LAJMI I FUNDIT:

Rënie e thellë e ekonomisë në Evropë

Rënie e thellë e ekonomisë në Evropë

Në Itali kanë vdekur deri tani më shumë se 35,500 persona të infektuar me virusin COVID-19. Përveç kësaj ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës, pas Gjermanisë dhe Francës, pret një recesion të rëndë këtë vit për shkak të kufizimeve masive në luftën kundër pandemisë.

Siç njofton Zyra Kombëtare e Statistikave vetëm në tremujorin e dytë midis muajve prill dhe qershor, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Italisë u tkurr me një shpejtësi rekord prej 12.8 për qind në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Deri tani supozohej se minusi do të ishte 12.4 për qind. Pandemia e goditi Italinë shumë më rëndë sesa ekonominë gjermane, e cila ra më 9.7 për qind.

Komisioni i Bashkimit Evropian supozon që ekonomia e Italisë të shënojë për vitin në tërësi një rënie prej 11.2 për qind. Parashikimi zyrtar i qeverisë në Romë është një minus prej 8 për qind. Por ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri tashmë ka treguar se ky vlerësim duhet të korrigjohet dhe se rënia është më e madhe.

Megjithatë Gualtieri theksoi kohët e fundit gjithashtu se tremujori i tretë aktual pritet të sjellë një rritje të fortë.

Edhe në Poloni ekonomia ka rënë për shkak të krizës së pandemisë COVID-19. Prodhimi i Brendshëm Bruto u tkurr në tremujorin e dytë me 8.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo u njoftua nga agjencia e statistikave GUS në Varshavë.

Në tremujorin e parë ekonomia polake u rrit me dy përqind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Spanjës pësoi një rënie rekord prej 18.5 për qind në tremujorin e dytë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Sipas qeverisë spanjolle, ekonomia tani po bën hapa të mëdha drejt rimëkëmbjes.

“Në tremujorin e tretë vërehet një rritje e prodhimit të brendshëm bruto prej më shumë se 10 për qind”, tha ministrja e Ekonomisë, Nadia Calvino.

Një rikuperim i fortë duket veçanërisht në tregun e punës. Gjatë krizës së virusit COVID-19 papunësia e lartë në Spanjë u rrit në mënyrë masive.

Midis prillit dhe qershorit humbën punën 1 milion vetë, më shumë se kurrë më parë në një tremujor. Sidomos sektori i turizmit, i cili është i rëndësishëm për vendin, u godit rëndë nga kriza. /Deutsche Welle/