Rama me Mitsotakis: Po punojmë për kapërcimin e të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Athinë, ku pritet të ketë takime të rëndësishme.
Rama ka ndarë në faqen e vet në Facebook momente nga takimi me homologun e tij Kyriakos Mitsotakis.
“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik”, shkroi Rama.
Gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Athinë Rama shoqërohet nga bashkëshortja, Linda Rama.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Greqi, me ftesë të Forumit Ekonomik të Delphit, (21-23 prill) një platformë ndërkombëtare e nivelit të lartë, e cila çdo vit bën bashkë liderë politikë, përfaqësues të biznesit, akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota.
Në forum do të diskutohet për sfidat kryesore globale, për të nxitur dialogun ndërkombëtar, për të shkëmbyer ide dhe për të kontribuar në hartimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal e global.
Vizita zyrtare e Ramës në Athinë, kryeministri shqiptar do të darkojë me ambasadoren amerikane në Greqi.
Gjatë punimeve të Forumit, do të nënshkruhet në një ceremoni të veçantë Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A. /Euronews.al/


















































