LAJMI I FUNDIT:

Rëndësia e të qënit kreativ

Rëndësia e të qënit kreativ

Cili është çelësi i kreativiteti dhe si e ndihmon kjo shëndetin tuaj mendor? Pjesë të shkrimit të gazetares Beverley D’Silva, të publikuar në BBC, Telegrafi sjell më poshtë.

Maya Angelou thotë se kreativiteti është një gropë pa fund: “Sa më shumë e përdorni, aq më shumë keni”, ka thënë romancierja. “Kreativiteti është inteligjencë duke u argëtuar”, është fraza që shpesh i atribuohet Albert Einsteinit. Ndërsa, mjeshtri i marketingut, David Ogilvy, erdhi tek kjo nga perspektiva e biznesit: “Nëse nuk shitet, nuk është kreative”.


E dimë se kreativiteti është i gjallë në të gjitha fushat e jetës. Por, fjala që buron nga creare në latinishti – për të bërë – lidhet më shpesh me artet dhe me kulturën. Besohet se është shfaqur për herë të parë në veprën letrare të shekullit XIV, “Tregimet Kanterbërit” nga Geoffrey Chaucer.

“Kreativiteti është rendi natyror i jetës. Jeta është energji – energji e pastër kreative”, është një nga 10 parimet themelore që gjenden në udhëzuesin e Julia Cameronit, “Rruga e artistit”. Nëntitulli është “Shtegu shpirtëror drejt kreativitetit më të lartë”, sepse, siç thotë ajo, “për mua, kreativiteti është përvojë shpirtërore”. Për Cameronin, nuk ka asnjë “elitë kreative”; të gjithë jemi kreativë.

Receta e saj e “rimëkëmbjes kreative” është të shkruash “faqe në mëngjes” – tri faqe me shkrim dore. Faqet “zhvillojnë kreativitetin tonë dhe e inkurajojnë besimin në potencialin tonë”, thotë ajo. “Data e artistit” është mjeti i dytë i saj; një përvojë javore për të nxitur “artistin e brendshëm” – si një vizitë në kopshtin zoologjik ose blerja e lapsave.

Libri i ri i saj, “Rruga e dëgjimit: Arti kreative i vëmendjes”, rishikon këto dy mjete dhe e shton ecjen “për të nxitur momentin ‘aha'”. Libri përqendrohet në dëgjimin – të të tjerëve, vetes, mjedisit, paraardhësve tuaj, heshtjes.

“Njerëzit gjithmonë më pyesnin se si mund të vazhdoj të jem kaq prodhuese dhe përgjigjja ime është se unë dëgjoj – dhe ‘dëgjoj’ se çfarë duhet të bëj më tej”, thotë ajo.

Intuita dhe “udhëzimi” që “vjen nga brenda” e kanë ndihmuar të qëndrojë pa pirë qëkur ishte 29 vjeçe – pas betejave të shumta me alkoolin. Po të pinte, thotë ajo, do të duhej t’ia jepte lamtumirën kreativitetit. Ndaj, nuk është rastësi se “Rruga e artistit” është sistem 12-javor i “rimëkëmbjes”, në të njëjtën mënyrë se si alkoolistët anonimë e ndjekin programin 12-hapësh të marrjes së vetes.

Cameron tregon se e ka marrë një “mesazh” në të 20-at e saj, kur u dërgua nga revista “Playboy” për të intervistuar regjisorin e filmit Martin Scorsese: “Kam dëgjuar një zë që thoshte: ‘Ky është burri me të cilin do të martohesh’. Thash me vete, a e di ai këtë”? Kjo shpejtë ndodhi. Ata u martuan dhe kanë një vajzë, Domenican që tani është 46 vjeçe, regjisore filmi që ka shkruar me besnikëri “faqet e mëngjesit” qëkur nëna e saj del me këtë ide.

Një zë i brendshëm që nuk doni t’i kushtoni vëmendje është “kritiku i brendshëm”. Cameron e njeh të sajin – madje ka një personazh, Nigelin, që është mjeshtër britanik i interierit “për të cilin asgjë nuk është kurrë mirë”. Ajo është ballafaquar me të për të botuar 40 libra dhe për të shkruar këngë e mjuzikla pavarësisht se ishte “personi jomuzikor” në familje.

“Kur e ligjërojë zhbllokimin krijues, vet zhbllokohem”, thotë ajo për arsyen se pse vazhdon të ligjërojë në të 70-at e saj, pa plan për të dalë në pension.

Shkrimtarja Elizabeth Gilbert e pranon ndikimin e Cameronit tek ajo, duke thënë se “pa ’Rrugën e artistit’ nuk do të ishte vepra ‘Ha, lutu, dashuro”, duke iu referuar memoareve të vitit 2006 që janë shitur në 12 milionë kopje. Gilbert e eksploroi kreativitetin në librin e saj të vitit 2015, “Magjia e madhe: Jeta kreative përtej frikës”. Ajo u frymëzua ta shkruante pasi kishte takuar shumë njerëz që u ankuan se ishin të bllokuar në aspektin kreativ. Problemi kryesor i tyre ishte “frika dhe grumbullimi i frikës”.

