Haddad: Franca ka qenë dhe mbetet mike e Kosovës, marrëdhëniet tona po hyjnë në një momentum të ri

Ministri i Deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, ka deklaruar se vizita e tij në Kosovë është dëshmi e miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm mes dy vendeve.
Në konferencën e përbashkët për media me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, pas takimit në Prishtinë, Haddad tha se e konsideron veten mik personal të Kosovës dhe se Franca ka qenë konsistente në mbështetjen e saj për vendin.
“Jam i lumtur që jam këtu si një mik personal i Kosovës, si përfaqësues i presidentit Macron. Lidhjet tona me Kosovën janë të qëndrueshme dhe konsistente”, deklaroi Haddad.
Ai përmendi mbështetjen e Francës për Kosovën ndër vite, duke përfshirë rolin e saj në vitin 1999, mbështetjen për Pakon e Ahtisarit, pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe iniciativën franko-gjermane për normalizim gjatë viteve 2022-2023.
“Mbështetja jonë dhe miqësia jonë janë të kahershme. E konsideroj veten një mik personal të Kosovës prej shumë kohësh. Kur u zgjodha deputet në vitin 2022, vendosa t’i bashkohem Grupit të Miqësisë Francë–Kosovë në Asamblenë Kombëtare, pikërisht për shkak të kësaj historie të përbashkët”, tha ai.

Haddad vlerësoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Francës po marrin një shtysë të re, duke përmendur nënshkrimin e pesë marrëveshjeve gjatë vizitës së tij.
“Jam i lumtur që kemi nënshkruar pesë marrëveshje gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë të avancojnë një agjendë pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Këto marrëveshje janë konkrete dhe krijojnë perspektivë për bashkëpunim afatgjatë”, u shpreh ministri francez.
Ai theksoi se me të në Kosovë kanë ardhur edhe përfaqësues të disa kompanive franceze dhe të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve franceze në Kosovë.
“Ne mund të forcojmë marrëdhëniet tona tregtare, investimet franceze në Kosovë dhe të krijojmë më shumë mundësi biznesi mes dy vendeve tona”, tha Haddad.
Sipas tij, AFD tashmë po mbështet Kosovën me projekte të rëndësishme, përfshirë 80 milionë euro për tranzicionin energjetik dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike. Ai bëri të ditur se është nënshkruar edhe një kredi prej 60 milionë eurosh për rinovimin e kompleksit të banimit të studentëve, i cili do të shërbejë si Fshati Olimpik për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Projekti do të përfshijë gjithashtu investime në objektet sportive dhe në shkollat përreth Qendrës Studentore. Ky është një investim që do të sjellë përfitime shumë përtej Lojërave Mesdhetare të vitit 2030”, deklaroi ai.
Para takimit me Konjufcën, Haddad kishte shkruar edhe në platformën “X” se kishte mbërritur në Kosovë për një vizitë dyditore me synim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Kam arritur në Kosovë për një vizitë dyditore për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Në agjendë: Frankofonia, investimet e AFD-së, bashkëpunimi në siguri dhe çështjet rajonale”, kishte shkruar Haddad.
Ai shtoi se kjo vizitë vjen pas takimit të presidentit francez Emmanuel Macron me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 17 mars, dhe është pjesë e angazhimit të Francës për forcimin e rolit të saj në Ballkanin Perëndimor dhe për afrimin e kontinentit evropian. /Telegrafi/
Je suis arrivé au Kosovo pour une visite de deux jours pour renforcer la relation entre nos deux pays. 🇫🇷 🇽🇰
À l’agenda : francophonie, investissement de l’AFD, coopération de sécurité, enjeux régionaux.
Ce déplacement fait suite au déjeuner entre @EmmanuelMacron et…
— Benjamin Haddad (@benjaminhaddad) July 27, 2026







































