LAJMI I FUNDIT:

Rastet e sherreve dhe pajtimeve mes gazetarëve dhe VIP-ave (Foto)

Rastet e sherreve dhe pajtimeve mes gazetarëve dhe VIP-ave (Foto)

Shpesh herë në mediat shqiptare ka pasur konfrontime mes personazheve publikë.

Të tilla debate që kanë sjellë “largime” nga njëri apo tjetri emision, janë bërë lajm për rrjetet sociale. Personazhe mjaft të njohur si kryeministri Edi Rama, këngëtarja Rovena Stefa, analisti Artan Lame, si dhe moderatorja Fjori Dardha kanë pasur përplasje në media me gazetarë të njohur. Të ftuarit kanë vendosur të mos jenë për një periudhë kohe pjesë e emisioneve të tyre po mesa duket nuk e kanë evituar dëshirën për t’u rikthyer sërish tek ata. Më poshtë do ju njohim me rastet e largimeve dhe rikthimeve më të bujshme në televizionet shqiptare.


Arian Çani me Edi Ramën

Pas kaq vitesh më në fund Arian Çani dhe Edi Rama mundën të ishin së bashku në studion e “Zonë e lirë”. Debatet mes tyre kanë filluar që nga koha kur Edi Rama ishte kryetar i bashkisë Tiranë, sa i përket pakënaqësive të Çanit ndaj punës së bërë nga institucioni dhe personalisht kryetari i tij. Çani, thuajse çdo emision të së premtes kishte për të thënë diçka kundër Ramës. Jo në pak situata ai preferonte të përdorte humor, duke vazhduar të tregonte se ishte i “zhgënjyer” me qeverisjen e atij, që pas një kohe të gjatë në bashki do ulej në karrigen e kryeministrit të vendit. Qe një kohë relativisht e gjatë që Edi Rama nuk shkonte te emisioni i Arian Çanit. Me përfundim të fushatës në qershor, kryeministri ishte i hapur për çdo studio televizive. Ky moment do shënonte dhe rikthimin e kryeministrit Rama te “Zonë e lirë” pas një pauze të gjatë dhe bëri bujë mesomuajin e qershorit.

Aulona dhe Fatma me Rovena Stefën

Një nga sherret më të bujshme në showbizin shqiptar dhe që mbahet mend është ai mes këngëtares Rovena Stefa dhe gazetareve Aulona Musta e Fatma Halixhiu. Dyshja në fjalë, njëherësh edhe drejtueset e emisionit “Thumb”, kishin thumbuar dikur keq Rovenën, lidhur me klipin e këngës së saj “Malli”. Rovena aso kohe kishte publikuar një klip mjaft erotik, por i cili pati probleme me transmetimin e tij në “YouTube”, gjë që u komentua keq nga Aulona dhe Fatma në emisionin e tyre. Gjithçka kishte përfunduar me një padi nga Rovena, ndërsa më pas edhe një përballje televizive në “Zonë e Lirë”. U përfol se treshja pati edhe një përballje tjetër në ambientet e televizionit “Tv Klan”. Këngëtarja Stefa pohoi se ka pasur një debat rastësor, por që nuk ka dashur të komentojë shumë mbi të. “Ishte një debat që ndodhi papritur, por që nuk do doja të komentoja shumë mbi të”, ka thënë Rovena Stefa. Ndërkohë, bëhet me dije se këngëtarja do jetë e ftuar te emisioni i dy gazetareve të njohura. Hatërmbetjet mesa duket janë hedhur pas.

Alketa Vejsiu me Fjori Dardhën

Moderatorja e njohur Fjori Dardha njihet për natyrën e saj kritike dhe jo rrallë herë është ndeshur me figura publike. Një rast i tillë ka qenë edhe ai mes Fjorit dhe Alketa Vejsiut, ku Fjori kritikonte dhe ironizonte Alketën se fjalën “super” e përdorte më shumë se ç’duhej në spektaklet e saj. Në një prej performancave të Fjorit në “Dance with me”, Alketa nuk ka harruar të përmend këtë polemikë, e ndërsa Fjori ka reaguar menjëherë duke thënë se ka fatin të jetë në një “super” spektakël. Kështu Alketa Vejsiu dhe Fjori Dardha kanë lënë pas mëritë dhe kanë bërë paqe!

Blendi Fevziu me Artan Lamen

Ai ka qenë një nga debatet më të përfolur. Në një nga puntatat e emisionit “Opinion” pati një debat në studio mes Artan Lames dhe gazetarit Blendi Fevziut, i cili më pas u përhap në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale. Një “Pushoooooooo” e Fevziut, edhe sot pas disa viteve vazhdon të mbahet mend nga të gjithë. Kështu Artan Lame është rikthyer në emision me një jatagan dhe një shpat, duke ja drejtuar me humor Blendi Fevziut, kjo për t’i kthyer reston e drejtimit të shkopit nga ai disa vite më parë. Blendi Fevziu e ka mirëpritur dhe më pas i ka shfaqur pjesët filmike. Më pas Fevziu ka thënë se nuk ka pritur që ajo gjë të ndodh në studio pasi ata njihen prej 20 vjetësh. Fevziu e ka pyetur se përse nuk pushonte atë ditë në emisioni dhe Lamja ka dhënë një përgjigje: “Unë ato që i them i besoj. Të ka ndodhur pas emisionit që unë të them atë e thash se duhet thënë, unë i them gjërat se i ndjej dhe i besoj. Më kujtohet kur u takuam te Kryeministria dhe i kë thënë gocës ky është ai xhaxhi që i bërtita”. Fevziu i ka dhënë po ashtu edhe një dhuratë, një skulpturë të vogël të Gjergj Kastriot Skënderbeut. /Gazeta Shqiptare/