“Kreativiteti gjithmonë e provokon frikën tuaj”, thotë Gilbert.

Liria për të gabuar, veçanërisht në moshë të re, është jetike për kreativitetin, ka thënë i ndjeri Ken Robinson, fjalimi i të cilit, “A e vrasin shkollat kreativitetin?” është një nga videot më të shikuar në historinë e TED-it. “E dimë se nëse nuk jeni i përgatitur për të gabuar, kurrë nuk do të dilni me ndonjë gjë origjinale”, ka thënë ai. Ai shprehu keqardhje për faktin se shpesh “edukohemi pa kreativitet”, duke e parë këtë si dështim të sistemit arsimor.

Ishte mjeshtri i reklamave, Alex Osborne, i cili shpesh përmendet si mësuesi pionier i kreativitetit. Osborne, apo “babai i brainstorming-ut” e zhvilloi Fondacionin e Edukimit Kreativ në vitet 1950’60. Ligjërimi i “zgjidhjes së problemit të kreativitetit”, ose CPS, kishte katër hapa: sqarim, ideim, zhvillim dhe implementim. Fillon me dy supozime: të gjithë në një farë mënyre janë krijues dhe aftësitë krijuese mund të mësohen e të forcohen.

Duke i ndjekur gjurmët e tij, Dorte Nielsen ia ka kushtuar jetën ndihmës që të tjerët të bëhen mendimtarë krijues. Pasi është marrë me reklama në vitet 1990, Nielsen u kthye në vendlindjen e saj në Danimarkë, për të themeluar Qendrën për Mendim Kreativ në Kopenhagë.

“Mendimi kreativ është si çdo aftësi tjetër në jetë. Sa më shumë që e praktikoni, aq më të mirë bëheni”, thotë Nielsen.

Vepra e saj e fundit, “Sekreti i mendimtarit shumë kreativ: Si t’i bëni ndërlidhjet që s’i bëjnë të tjerët” flet për rritjen e kreativitetit e ushtrimet që frymëzojnë ndërlidhjet dhe mendimin kreativ.

“Njerëzit shumë kreativë janë të mirë për t’i parë ndërlidhjet”, thotë ajo. “Duke e rritur aftësinë për t’i parë ato, mund ta rrisësh kreativitetin”.

Për këtë e citon shembullin e Picassos që pasi sheh një biçikletë e riimagjinon ulësen dhe dorezat për të krijuar skulpturën e tij, “Koka e mëzatit”.

Por, çfarë roli luan muza kreative?

Në aspektin e Picassos, nuk mund të shfaqet. “Frymëzimi ekziston, por duhet t’ju gjejë duke punuar”, ka thënë ai. Novelistja Isabel Allende i bëri jehonë kësaj me këshillën: “Shfaqu, shfaqu, shfaqu”. Ndërkohë, Frida Kahlo deklaroi: “Unë jam muza ime. Unë jam subjekti që e njoh më së miri”.

Të tjerët besojnë se mund të inkurajojmë frymëzimin, të cilin Cameron e quan “energji shpirtërore elektrike”, burim ose “rrjedhë”, termi i shpikur në një libër të vitit 1990 nga Mihaly Csikszentmihalyi, për të përshkruar zhytjen në një aktivitet krijues.

Artisti kolumbian, Dairo Vargas beson se kjo është kështu. Ai i përdor teknikat e “rrjedhës” për pikturat e tij abstrakte-ekspresioniste. Vargas kërkon ndërgjegjësim për shëndetin mendor dhe në pikturë ai e ka gjetur shpëtimin nga depresioni.

“Kur jemi të vegjël, jemi të lumtur që pikturojmë dhe që krijojmë, sepse emocionalisht jemi të lirë”, ka thënë Vargas. “Me disa rreshta, fëmijët tregojnë shumë histori”. Kur punon me të rritur, ai zbulon se meditimi i ndihmon të lidhen me një energji më të lartë. “Mbylli sytë, merr frymë, e të gjitha informacionet që ju nevojiten janë aty”.

Për të tjerët, kreativiteti është si larja e dhëmbëve – një domosdoshmëri e përditshme. Kreativiteti krijon lidhje, me veten ose një burim tjetër të madh “universal”; lidhje që krijojnë ide të reja; që e ballafaqon frikën dhe kritikun e brendshëm; që të bën të jesh mendjehapur. Por, për Walter Isaacsonin, zgjuarsia kreative nuk është asgjë pa një mendje kërkuese. Isaacson është autor biografisë së Leonardo da Vincit. Kur u pyet nga National Geographic se çfarë e bëri Leonardon një gjeni, ai i identifikoi aftësitë e tij si polimat. Por, po ashtu tha: “Të jesh kureshtar është kryesorja… kështu e nxiti veten dhe e mësoi veten të jetë gjeni… ne kurrë nuk do t’i imitojmë aftësinë matematikore të Einsteint, por mund të përpiqemi të mësojmë nga kopjimi i kureshtjes së Leonardos”. /Telegrafi/