LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Duhet të hiqen veturat e vjetra dhe zvogëlimi i lëndëve djegëse

Ramadani: Duhet të hiqen veturat e vjetra dhe zvogëlimi i lëndëve djegëse

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë sot se prej 23 tetorit të këtij viti, qyteti i Prishtinës është zhytur në një ndotje, e cila, sipas matjeve, paraqitet në vlera jashtë normales.

Për të folur rreth ndotjes së ajrit në veçanti në kryeqytet Ramadani sot është pritur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.


Ramadani dhe Veseli biseduan për masat që duhet të ndërmerren për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

Ndër masat e paraqitura për evitimin e ndotjes, drejtori Ramadani përmendi hartimin e planit të aksionit për përmirësimin e cilësisë së ajrit, heqjen nga përdorimi të veturave të vjetra, si dhe zvogëlimin e lëndëve djegëse nga qytetarët.

Ai kërkoi nga qytetarët që gjatë kësaj kohe të evitojnë ecjet nëpër ambientet e hapura të qytetit të Prishtinës.

Kryetari i Kuvendit Veseli, tha se ky takim vjen në kuadër të përpjekjeve të tij për sensibilizimin e kësaj gjendjeje dhe nevojës për rritjen e angazhimeve për evitimin e saj, duke shmangur kështu ndonjë pasojë të mundshme.

Veseli tha se duhet ndërmarrë të gjitha masat, duke eliminuar shkaktarët e kësaj gjendjeje, e cila po e vështirëson jetesën e qytetarëve, veçanërisht të atyre që jetojnë në vise urbane.

“Cilësia e ajrit është çështje emergjente për jetën e qytetarit. Kuvendi do të ndërmarrë çdo iniciativë, e cila vlerësohet se do të kontribuojë në këtë drejtim. Shumë shpejt Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor do të dalë me një plan të veprimit për cilësinë e ajrit”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Veseli e konsideroi imediate nevojën e evitimit të përdorimit të makinave të vjetra në ambiente urbane, si dhe të zvogëlimit të lirimit të dioksidit të karbonit nga ngrohja.

Ai tha se kjo e bën edhe imperativ nevojën e shtrirjes së ngrohjes së qytetit në të gjithë territorin e kryeqendrës. /Telegrafi/