LAJMI I FUNDIT:

Reja i lumtur me fitoren dhe tregon tre futbollistët që i pëlqyen më së shumti: Krenar që jam pjesë e kësaj Kombëtare

Reja i lumtur me fitoren dhe tregon tre futbollistët që i pëlqyen më së shumti: Krenar që jam pjesë e kësaj Kombëtare

Kombëtarja shqiptare ka arritur një fitore të madhe në udhëtim te Bjellorusia duke triumfuar me rezultat 0-2.

Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare shënuan dy golat për Shqipërinë për ta nisur mbarë edicionin e ri në Ligën e Kombeve.


Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja është shprehur i lumtur me arritjen e objektivit në ndeshjen e parë.

“Objektivi ynë ishte të fitonim këtë ndeshje. Ja arritëm qëllimit. Pjesa e parë ishte goxha mirë, në pjesën e dytë patëm probleme fizike dhe e ulëm disi rritmini. E rëndësishme është që fituam dhe të vazhdojmë kështu”, tha Reja.

Ai foli edhe për takimin me Lituaninë, ku shpreson t’i rikuperojnë lojtarët e lënduar.

“Do të jetë e vështirë të rikuperojmë forcat për ndeshjen e radhës. Do të shoh gjendjen e lojtarëve, pasi të kemi vëzhguar me kujdes, do të vendosim si do të luajmë ndaj Lituanisë. Uroj që ndaj Lituanisë të bëjmë ndeshje si këtu në pjesën e parë. Kemi pasur lojtarë me probleme si Trashi dhe Gjimshiti. Shpresoj që të rikuperojmë sa më shumë forca në ndeshjen e ardhshme”, vazhdoi tutje trajneri italian.

Tutje trajneri me përvojë të gjatë në futbollin evropian tregoi se mbrojtja i pëlqeu jashtëzakonisht shumë, teksa ka përmendur edhe tre emrat e futbollistëve që i kanë lënë më së shumti përshtypje.

“Më ka pëlqyer më shumë mbrojtja që luajti mirë gjatë gjithë kohës. Sulmi pati oshilacione. Më pëlqyen shumë Abrashi, Bare, Trashi. Sakrifikuan shumë dhe bënë shumë kilometra. Mund të kemi debutime ndaj Lituanisë, duke parë gjendjen e grupit”, vazhdoi tutje Reja.

Krejt në fund italian tha se është krenar që është pjesë e Kombëtares shqiptare.

“Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre. Djemtë po japin shpirtin në fushë. Mora vesh që Kazakistani kishte fituar. Nuk është e lehtë të thuash që rruga është e lehtë. Kemi mungesa, Kumbullën, Ismajlin, etj. Duhet të shikojmë gjendjen e lojtarëve. Do të punojmë për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen”, përfundoi Reja. /Telegrafi/