LAJMI I FUNDIT:

Rast i rrallë: Njihuni me klubin kosovar ku 27 lojtarë kanë të njëjtin mbiemër

Rast i rrallë: Njihuni me klubin kosovar ku 27 lojtarë kanë të njëjtin mbiemër

Kur përmendet mbiemri Dërmaku, të gjithë lojtarët kthejnë kokën.

Kjo është veçantia e skuadrës së Besës nga Shipashnica e Kamenicës, që në përbërjen e saj ka plot 27 lojtarë me të njëjtin mbiemër, nga 31 sa përbëjnë të gjithë skuadrën.


Madje edhe trajneri i skuadrës, Granti ka të njëjtin mbiemër. Diçka e veçantë kjo, që nuk është hasur më parë në ndonjë klub tjetër shqiptar, apo edhe të huaj.

“Klubi Besa daton nga viti 1978. Në kohë ka qenë një miniolimpiadë në Rogaçicë. Të rinjtë e fshatit Shipashnicë e fitojnë atë olimiadë në lojëra të ndryshme, por kryesisht është fituar në futboll. Atë kohë e fituam të drejtën për të garuar në garën rajonale që atëherë përbëhej nga komunat Gjlan, Viti, Kamenicë. Lajmi kryesor ka qenë se të gjithë kishin mbiemrin Dërmaku. Të gjithë jemi kushërinj. Thuhet se fshati është formuar nga dy vëllezër dhe sot të gjithë ne gëzojmë mbiemrin Dërmaku”, tregon për RTV Dukagjinin, Granit Dërmaku.

Në këtë klub që mbiemri më i dëgjuar është Dërmaku, trajneri tregon se a e ka të vështirë të komunikoj me futbollistët në stërvitje dhe përgjatë lojës dhe si i thërret ata.

“Është pak problem, por futbollistët i thërras me emra, si Eljon apo emra tjerë”, tregon duke qeshur trajneri, përcjell Telegrafi.

Shumë i dëgjuar tingëllon për shqiptarët mbiemri Dërmaku, pasi një me mbiemër të tillë ka edhe Kombëtarja Shqiptare në futboll. Bëhet fjalë për Kastriot Dërmakun,  pasi ekipi në fjalë ndodhet në vendin ku edhe e ka prejardhjen mbrojtësi Kuq e Zi.

“Edhe Kastriot Dërmaku që luan për Kombëtaren e Shqipërisë vjen nga fshati ynë. Edhe babai i tij ka qenë futbollist i njohur që ka luajtur për Prishtinën”, thotë më tej Granit Dërmaku.

Por pjesë e kësaj skuadra ka edhe lojtarë me mbiemër tjetër por që gjithmonë kanë lidhje familjare me lojtarët e klubit të Besës.

“Jam nip i këtij fshati dhe kam lidhje me këtë skuadër. Në një far forme përfaqësoj të gjithë nipërit e dërmakëve. Kam afërsi me të gjithë lojtarët”, tregon Mentor Sherifi.

Në këtë klub ku të gjithë funksionojnë si një familje, futbollistët me mbiemrin e njëjtë thonë se nuk e kanë problem këtë, pasi ata kuptohen shumë mirë dhe janë të lumtur se ata dallohen për këtë nga klubet tjera.

Besa nga Kamenica është riformuar sërish pas 20 vitesh pauzë dhe aktualisht marrë pjesë në ligën e 3-të të kampionatit kosovar. Në ndeshjen e fundit të sezonit vjeshtor, ekipi nga Kamenica mposhti 4 me 3 skuadrën e Matit në takimin që u zhvillua në Karaqevë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/