LAJMI I FUNDIT:

Refuzimi i Kurtit për të kandiduar në zgjedhje, varianti i ri i coronavirusit dhe keqtrajtimi i qytetarit nga një polic – ngjarjet e javës që lamë pas

Refuzimi i Kurtit për të kandiduar në zgjedhje, varianti i ri i coronavirusit dhe keqtrajtimi i qytetarit nga një polic – ngjarjet e javës që lamë pas

Javën që shkoi Gjykata Supreme ka vendosur që t’i refuzohet ankesa Albin Kurti dhe Albulena Haxhiut lidhur me kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit, ndërsa pjesërisht janë pranuar ankesat e Liburn Aliut dhe Labinotë Demit. Supremja ka vendosur që t’i lejohet kandidimi për deputet Shemsedin Dreshajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Javën që lamë janë konfirmuar edhe rastet e para në Kosovë të infektimit me variantin e ri të coronavirusit, ndërsa po ashtu janë paraqitur rastet e infektimit për herë të dytë me coronavirus.

Në javën e kaluar ka ndodhur një vrasje e rëndë në Prishtinë, ky dyshohet se babai ka vrarë djalin, ndërsa po ashtu u publikuan pamje të një polici duke e keqtrajtuar një qytetar.

Në Kosovë janë paraqitur raste të infektimit për herë të dytë me COVID-19

Rishfaqja e infeksionit me coronavirus te qytetarët që llogaritet që e kanë kaluar sëmundjen më parë po shkakton shqetësim të mjekët, pasi që sipas tyre kjo e vështirëson menaxhimin e pandemisë.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar Donika Voca-Gashi kishte rezultuar e infektuar me coronavirus. Pas periudhës së izolimit prej tre javësh, me rekomandim të mjekëve ajo kishte rezultuar e shëruar.

Por pas një muaji ajo rezultoi përsëri pozitive me COVID-19 pas testit rapid dhe atij RT-PCR.

“Ka disa ditë që kam disa simptoma për të cilat mendova se është grip i zakonshëm. Kur nëna ime rezultoi pozitive e që unë kisha kontakte me të, mjekët më rekomanduan një test rapid dhe as që e besova që do të dal pozitiv”, tha për RTV Dukagjinin Donika Voca-Gashi.

Për infektologun Sali Ahmeti ri-infektimi me coronavirus është një shqetësim.

Ai tha se momentalisht në Klinikën Infektive është një pacient që po mendohet se është ri infektuar me coronavirus.

“Në praktikën tonë kemi pasur disa raste që kanë manifestuar shenja klinike për herën e dytë dhe që të njëjtin kanë rezultuar pozitiv për herë të dytë në testin PCR. Gjithmonë te sëmundjet infektive raste përjashtuese ekzistojnë. Edhe te COVID-19, për arsye të ndryshme mund të ekzistojnë rastet e infektimit”.

Sllavisha Petkoviq: Lista Serbe po dëshiron më shumë se 10 deputetë për të mos e lejuar Kurtin kryeministër

Ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Sllavisha Petkoviq, e ka denoncuar planin e Listës Serbe për të shpërndarë vota në komunitetet e tjera dhe të marrin deputetë në mënyrë që në të ardhmen t’i bashkohen interesave të Listës Serbe.

Sipas Petkoviq ky skenar tashmë është i qartë. Ai thotë se po provohet një plan që ka ndodhur edhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Këtu po tentohet ai skenari që është zbatuar në Bosnjë, në zgjedhjet e kaluara në Bosnjë e Hercegovinë, kur me votat e boshnjakëve është zgjedhur anëtari kroat i Presidencës së Bosnjës. Fatkeqësisht, edhe kjo është e mundur. Së dyti, kjo është qartësisht kriminale. Pra, është ndërrim i vullnetit të qytetarëve, me përpjekje të ushtrimit të ndikimit mbi komunitetet pakicë, që të ndryshohet baraspesha”, tha Petkoviq.

