Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të suksesshëm në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është shprehur komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë fjalës së saj në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE.

Ajo theksoi se ky zhvillim shënon nisjen e një faze të re në procesin e negociatave, duke i mundësuar Shqipërisë avancim më të shpejtë në rrugën drejt integrimit evropian.


“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri”, deklaroi Kos.

Sipas saj, ky progres përbën një bazë të fortë për vazhdimin e reformave dhe për mbylljen graduale të kapitujve negociues me BE-në.

“Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE. Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve”, u shpreh ajo.

Komisionerja europiane theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në procesin e reformave, me synimin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.

Ajo shtoi se përparimi i mëtejshëm do të varet nga konsolidimi i reformave dhe përfshirja e të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile në këtë proces.

“Është koha të përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve. Më shumë se 90 për qind e tyre mbështesin anëtarësimin në BE. Kremtoni arritjen dhe le t’i kthehemi menjëherë punës”, tha Kos.

Sipas saj, sa më shumë kapituj të negociatave të mbyllen, aq më i suksesshëm do të jetë edhe bashkëpunimi i ardhshëm mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.disa tituj/Telegrafi.