me të vërtetë i gëzuar që arrita ta përgatis këtë takim me Baba Selimin, pohon i kënaqur Delvino Beu dhe mbush llullën. Ai pi duhan anglez, të cilin e importon direkt. Monopoli shtetëror nuk sjell duhan për llullë.

– Nuk qe aq kollaj, vazhdon ai. E shihni, Baba Selimi ka një frikë të madhe për të mos u konsideruar si ndonjë far kurioziteti nga kureshtarë të huaj dhe si pasojë, mjaft dyshues. Por, atëherë, unë theksova, se ju dhe zonja juaj keni udhëtuar që prej Stokholmi për në Gjirokastër për të paraqitur një raport mbi pozitat e religjionit muhamedan në Suedi, atëherë ai u gëzua aq sa na ftoi neve të gjithëve për drekë.

– Po kush është Baba Selimi? Pyetëm neve për një herësh, zonja ime dhe unë.

– Juve e dini apo jo, se Bashkësia Bektashiane është sekti religjioz më i organizuar i vendit. Urdhri është i organizuar në një numër tyrbesh e teqesh, ku çdo njëri përbëhet nga dhjetë deri në tridhjetë dervishë, me një Baba si shef. Në këtë manastir, që ne jemi duke shkuar, në të vërtetë ka vetëm nja dhjetë e ca dervishë, por prijësi është Baba Selimi, gëzon një famë e cila shkon larg, jashtë kufijve të Shqipërisë. Baba Selimi është burrë aq i çuditshëm, sa ai titullohet “Shenjtëria e Tij”, nga të lartë dhe të ulët.

Influenca e tij përveç tjerash nuk është e kufizuar vetëm në jetën religjioze të vendit. Ai ndërkohë është edhe një faktor i fuqishëm politik. Përpara zgjedhjeve të rëndësishme mund të ndodhë që politikanët e jugut shqiptar, të shkojnë në Bashkësinë Bektashiane për të marrë përkrahjen e Baba Selimit, në fushatën e afërt të votimeve.

– Po si ka mundur ai të fitojë këtë pozicion?

– Po, kësaj pyetje s´është lehtë t´i përgjigjesh! Por, çdo gjë që ka krijuar autoritetin e tepërt, të prijësit të dervishëve, ka ndikuar veçanërisht situata, se ai është izoluar krejtësisht nga “profanum vulgus” dhe jetën e tij private ia ka kushtuar veç thjeshtësisë që prek, për të mos thënë  kalon në të pabesueshmen. Babai tani është diku mbi gjashtëdhjetë vjeç. Gjatë 45 vjetëve, e dëgjon se ç´them unë: dyzet e pesë vjet, ai vetëm një herë ka dalë prej dhomës tij në Teqe. Ajo qe gjatë Luftës Botërore, kur granatat bullgare i vunë zjarrin shtëpisë së tij dhe ai duhej të priste, në një Teqe tjetër, ndërsa prona e tij po riparohej.

– Ai është pra me një defekt fizik?

– Aspak. Ai është njëlloj i shëndoshë si ju dhe unë. Përjashto atë shkëputjen e vogël që unë padyshim duhet ta konsideroj si force majeure; ai pra gjatë dyzet e pesë vjetësh me radhë, kurrë nuk ka parë diçka tjetër sesa katër muret e dhomës së tij të gjatë dhe ato alpet e përjetshme të mbuluara me dëborë, që duken nga dritarja e tij. Baba Selimi nuk ka zbrit poshtë, as në bahçen e Teqesë për të parë ato lulet e bukura që ka krijuar Allahu, për kënaqësi të njeriut. Ai ka braktisur çdo gjë, me përjashtim të Kuranit dhe tema të ndryshme religjioze e shkencore. Ai ka hyrë vullnetarisht në një “burg” pambarim, më i rreptë se të ndonjë murgu, për të treguar se ai ka pretendime jo vetëm për të tjerët, por edhe për vetveten.

– Një shenjtor modern…!

– Ndoshta po. Në çdo rast Baba Selimi, është bërë burrë i shenjtë në sytë e popullit shqiptar. Njerëzit bëjnë pelegrinazh tek ai, për të mund me ia puth dorën; burra të mëdhenj i luten për këshillime, teologë të shquar prej vendeve muhamedane e kanë për nderë të marrin përgjigje të letrave të tyre, nga një shërbyes i tillë i Muhamedit. Qindra mijëra shqiptarë kanë marrë dorë në urdhrin bektashian dhe një fjalë nga Baba Selimi, për një çështje të politikës së brendshme, mund të ketë domethënie pa masë.

Me gjithë që ky “eremiti bisarr” kurrë s´ka denjuar të dalë jashtë midis bashkatdhetarëve të vet dhe të shohë vendin e vet, prapë se prapë ai ka krijuar pozitën e tij e cila është shumë më solide se e shumë bejlerëve të pasur. Ai kurrë s´ka kërkuar kënd, por kërkohet, nga të gjithë dhe nga çdo njëri. Ai është një paradoks i gjallë. Dyzet e pesëvjeçari i izolimit i ka dhurua atij një pozitë pushteti, me përmasa për t´u lakmuar.

– Tani jeni ulur dhe tregoni përralla, Monsinjor Delvino!

– Allahu është dëshmitari im, se unë flas të vërtetën dhe vetëm të vërtetën! Pyetni cilin të doni në Shqipëri! Shkruaj dhe informohuni tek udhëheqja e lartë e Selisë Muhamedane! Ju do të merrni po të njëjtat informata. Shikoni, atje përtej, në të majtë tashmë mund të dalloni Teqenë Bektashiane …!

Përpara nesh ngrihet një kodër e gjatë dhe atje në majë unë shoh pronat e Baba Selimit: një grumbull ndërtimesh të bardha të rrethuara nga një mur dhe mbas murit, alpe blu të shkëlqyeshëm kurorëzuar nga bora e bardhë verbuese. Dyzet e pesë vjet pa ta pas ënda, aq shumë sa pesë minuta të shkreta shëtitje, në këto rrethina të mrekullueshme! Kjo është Evropa, në të cilën ndodhemi ne? Po, kjo është Evropa …