Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, tha se vizita në Kosovë e ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe përkushtimin e përbashkët për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë.

Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, Konjufca theksoi se Franca ka qenë një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.


“I nderuar ministër Haddad, vizita juaj është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Francës, dy vende që ndajnë të njëjtin vizion për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë. Franca, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian të vendit tonë”, deklaroi Konjufca.

Ai bëri të ditur se gjatë vizitës janë nënshkruar katër marrëveshje të rëndësishme dhe një letër qëllimi, të cilat, sipas tij, e çojnë bashkëpunimin mes dy shteteve në një nivel të ri.

“Së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, nënshkruam katër marrëveshje të rëndësishme, së bashku me letrën e qëllimit. Kjo tregon se Franca dhe Kosova, përmes këtyre marrëveshjeve, po e ngrisin në një dimension krejt të ri marrëdhënien e tyre bilaterale”, u shpreh ai.

Konjufca tha se në takim është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, çështjet e sigurisë dhe zhvillimet në rajon, ndërsa falënderoi Francën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“E shpreha mirënjohjen tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për vendin tonë, përfshirë këtu edhe ndihmën për organizimin e Lojërave Mesdhetare”, tha ai.

Duke folur për integrimin evropian, Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian.

“Në një kohë kur Evropa përballet me sfida të mëdha të sigurisë, besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë, më i drejtë dhe i bazuar në meritë. Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.

Sa i përket situatës së sigurisë në rajon, Konjufca kritikoi retorikën që, sipas tij, relativizon krimet e luftës.

“Retorikat që i justifikojnë apo relativizojnë krimet e viteve të 90-ta, siç po ndodhin nga Serbia, janë jo vetëm provokim, por edhe të papranueshme dhe të papërputhshme me vlerat e qytetërimit, paqes dhe demokracisë. Ato nuk mund të kenë vend në Evropën demokratike”, theksoi ai.

Në fund, Konjufca rikonfirmoi gatishmërinë e Kosovës për ta ndihmuar Francën në përballjen me zjarret.

“Më lejoni ta riktheksoj gatishmërinë që e ka shprehur ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, se jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me kapacitetet që kemi”, përfundoi Konjufca. /Telegrafi/