Sipas tij, kjo skemë e Listës Serbe ka për qëllim që t’ia pamundësojë Vetëvendosjes të krijojë Qeverinë.

Vrasje në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Të mërkurën, më 27 janar vendi është tronditur nga një vrasje e rëndë që ka ndodhur në rrugën “Ndue Perlleshi”, ku ka mbetur i vrarë Albert Krasniqi.

Krasniqi i cili ishte biznesmen i njohur në Prishtinë, dyshohet se u vra nga babai i tij, Skender Krasniqi.

Nga Policia e Kosovës, kanë konfirmuar se lidhur me rastin është arrestuar personi i dyshuar për vrasje, ndërsa kanë konfiskuar edhe një armë që dyshohet të jetë përdorur në rast, transmeton Telegrafi.

I dyshuari ndodhet në paraburgim 30 ditë, ndërsa avokati i tij ka thënë se vrasja ishte aksidentale.

Hoti u shkruan shteteve të QUINT-it dhe BE-së, kërkon të marrin masa pas deklaratës së Vuçiqit dhe presionit të Listës Serbe

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve anëtare të QUINT-it dhe ambasadorit të Bashkimit Evopian në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar reagimin e tyre, pas deklaratave nxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe presionit dhe kërcënimeve të Listës Serbe, ndaj pakicave jo serbe në Kosovë.

Hoti ka thënë se deklaratat dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhje në Kosovë për të prishur proceset demokratike.

‘’Këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vendin tonë. Këto sjellje janë të pa pranueshme. Ne kërkojmë nga ju që të merrni të gjitha masat e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme dhe ta bëni të qartë se ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë’’, ka shkruar Hoti.

Gjykata Supreme vendos, refuzohen Kurti dhe Haxhiu, pranohen pjesërisht dy ankesa për Aliun dhe Demin

Të premten, më 29 janar Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Në njoftimin për media thuhet se ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.

“Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021,  lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftim

Gjykata Supreme e Kosovës e ka pranuar pjesërisht ankesën e LVV-së, për Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezin, pasi që është konstatuar se PZAP ka bërë vlerësim të gabuar të afatit 3 vjeçar duke e llogaritur ditën e shpalljes së zgjedhjeve me datë 6 janar 2021 si ditë përfundimtare për të vlerësuar afatin 3 vjeçar për përshtatshmërinë e kandidatëve, në kuptim të dispozitës të theksuar.

Supremja ka vendosur që kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj të përfshihet në listën e kandidatëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Konfirmohen 3 raste me variantin e ri të coronavirusit në Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në konferencë për media ka thënë se nga 30 mostrat që kanë dërguar për analiza në Gjermani, tri prej tyre kanë rezultuar pozitive.

“Ditëve të kaluara IKSHPK ka dërguar 30 mostra për testim në Gjermani, për variantin e ri të virusit pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të botës. Nga rezultatet e marra tri mostra kanë rezultuar pozitive në testimin preliminar në variantin B117”, ka thënë Zemaj.

Ai ka shtuar se ky variant është raportuar për herë të partë në Britaninë e Madhe.

Zemaj ka shtuar se situatën epidemiologjike jemi duke e monitoruar në vazhdimësi dhe paraqitet stabile dhe e qetë.

Në anën tjetër drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se janë duke u hulumtuar kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitiv me variantin e ri të coronavirusit.

Rashiq: Serbët e Kosovës si në Korenë e Veriut – presioni nga Vuçiqi do të ndodhë edhe në këto zgjedhje

Nenad Rashiq nga Partia Progresive e Serbëve në Kosovë gjatë intervistës për “Përballje”, me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, në Telegrafi.com, ka folur për kërcënimet që po u bëhen serbëve të Kosovës në kohën e zgjedhjeve, për iniciativën që e ka formuar ai me serbë të tjerë me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe gjendjen e serbëve në Kosovë.

