Rama në Itali: Asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sa ajo e Melonit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama,nisi këtë të enjte, 16 prill, vizitën e punës në Romë, Itali, ku u prit në një ceremoni zyrtare nga homologia Giorgia Meloni në Pallatin Chigi.
Rama dhe Meloni zhvilluan më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.
Kreu i qeverisë shqiptare ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u shprehur se asnjë qeveri italiane nuk ka bërë më shumë për Shqipërinë sesa ajo e Melonit në 35 vite.
Rama deklaron se afrimi i mëtejshëm i Tiranës dhe Romës ka të bëjë me projektet e përbashkëta strategjike të mëdha.
“Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë”, shkruan Rama.




















































