LAJMI I FUNDIT:

Rektor i UP, dikush nga katedra e Matematikës

Rektor i UP, dikush nga katedra e Matematikës

Në situatën e krijuar në Universitetin “Hasan Prishtina”, vetëm katedra e Matematikës u tregua celulë e shëndoshë akademike brenda këtij Universiteti. Kur u sulmuan kolegët e tyre, Dukagjin Pupovci e Qëndrim Gashi, për nivelin e tyre akademik, katedra e Matematikës, pavarësisht se përbëhet nga profesorë me bindje të ndryshme politike, reagoi si një njësi akademike, mori qëndrim dhe u vu në mbrojtje të akademizmit të Dukagjin Pupovcit e Qëndrim Gashit.

Kam ndjerë keqardhje që katedra e Historisë nuk ishte në gjendje ta bënte të njëjtën gjë për Ibrahim Gashin. Nëse niveli akademik i Ibrahim Gashit nuk është ai i duhuri për një profesor universiteti, atëherë kjo tregon nivelin jo-akademik të katedrës së Historisë tek e cila Ibrahim Gashi ka marrë titujt shkencorë e akademikë. Nëse ia kanë dhënë këta tituj atëherë është dashtë të qëndrojnë në mbrojtje të tij në kuptimin akademik.


Sidoqoftë, është shumë e rëndësishme deri në zgjedhjen e rektorit të ri, kush do të jetë ai që do të emërohet ushtrues detyre i postit të rektorit. Ky njeri duhet të jetë nga katedra e Matematikës. Cilido që zgjedhet nga kjo katedër, nuk është gabim. Megjithëkëtë, unë propozoj që UD i rektorit të jetë Dukagjin Pupovci, për shkak të nivelit të tij akademik, guximit intelektual, energjisë së pashoqe për t’u marrë me probleme të arsimit dhe moshës ideale për të qenë rektor i Universitetit.