Rashiq ka thënë se kanë formuar iniciativën “Për Lirinë, Drejtësinë dhe Mbijetesën”, pasi siç tha ai serbët në Kosovë kanë nevojë për liri, drejtësi e mbijetesë, duke theksuar se është i bindur se do të kenë presion nga politikanët serbë, sikur që ka ndodhur edhe herëve të tjera e që janë të afërt me Listën Serbe të përkrahur nga Beogradi.

“Në ditët e fundit në veçanti, shikoni çka në ditët e fundit u bën më së shumti presidenti, pastaj ministrat, paramendoni ai qytetari çka vepron. Unë dua të citoj çka thotë “Kushdo që nuk voton Listën Serbe, ka me humbë pension, skemën sociale, pagën e krejt”. Kjo ndodh vazhdimisht nga Vuçiq. Unë nuk kam dyshim që ka me vazhdu presioni, sepse këtë dinë të bëjnë. Këtë po e bëj sepse mendoj se meritojmë më shumë dhe më mirë”, ka thënë Rashiq për Telegrafin.

Rashiq, madje ka krahasuar gjendjen e serbëve të Kosovës me qytetarët e Koresë së Veriut.

Pamje se si u keqtrajtua 18 vjeçari nga zyrtari policor Haris Kelmendi

Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, është arrestuar për herë të dytë të shtunën, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Në një video shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga Haris Kelmendi në vitin 2018, vepër kjo për të cilën i njëjti u arrestua.

Mësohet se një 18 vjeçar (emër i njohur për redaksinë) ishte ndaluar nga Policia për kundërvajtje në trafik, i njëjti u keqtrajtua nga Haris Kelmendi në stacionin policor nën prezencën e kolegëve të tij.

Përkundër denoncimit në IPK, Drejtorinë për Standarde Profesionale dhe në Stacion Policor, viktima nuk ia doli ta “dëshmojë” keqtrajtimin e policit, Haris Kelmendi.

Pas torturës që përjetoi viktima, iu drejtua IPK-së, duke provuar që ta bindë këtë institucion që zyrtari policor të ndiqet penalisht. Mirëpo në një afat të shpejtë, u refuzoi ankesën e viktimës, duke konsideruar se nuk kishte prova që Haris Kelmendi e kishte keqtrajtuar të njëjtin, rrjedhimisht nuk kishte elemente të veprës penale.

IPK e kishte referuar rastin në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, mirëpo edhe ky institucion nuk e aprovoi ankesën e viktimës, me arsyetimin se zyrtari policor nuk kishte vepruar në kundërshtim me detyrën e tij.

Drejtoria e Standardeve Profesionale pas refuzimit të ankesës së viktimës, rastin e kishte përcjellur në Stacionin Policor, ku edhe stacioni e kishte refuzuar ankesën, me arsyetimin se nuk ka pasur shkelje nga zyrtari policor.

Mirëpo, rreth dy vjet më pas, krimi i zyrtarit policor Haris Kelmendi, u provua nga vetë telefoni i tij, i cili ishte sekuestruar dhe dërguar për ekzaminim në qershor të vitit 2020.

Ajo çfarë e bën edhe më skandal këtë krim është se video-incizimi i keqtrajtimit ishte shpërndarë nga vetë Haris Kelmendi te dhjetëra zyrtarë policorë, në mesin e tyre një rreshter dhe një toger, mirëpo asnjëri nga këta, asnjëherë, nuk kishte reaguar e as denoncuar krimin e kolegëve të tij.

Krimi i Haris Kelmendit jo vetëm që nuk u parandalua, por viktima u shndërrua në objekt talljeje dhe argëtimi edhe për zyrtarët tjerë policorë që e filmuan goditjen. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat

Aktivisti i PSD-së i shkon në tavolinë deputetit të LVV-së: A po ju vjen marre që e pranuat "Zajednicën", për Këshillin e Evropës...

Lajme
Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Vrasjet e fundit, ekspertët tregojnë lagjet më problematike të Prishtinës

Siguri
Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Votimi i Malit të Zi kundër Kosovës në KiE, Gjeloshaj: Qëndrimin tonë do ta japim kur të votohet në Këshillin e Ministrave

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori